Prof. Aurel Plasari shpjegon artin e të kujtuarit| Mnemoteknika

Nga Aurel Plasari
Nga shënimet për kujtesën e Teatrit që reziston
Kur grekët e vjetër kërkonin mjetet dhe teknikat për të përkryer kujtesën mbërritën më në fund tek ajo që njihet si “metoda e vendeve”. Kuptuan që vetëm imazhet nuk mjaftonin, nëse ruajtja e kujtesë nuk bazohej mbi vendet: kopsht, tempull, pallat, lumë, mal, det, shesh, shtrat, tryezë, karrige, dhomë etj., pra vendet pa kurrfarë dallimi. Këtë zbulim e ilustruan me historinë – pa dyshim legjendë – e poetit Simonid që jetoi në shek. V pa erës sonë. E kanë treguar Platoni te grekët e vjetër, Ciceroni dhe Kuintiliani te latinët.
Simonidi, që dallohej për një kujtesë të habitshme, ishte ftuar në një banket mes shumë të ftuarish të tjerë. Papritmas i vjen një thirrje nga jashtë – thirrje nga zotat ! – dhe ai del jashtë sallës së banketit. Jashtë nuk e priste askush. Ndërkaq, gjatë mungesës së tij, çatia e sallës së banketit ra e i vrau gjithë të ftuarit, i bëri copash sa trupat nuk njiheshin dot më prej të afërmve. Por Simonidi, që mbante mend “përmendsh” me saktësi vendet ku qëndronte çdonjëri syresh, ia doli t‘i identifikonte një për një.
“Vendi konservon rendin e gjërave, kurse imazhi i gjerave do të dëftojë gjërat vetë, – tha Platoni. – Si me thënë vendet do të na shërbejnë si dylli, ndërsa imazhet si shkronjat e shënuara në dyllë”. Kuintiliani tha diçka edhe më të bukur: “Kur kthehemi te një vend mbas një copë kohe, jo vetëm njohim vendin vetë, por edhe sjellim në kujtesë atë çfarë aty kemi bërë dhe na shfaqen së rishti personat, madje nganjëherë na vijnë përsëri në mend deri edhe mendimet e heshtura”.
Legjendë? Ok. Por ja që në vitet ’30 të shekullit XX neuropsikologut rus Aleksandër Lurija i ndodhi të studionte kujtesën jashtë të zakonshmes të një gazetari të quajtur Solomon Shereshevskij. Sekreti i kujtesës së tij befasuese ishte pikërisht ai i Simonidit: ai i vendoste kujtimet në hapësirë nëpër vendet e duhura, sërë-sërë, dhe së andejmi e ishte të lehtë t’i thërriste nga cilado pikë të nisej. Bazuar mbi to kujtonte fjalë, fjalime, tekste pa bërë asnjë gabim. Ose me ndonjë gabim të rrallë. Sepse një herë, ndërsa numëronte një listë të gjatë objektesh të lidhura, i doli befas përpara një vezë, që nuk e kishte vendin aty, dhe ai ngeci. Shpjegoi mandej që e kishte vendosur vezën në një vend me të njëjtën ngjyrë, të bardhë. Si mund ta dallonte ngjyrën e bardhë nga e bardha? Që të mos i dilte më përpara vend e pa vend, i vuri përsipër një dritë feneri.
Platoni, që dinte aq shumë, e vuri kujtesën në qendër të njohjes njerëzore: njeriu ka “njohje” sepse ka kujtesë, sepse kujton dhe kujton edhe gjërat që kanë ndodhur kur ai ende nuk ka lindur. Kuptohet kështu se përse kujtesa përfshin përmasa të qenësishme për mbijetesën e qenies njerëzore, se përse kujtesa është qytetërim. Dhe se përse Borges-i tha “Çfarë nuk do të jepja për kujtesën…”. Ata që njohin Proust-in dinë edhe tezat e tij aq joshëse për kujtesën.
fb a.p.