Hipokrizia e standarteve dhe cinizmi i tregut të punës Evropian. Rasti i mjekëve që ikin (apo merren)

Nga Admir MALAJ, #ZëriIntegrimit
Ikjen e mjekëve nga Shqipëria nuk duhet ta marrim si diçka personale, as si diçka që vjen vetëm për faj të Qeverisë.
Mjekët emigrojnë nga kudo, edhe nga një vend si Italia fqinje që ofron kushte shumë herë më të mira se sa ne.
Mjekët do të emigrojnë gjithnjë nga vendet më pak të zhvilluara në ato më të zhvilluara.
Arsyet janë të shumta dhe nuk lidhen vetëm me pagën, por edhe me kushtet e punës, teknologjinë, rrjetin profesional dhe shkencor, si dhe prestigjin e institucioneve, pra gjithë e gjithë me përmbushjen profesionale dhe personale.
E vetmja mënyrë për ta ndalur është që nesër të zgjohemi me standartet e Hollandës, gjë që më duket pak realiste. Asnjë nuk duhet ta bëjë një premtim të tillë rrenacak.
Po si i bëhet atëherë?
Më shumë se sa zgjidhje, për momentin, vendet si puna jonë po arnojnë situatën.
Më shumë kuota dhe ndonjë benefit më tepër për mjekët.
Zgjidhje reale nuk ka për momentin.
Për më tepër, me modernizimin e shëndetësisë, mjeku po humbet pak e nga pak lidhjet me komunitetin, nuk është më në qendër të tij siç ka qenë më përpara.
Pra, lidhje interesi profesional jo, interesi financiar jo dhe shoqëror jo e jo.
Po çfarë do të prodhojë kjo situatë?
Do të prodhojë një cikël që pritet të rrisë gjithnjë e më shumë hendekun profesional ndërmjet mjekëve atje (vendeve më të zhvilluara) me mjekët këtu (vende më pak të zhvilluara).
Kësisoj do të rritet gjithnjë e më shumë dhe hendeku i cilësisë së jetës ndërmjet nesh.
Kjo gjë nuk duhet të na habisë dhe aq shumë. Gjermania (për shembull), ka kohë që ka më shumë inxhinjerë të aftë (jo gjithnjë gjermanë) se vendet e tjera, sepse të gjithë atje duan të shkojnë të punojnë. Po për këtë asnjeri nuk bën skandal. Për mjekët po!
Është e natyrshme, përpara shëndetit shumë rregulla të ekonomisë së tregut (pjesë e të cilës është dhe tregu i punës) bien.
Ka ca vlera, ca parime, që shëndetësia i ka në bazë të saj, të cilat shkërrmoqin çdo alternativë për ta qasur debatin në terma ekonomikë.
Këtu flitet për shëndet dhe nuk kuptohet pse disa shtetas paskan të drejtë për më shumë profesionistë dhe biles edhe më të mirë?
Epo do thoni ju: Po e drejta e zgjedhjes së vetë profesionistit?
Asaj s’kemi çfarë t’i bëjmë.
Jemi budallenj ne shqiptarët, ashtu si shumë të tjerë, që të drejtën për shkollim në mjekësi ja japim atyre që sot duan të bëhen deputetë e nesër të ikin fare.
Gjithsesi ta largojmë pak kritikën nga vetja. Unë kam një pyetje tjetër:
Po kjo Gjermania (për shembull prapë) çfarë do me mjekët tanë?
Institucionet e tyre na qortojnë përditë, se këtu s’ka ligj, se këtu s’ka drejtësi, se këtu ka korrupsion, se këtu s’ka standarte etj etj.
Ore po edhe këta mjekë në këtë vend janë shkolluar, në këtë korrupsion e në këtë mungesë standartesh.
Çfarë duan me ta?
Apo ndofta ne mjekët i kemi të aftë dhe punëtorë. I kemi aq shumë sa bëjnë edhe për qytetarët tuaj.
E njëjta gjë vlen dhe për infermierët, që po nisen tashmë kudo, aq shumë janë të kërkuar.
Ndërsa pjesa tjetër, juristët, arkitektët, mësuesit, psikologë, punonjës socialë, farmacistë (apo dhe profesione të tjera që spo i përmend) nuk bëjnë, këto nuk janë të mirë, as shkollën nuk ja njohin, asgjë.
E vërteta e hidhur mund të jetë ama që këta të parët (mjekët dhe infermierët) i duan se nuk kanë, ndërsa këta të dytët i kanë frikë, se ju prishin politikën e brendshme, ju lënë pa punë të vetët. Shumë bukur flitet për konkurencë dhe lëvizje të lirë, por politika synon të kënaqë përpara ata që kanë të drejtë vote, pra shtetasit e vet, që siç po shohim nga lëvizjet populiste të fundit, nuk para e duan konkurencën me të huajt.
Nuk duhet harruar se kjo mungesë mjekësh në vendet e zhvillluara nuk vjen vetëm si pasojë e plakjes së popullsisë, por edhe si paaftësi në planifikimin e kuotave për mjekë, marrjen e masave shtrënguese ndaj institucioneve të arsimit të lartë (shiko rastin e Britanisë së Madhe) por dhe mungesë vizioni në këshillimin e karrierës (rasti Gjermanisë).
Në përfundim, kjo puna ngjason shumë me atë shprehjen e filmit Zonja nga Qyteti ku kryetari koperativës thoshte me ironi:
Grurin ja doni fshatit por ama djemtë nuk ja merrni për dhëndurë“.
Epo atëherë t’ja shesim shumë shtrenjtë grurin…
T’ju vemë këtyre shteteve një takse për çdo mjek dhe infermier që na marrin.
Ose, ose, meqë ne nuk kemi për t’i gëzuar këto mjekë e infermierë që përgatisim, nuk ka pse t’i gëzojë Bota.
Atëherë të mbyllim Fakultetin e Mjekësisë, të mos japë më bursa për specializime Qeveria! Të investohen fondet diku tjetër.
Edhe ndihmat në formë specializimesh mos t’i pranojmë më. Se ato bursa jepen për Shqipërinë dhe jo për filanin dhe fistekun.
Nuk duan të rrinë! Duan të na i marrim! Epo ne nuk përgatisim më mjekë dhe infermierë me lekët tona (paksa radikale kjo).