“ Të thyerit” e Edmond Budinës

Elona Caslli
Nëse bota do të ishte e kthjellët, arti nuk do të ekzistonte.- do të shprehej Albert Camus, si për të thënë se në mjegullën e ekzistencës duhet një mekanizëm kthjellimi për të pare kthjellët kohën në të cilën jetojmë dhe për t’u vendosur përballë saj.

Njeriu jeton kohën apo koha e jeton njeriun?! Bashkëjetojmë me kohën tonë apo e gjykojmë këtë të fundit?!

“ Të thyerit” e Edmond Budinës, jemi ne. Plaga e të thyerve është plaga jonë, me të cilën kemi shumë vite që bashkëjetojmë, aq sa e kemi harruar që e kemi.

E duket sikur ky film ngjitet në ekran si për të na thënë- Shiko ke një plagë mbi trup!
Kushdo do të këqyrte trupin, do të kontrollonte me imtësi gjymtyrët dhe do të përgjigjej : Nuk është plaga ime. Unë nuk kam asnjë plagë.

Për fat të keq, jemi peng i kohës sonë e si rrjedhim nuk e jetojmë ne kohën, por koha na jeton neve dhe kjo gjë bën që jo vetëm të turpërohemi me plagët tona, por edhe ta mohojmë ekzistencën e tyre.

Koha rrjedh dhe bashkë me të rrjedhin edhe plagët që kemi mbi trup. Lëngu i tyre njom të përditshmen tone, të tashmen tonë dhe pashmangshmërisht do të njomë edhe të ardhmen tonë, nëse nuk do të zhburgosemi nga koha në të cilën jetojmë dhe nuk do të shndërrohemi në gjykatës të saj.

Edmond Budina, njeriu-artist vihet përballë kohës së tij dhe përmes këtij filmi nuk bën gjë tjetër veçse ripohon vlerën e tij, në thelb njerëzore e mandej artistike; vlerë të cilën Kamyja në vetë të pare do ta shprehte:

“ Unë vete nuk mund të jetoj pa artin tim. Mirëpo asnjëhere nuk e kam vendosur këtë art mbi gjithçka. Përkundrazi, ai është i nevojshëm për mua ngaqë nuk ndahet nga askush dhe më mundeson mua të jetoj , kështu siç jam, në në rrafsh me të gjithe të tjerët. Për mua arti nuk është një kenaqësi e vetmuar. Ai është një mjet që emocionon njerëzit duke u dhënë atyre një pamje të priviliegjuar të gëzimit apo dhimbjes.
Dhe ai që shpesh ka zgjedhur fatin e artistit , sepse e ndiente veten të ndryshëm, mëson shumë shpejt se artin dhe ndryshimin e tij do ta ushqejë duke pohuar ngjashmërine e tij me të gjithe.”
Albert Camus

Post Scriptum- “ Të thyerit” janë vetëdija e kohës sonë.