1970| Gjermania marrëdhënie me Shqipërinë, por drojë nga jugosllavët

Nga Thanas Mustaqi

Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike Gjermani-Shqipëri u vendosën në vitin 1987, Boni synonte të kontaktonte me Shqipërinë qysh në vitin 1970, por i ruhej ndonjë “acarimi të Jugosllavisë”, fakti i bujshëm mësohet nga arkivat gjermane.
Mes 15 dokumenteve të botuara nga Bernd Schaefer, studiues në Qendrën Uillson Për Projektin e Historisë Ndërkombëtare të Luftës së Ftohtë [Wilson Center’s Cold War International History Project (CWIHP)] dhe ligjërues i profesoratit në George Washington University, është dhe një dokument i 20 nëntorit 1970, i përfshirë në studimin “Marrëdhëniet kino-gjermanoperëndimore në epokën e Maos” (Sino-West German Relations during the Mao Era).
Titulli i dokumentit është “Memorandum i shefit të Departamentit Oncken “Vendosja e Marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës dhe Shqipërinë”” (Memorandum from Department Head Oncken, ‘Establishment of Relations with The People’s Republic of China and Albania’), me mbështetjen e MacArthur Foundation, Leon Levy Foundation.
Ky dokument interesant hedh dritë mbi historinë e Shqipërisë në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe historinë e diplomacisë shqiptare, pasi burimi është nga arkivat e Ministrisë së Jashtme të ish-Republikës Federale / Perëndimore të Gjermanisë.
Bie në sy fakti që diplomacia e RFGJ-së ishte tejet e matur në politikën e saj me vendet e bllokut komunist (të Traktatit të Varshavës, ndonëse Shqipëria ishte larguar zyrtarisht në vitin 1967).
Për sa i përket Shqipërisë nuk ka pse të mos vihet në dukje kujdesi i pashpjegueshëm gjerman për të mos acaruar Jugosllavinë.
Nga ana tjetër, kërkohen studime të thelluara pse Perëndimi e shihte Tiranën komuniste sipas orekseve të Beogradit.

Përkthyer nga versioni anglisht.

Dokumenti
Memorandum nga shefi i departamentit Oncken
PI-82.07-8300-695 / 70
Rreptësisht konfidencial
20 nëntor 1970[1]
Zotit Sekretar të Shtetit[2]
Lënda: Vendosja e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës dhe Shqipërinë
Referencë: Memorandum LPI-82,07-138 / 70-rreptësisht konfidenciale nga 19 mars 1970[3] dhe PI-83,00-220 / 70-rreptësisht konfidenciale nga 23 prill 1970[4]
Shtojcë: 2[5]
Qëllimi: Parashtresë nëse është e përshtatshme vendosja në këtë moment e marrëdhënieve zyrtare me shtete të tjera komuniste, përkatësisht me Republikën Popullore të Kinës dhe Shqipërinë.
Propozimi: Të pyeten departamentet operative për të bërë komente dhe, nëse është e zbatueshme, vendosja, për rrjedhojë, e kontakteve me Republikën Popullore të Kinës dhe Shqipërinë.[6]
I.
1) Stafi i planifikimit sugjeroi në mars dhe prill të këtij viti në memorandumin sipërpërmendur (shih shtojcat) vendosjen e kontakteve zyrtare me Republikën Popullore të Kinës dhe Shqipërinë. Megjithatë, çështja nuk është ndjekur më tej që atëherë ekzistonin rezervat kundër propozimit.
