Itali| Salvini nuk humb kohë, nis fushatën elektorale

Ministri italian i Brendshëm, Matteo Salvini, i cili prishi të enjten koalicionin populist në pushtet, ka nisur tashmë një maratonë mitingjesh dhe takimesh në përpjekje për të zhvilluar sa më shpejt zgjedhje të parakohshme. Në Bregun adriatik të premten, Bazilikatë të shtunën, Siçili të dielën, një turne i vërtetë në plazhe për kreun e Lidhjes, i cili përmend në çdo etapë të njëjtin mesazh. “Duhet t’i japim fjalën italianëve. Është një zgjedhje e kurojos, koherencës, por gjithashtu dinjitetit”, theksoi “Kapiteni” në Termoli, pasi përfundoi “selfiet” me disa mbështetës euforik. Menjëherë pasi dekretoi fundin e aleancës së tij me Lëvizjen Pesë Yjet , ai përfitoi nga një miting në Peskara për t’iu bërë thirrje parlamentarëve të ngrihen nga karriket e tyre dhe të rikthehen në Romë për të shpërndarë qeverinë. Ndërkohë që Parlamenti është me pushime, të gjithë deputetët e Lidhjes janë thirrur të hënën pasdite. Matteo Salvini pas fitores së zgjedhjeve europiane në maj si dhe disa zgjedhjeve rajonale ndihet i fortë për të guxuar kalimin e partisë radikale Lidhja ne seline e kryeministrise në Romë. E pazakontë është që kriza qeveritare shpërthen në mes të gushtit, sezonin kryesor të pushimeve në Itali. Në fakt italianët janë të ambientuar me krizat qeveritare. Ky vend po lëviz tani drejt qeverisë së 66 pas Luftës së Dytë Botërore. Me 14 muaj qeverisje koalicioni i të djathtëve dhe populistëve të majtë konsiderohet si një ndër më jetëgjatët në Itali. Kryeministri pa parti Guiseppe Conte ndihet i anashkaluar. Profesori, i cili asnjëherë më parë nuk ka pasur post politik dhe mori rolin e spirancës për këtë koalicion të përçarë, shprehet me indinjatë: “Nuk është kompetencë e ministrit të Brendshëm t’i japë fund qeverisë dhe t’i diktojë parlamentit, se si duhet të veprojë.”