Analiza | Turqia brenda Shqipërisë!


Nga Indrit Vokshi

Ende sot sheh shqiptarë të cilët deklarojnë se grushti i shtetit në Turqi ishte sajim i Rexhep Taip Erdogan. Ata nuk dinë asgjë a ishte sajim apo i vërtet. Thjesht shprehin një mendim të sugjeruar e të sugjestionuar prej disave të cilët kanë interes që të propagandohet se grushti i shtetit ishte sajim i Erdogan.
Nga ana tjetër, njëkohësisht, bashkia e Tiranës ndërton memorial për viktimat e grushtit të shtetit, duke njohur kështu grushtin e shtetit si ngjarje të vërtetë e të rrezikshme për Turqinë. Siç mund të shihet, konflikti politik i Turqisë është transferuar dhe ka ndikuar shumë edhe brenda shoqërisë shqiptare, duke i ndarë njerëzit njëlloj si në Turqi në disa që besojnë se grushti ishte i vërtet dhe disa që besojnë se grushti ishte i sajuar. Asnjë gjeopolitikë e brendshme e një shteti tjetër nuk është transferuar në masë kaq të madhe dhe nuk ka ndikuar kaq shumë në Shqipëri sa gjeopolitika e brendshme e Turqisë. Kjo është dëshmi e një prezence të veçantë të Turqisë në Shqipëri.
Qëndrimi që duhet të mbajnë shqiptarët duhet të jetë i qartë dhe i kujdesshëm. E para nuk mund të deklarojmë se grushti i shtetit ishte i sajuar. Ne nuk e dimë a ishte i sajuar. Nuk kemi të dhëna nëse ishte i sajuar, ndaj nuk mund të kthehemi në atoporlantë të propagandës se grushti ishte i sajuar. Duhet të respektojmë institucionet e Turqisë, parlamentin e saj, qeverinë e saj, presidentin e saj. Jemi shtete mike e aleate dhe nuk mund të marrim ne përsipër të luajmë rolin e gjykatësit për Turqinë. E dyta, siç respektojmë Turqinë, popullin turk, parlamentin, qeverinë, presidentin dhe ushtrinë e Turqisë, duhet të respektojmë edhe vendin tonë. Nuk mund të kthehemi ne në një provincë të Turqisë dhe të propagandojmë edhe ne kundër atyre që propagandon Turqia zyrtare. Nëse ka prova për përfshirje të individëve që jetojnë në Shqipëri në grushtin e shtetit, përpilohet dosja dhe në bazë të konventave dhe marrëveshjeve dypalëshe për ekstradim, institucionet e Shqipërisë i ekstradojnë. Ose i gjykojnë në Shqipëri, me drejtësi dhe nën monitorim. Kjo është rruga e duhur dhe politika e duhur që duhet ndjekur. Turqia ështe vend mik dhe aleat shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Mirëpo shqiptarët nuk duhet t’i transferojnë brenda shtetit të tyre konfliktet dhe rivalitetet që zhvillohen në një shtet tjetër. Kjo dëmton thelbsisht stabilitetin dhe përbashkimin e shqiptarëve mes vedi dhe i shkakton Shqipërisë një tension social shtese e rrjedhimisht e sakaton në gjeopolitikën e brendshme të unitetit të kombit e të vllazërimit të shqiptrëve me njëri-tjetrin.