ANALIZA | Partia ime më dënon? Rasti Osmani e Zaganjori

Ndërsa shumë shqiptarë janë të lodhur dhe të pashpresë për të lexuar mrekullitë e Reformës në Drejtësi, të paktët që ende janë të interesuar për skemën e re “sui generis” të saj, po ndjekin me vëmendje dhe jo pak të habitur ngjarjet e fundit. Shkarkimi i djeshëm i anëtarit të KLP Osmani apo edhe Zaganjorit ishin dy pika kulmore që duket se shtangën kritikët e Reformës në Drejtësi (e njohur si Ramaforma).

Gjithsesi, shkarkimet e tyre vetëm sa vërtetojnë në thelb skemën e pandershme të Reformës e cila vazhdon të ruajë të njëjtën logjikë “T’i shërbejë atij për të cilin u ideua”. Po përpiqem që të jem më i lexueshëm dhe i kuptueshëm për lexuesin e vëmendshëm.

Ligjet e miratuara (pra 7 ligjet e famshme të votuara jo unanimisht) të Reformës në Drejtësi i japin mundësi institucioneve të reja që të operojnë edhe pa kaluar fazën e vetimit apo dhe duke kaluar vetëm njërën shkallë të vettingut (pra, KPK). Sipas ligjeve në fjalë anëtarët e institucioneve të reja të drejtësisë kanë mundësinë që të përzgjedhin drejtuesit e rinj të SPAK, Gjykatën Kushtetuese dhe ILD e më pas të shkarkohen nga vettingu për mos justifikim pasurie.

Në kushte të tilla anëtarët e KLP, KED dhe KLGj mundet të marrin vendime në lidhje me institucionet e tjera edhe pa kaluar plotësisht vettingun (apo pa e kaluar fare si proces). Më pas të njëjtat persona mund të dështojnë në kalimin e provës së zjarrin duke krijuar një boshllëk që do të plotësohet nga një tjetër, por duke ngritur pikëpyetjen morale (sepse ligjërisht nuk ka të tillë) për përzgjedhjen e anëtarëve të tjerë.

Një situatë e tillë ndodhi këto muaj dhe mund të ilustrohet me dy raste konkrete; Xhevahir Zaganjori kaloi shkallën e parë të KPK me një argumentim aspak serioz dhe tërësisht qesharak. Ditët e para pasi kaloi këtë hap të parë Zaganjori mblodhi Gjykatën e Lartë dhe krijoi KLGJ, pas disa muajsh Zaganjori u largua nga sistemi gjyqësor si I papërshtatshëm për të qenë aty.

Një rast I tillë ndodhi dhe në KLP (në fakt u përsërit dy herë), anëtari I KLP Osmani kaloi hallkën e parë të KPK dhe më pas morri pjesë në përzgjedhjen e SPAK apo dhe kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Pas kësaj Osmani u largua nga SPAK dhe sistemi pasi KPA e konsideroi atë të papërshtatshëm.

Këtyre dy rasteve mund t’I shtohen rastet e KED e cila është e pavetuar e gjitha por që aktualisht ka përzgjedhur kandidatët për Gjykatën Kushtetuese si dhe kandidatin për ILD. Ky I fundit është vëllai I ish ministers Gjermeni dhe mban aktualisht një post politik të emëruar nga kryeministri Rama. Pra, është I politizuar apo më saktë I partiakizuar.

Kjo situatë ngre dy probleme; Nga një krah procesi I vettingut ka shpallur të papërshtatshëm minimalisht dy individë që kanë përzgjedhur kandidatët për poste kyçe. Ndërsa nga krahu tjetër këto individë qartazi janë përdorur për të përcaktuar disa emra dhe më pas për t’u hedhur si mish për top.

Siç edhe shihet qartë, makineria e Reformës, të cilën duhet t’ia themi emrin siç e ka Ramaformë, është një skemë e mirëmenduar që do të prodhojë institucione dhe më pas janë ato që do të gllabërojnë krijuesit e tyre. Kjo tragjedi në kufijtë e një komedie të zezë do të kulmonte sikur vetë anëtarët e KPK dhe KPA t’i nënshtroheshin në fund të këtij procesi të gjatë vetë vettingut dhe të rezultonin të pakualifikuar për punën që kanë kryer deri në ato çaste. Mos u habisni edhe kjo ka gjasa të ndodhë.

Në fund të viteve 1980, filmimet e KQ (Komitetit Qendror) të Partisë së Punës tregonin një Kadri Hazbiu, që ishte njeriu I fundit që u hoq qafe nga anëtarësia e lartë e PPSH, ishte tejet të shqetësuar. Ai pasi dëgjoi edhe një anëtar të panjohur më parë të KQ ta kritikonte dhe vërejti se fundi i tij ishte afër shpërtheu duke thërritur “Partia ime më dënon?” Pas tij u dëgjua zëri i vetuesit të vetëm asokohe në Shqipëri “Patjetër që Partia jote të dënon!”.

Në kushtet aktuale, shqiptarët vështirë do ta kenë të gëzojnë një drejtësi aq të pastër sa çfarë u premtua. Karrota e ofruar është Ramaforma e cila tanimë do t’i godasë si shkop të gjithë, natyrisht së pari do ta nisë me ata dhe ato që verbtazi apo me bindje i shërbyen një kafshe hibride që u mbars në paligjshmëri dhe po përfundon duke i ekzekutuar. Të mos gëzohemi, me shumë mundësi kjo karrotë e shkop do të godasë edhe nga vetë brenda pushtetit të Ramës, sa për t’I thënë shqiptarëve që drejtësia e tij funksionon.