Sot është datëlindja e Kasëm Trebeshinës “…shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare

Nga ELSA DEMO

Sot është datëlindja e Kasëm Trebeshinës
“…shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.”
Tingëllojnë gjithmonë aktuale këto radhë të Kasëm Trebeshinës, drejtuar Enver Hoxhës më 5 tetor 1953 në një letër “Promemorie”. E kujtojmë sot në ditën e lindjes trashëgiminë e këtij shkrimtari disident, i lindur në Berat më 8 gusht 1926.

Lidhjet e hershme me Teatrin Popullor Trebeshina i ka në vitet ’50 si aktor, profil që e mbajti për fare pak kohë. Ndoqi studimet në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Petërburgut, të cilat i ndërpreu për t’iu kushtuar krijimtarisë letrare. Disa nga veprat e tij më të mira, edhe në dramë, që ai i shkruante midis burgosjeve, i dëbuar nga qyteti dhe nga jeta shoqërore, godasin totalitarizmin. Si në formë edhe në përmbajtje drama e tij është e distancuar ndjeshëm nga zhvillimet e dramës shqipe bashkëkohore të viteve 1960-’70 e cila ndiqte rreptësisht linjën ideologjike. Gjatë kësaj kohe Trebeshina shkroi dramat e përmbledhura në “Ëndrra dhe hije”, “Histori e atyre që nuk janë”. “Tiranozauri”, tragjedi me tri akte, e vitit 1975, u vu në skenën e Teatrit Kombëtar nga Gëzim Kame në vjeshtë 1995. Vetë emri “tiranozaur” është abstragim i një forme arketipale të pushtetit. “Muzeu” është një tjetër vepër e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar pas viteve ’90.

Dialogët janë esenca e dramaturgjisë së Trebeshinës, dialogë dialektikë, që diskutojnë ide të kundërta, që nuk kërkojnë zgjidhjen e ndonjë konflikti, por pohimin e disa të vërtetave absolute. Tek ai tragjikja shfaqet me tiparet e tragjikes në Teatrin e Ri, si një vizion i veçantë për botën dhe jetën ku njeriu lufton me forca që e tejkalojnë atë dhe në fund e shkatërrojnë, ose së paku zbulojnë pafuqinë dhe mjerimin e individit. Tekstet e tij procedojnë me ekzagjerimin e realitetit psikik në raport me realitetin material, duke qenë kështu pionier i kësaj teknike të ekzagjerimit, tendencë kyçe në dramaturgjinë e absurdit, që individin e ekspozon të mbërthyer nga instinktet, fanepsjet, fantazmat, ëndrrat, neurozat.

Në biografinë e hetuesisë për ekspertin psikik përmendet që Trebeshina ka kaluar disa herë nën mbikëqyrjen psikiatrike në spitalin e burgut në vitin 1962. Në prag të dënimit të tretë, në vitet 1980-1981, ai mbahet dy muaj në pavijonin psikiatrik në Tiranë. Në mars 1981 dënohet me nëntë vjet heqje lirie dhe pesë vjet internim, masë dënimi kjo “në përshtatje me rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe të autorit, i cili është përsëritës në të njëjtin krim”. Qëndrimet e palëkundura i kushtuan gjithsej 17 vjet burg dhe internime.

Pikërisht romani “Odin Mondvalsen” i shkruar në vitin 1956, ku shprehet disidenca e pastër estetike, e sheh botën shqiptare me sytë e një të burgosuri në psikiatri. “Ne do të shpëtojmë një ditë. Edhe po qe se nuk shpëtojmë te kjo jetë, tek vdekja do të çlirohemi përfundimisht”, thotë Odini.

Veprat e Trebeshinës nisën të botohen në fillim të viteve ‘90, më së pari në Prishtinë: “Stina e stinëve” (1991), “Mekami” (1994), (1995) dhe në Tiranë “Koha tani, vendi këtu” (1992), “Qezari niset për luftë”(1993), “Rruga e Golgotës” (1993), “Lirika dhe satirë” (1994), Hijet e shekujve (1996), “Kënga shqiptare”, roman në pesë vëllime (2001).

Qëllimi i jetës që shpall Trebeshina nëpërmjet letërsisë nuk është mbijetesa, por rezistenca: arti si rezistencë dhe si vetëdije ndaj tiranisë, arti si shprehje e vetvetes e për vetveten.