2) Këto rezerva janë si më poshtë:
a) në rastin e Kinës:
– kinezët nuk janë të interesuar në ndryshimin e gjendjes aktuale;
– vendosja e marrëdhënieve zyrtare me Pekinin mund të shkaktonte tendosje në marrëdhëniet tona [të Republikës Federale Gjermane – th. m.] me Bashkimin Sovjetik.
b) në rastin e Shqipërisë:
– nuk ekzistojnë probleme më urgjente;
– kontaktet zyrtare me Shqipërinë për momentin nuk do t’i sillnin dobi politikës tonë ndaj Evropës Lindore.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, situata ka ndryshuar:
1) Republika Popullore e Kinës
Aktiviteti i politikës së jashtme të Republikës Popullore të Kinës muajt e fundit ka treguar qartë se Kina është e interesuar në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtete të tjera perëndimore. Ditët e fundit, ndonëse pas zvarritjes së negociatave (për shkak të problemit të Tajvanit), u vendosën marrëdhënie diplomatike me Kanadanë[7] dhe Italinë[8]. Aktualisht Belgjika, me sa thuhet, po zhvillon bisedime me Republikën Popullore të Kinës lidhur me shkëmbimin e përfaqësive diplomatike. (Lidhur me çështjen e aspekteve që kanë të bëjnë me kontaktet tona, të cilat duhet të marrinë në konsideratë problemin e Tajvanit, unë i referohem memorandumit bashkëngjitur më 19 mars 1970).
Qëkurse SHBA-ja gjithashtu po shpërfaq nuanca në qëndrimet e saj ndaj Kinës komuniste, dhe janë përfunduar negociatat tona me BRSS mbi “mospranim të marrëveshjes mbi pakësimin e trupave”, mund të bëhet një përpjekje e re diskrete për t’u angazhuar në një dialog me Republikën Popullore të Kinës.
2) Shqipëria
Këtu situata ka ndryshuar, si dhe, në krahasim me kohën e memorandumit të 23 prillit 1970. Tani ka më pak të ngjarë “një acarim i Beogradit” (shih fq. 2b të shtojcës për Shqipërinë[9]) qëkurse sot Jugosllavia nga ana e saj është e interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
Për politikën e Republikës Federale të Gjermanisë ndaj Evropës Lindore nuk do të ishte pengesë sot një fillim kontaktesh zyrtare me Shqipërinë (shih shënimin e z. Ministër të Jashtëm[10]). Ndër shtetet e komunitetit evropian, Franca[11] dhe në Italia[12] kanë ambasada në Tiranë prej shumë kohësh tashmë.
Këtë vit Danimarka, Holanda, Suedia dhe Zvicra kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.[13]
III.
Lidhur me sugjerimet e mësipërme, stafi i planifikimit miraton konceptin se do të duhej të zgjeronim sistematikisht shtrirjen e sferës së operacioneve dhe mundësive të politikës sonë të jashtme. Në qoftë se kemi vendosur në bazë të këtij koncepti të vendosim, apo të synojmë, marrëdhënie me të gjitha shtetet e Paktit të Varshavës, atëherë ajo do të jetë vetëm në kuadër të kësaj logjike të politikës që ne -në interesin e zgjerimit të opsioneve teorike dhe mundësive tona të vendosim gjithashtu kontakte me ato shtete, të cilat deri më tani për arsye të ndryshme nuk ishin përfshirë në diskutimet tona respektive.[14]
Oncken
VS-Bd. 11.571 (Stafi i planifikimit)
Shënime të botuesit të versionit anglisht:
[1] Memorandumi u përgatit nga VLR I Sartorius.
[2] Dorëzuar Sekretarit të Shtetit Frank më 23 nëntor 1970. Ai iu drejtua për komente krerëve të departamentit von Staden dhe Herbst dhe shënoi me shkrim dore: “Sipas mendimit tim, nuk ka ardhur ende koha”. Dërguar von Staden-it më 24 nëntor 1970, i cili komentoi me shkrim dore: “Sipas mendimit tim Shqipëria s’është në kohën e duhur dhe as e nevojshme. Kina: definitivisht jo para ratifikimit të marrëveshjes me Bashkimin Sovjetik. Pastaj ta marrin në konsideratë, megjithatë, ndonëse në konsultim me SHBA-në”.
[Dorëzuar Herbst-it më 25 nëntor 1970 i cili komentoi me shkrim dore: “Kategorikisht [i të njëjtit mendim] si [Departament] I Pol”.
Dorëzuar VLR I Schönfeld-it më 26 nëntor 1970, i cili instruktoi që t’u dërgohej Sekretarëve të Shtetit Freiherr von Braun dhe Frank.
Dorëzuar von Braun-it më 26 nëntor 1970, i cili komentoi me shkrim dore: “Sipas mendimit tim, vetëm pas ratifikimit të traktateve me BRSS-në dhe Poloninë”.
Ri-dorëzuar Frank-ut më 30 nëntor 1970.
[3] Për memorandumin nga ana e shefit të departamentit Oncken shih dokumentin 123 [e AAPD].
[4] Për memorandumin nga ana e shefit të departamentit Oncken shih VS-Bd. 11.573 (stafi i planifikimit), B 150, kopjet e skedave 1970. Për një ekstrakt shih shënimin 9.
[5] Bashkëngjitur ishte memorandumi nga shefi i departamentit Oncken i 19 marsit 1970. Për memorandumin nga Oncken të 23 prillit 1970 shih fusnotat 4 dhe 8.
[6] Fraza “dhe, nëse është e zbatueshme, për vendosjen” është shënuar jashtë tekstit nga Sekretari i Shtetit Frank.
[7] Republika Popullore e Kinës dhe Kanadaja vendosën marrëdhëniet diplomatike më 13 tetor 1970.
[8] Republika Popullore e Kinës dhe Italia vendosën marrëdhëniet diplomatike më 6 nëntor 1970.
[9] Paragrafi 2b) nga memorandumi i shefit të departamenti Oncken i 23 prillit 1970: “Natyrisht, rëndësia aktuale e vendosjes së një kontakti do të kërkojë një hap të tërthortë eksplorues ndaj Pekinit. Interesi ynë për të vendosur marrëdhënie zyrtare me Pekinin në kushte të pranueshme, është përtej çdo dyshimi. Ndonëse njëfarë tendencioziteti mund të këshillohet kundër kësaj gjëje, duke marrë në konsideratë aleatët tanë amerikanë, por edhe Japoninë mike, dhe në fund të fundit Tajvanin. Këto konsiderata janë pasojë e marrëdhënieve të vështira dypalëshe kineze me vendet e përmendura. Ato nuk ekzistojnë në rastin e Shqipërisë (ndonëse mund të ketë edhe acarim të Beogradit). Sa i përket aspektit ideologjik ka shqetësime, vendosja e kontakteve do të rezultojë përfundimisht në një fillim kontakti me Pekinin, pa bezdisjen e panevojshme të vendeve mike”. Shih VS-Bd. 11.573 (Stafi i planifikimit), B 150, kopjet e skedave 1970.
[10] Ministri i Punëve të Jashtme [Walter] Scheel shënoi në memon e shefit të Departamentit Oncken të 23 prillit 1970 me shkrim dore lidhur me propozimin e eksplorimit të mundësive për vendosjen e kontakteve zyrtare me Shqipërinë: “Për momentin nuk do t’i sillnin dobi politikës tonë ndaj Evropës Lindore”. Shih VS-Bd. 11.573 (Stafi i planifikimit), B 150, kopjet e skedave 1970.
[11] Franca dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 25 shkurt 1946. Përfaqësitë ekzistuese u ngritën në nivel ambasadash më 11 janar 1965.
[12] Italia dhe Shqipëria [ri-]vendosën marrëdhëniet diplomatike më 2 maj, 1949.
[13] Suedia vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë më 26 qershor 1969, Danimarka më 30 prill 1970, Zvicra më 20 korrik 1970, dhe Holanda më 18 nëntor 1970.
[14] Kjo fjali, si dhe fjalët “logjika”, “zgjerimi” dhe “teorike” janë nënvizuar nga Sekretari i Shtetit Frank dhe shoqëruar me pikëpyetje.