Bankat ndryshojnë komisionet, paqartësi tek klientët| Guvernatori Sejko nuk e çan kokën fare


Ndryshojnë komisionet për depozitimet dhe tërheqjet në para të thatë, kesh, në një prej bankave më të mëdha të vendit. Njoftimi i bankës është dërguar nëpërmjet një mesazhi në celular, ndërsa nuk gjendet në faqen zyrtare të bankës tregtare. Sipas ligjit për bankat, kur ndryshojnë kushtet e punës, ato duhet të bëhen publike. Pas kësaj klientët e një banke mund të jenë pjesë e saj, ose të ndryshojnë subjektin nga marrin shërbimin. Bardhi Sejdarasi ka përgatitur materialin në vazhdim.

Një SMS e dërguar rëndom në numrin privat të celulareve të klientëve të një prej bankave më të mëdha tregtare në vend, ka lajmëruar se duke filluar nga data 2 shtator do të ndryshojnë komisionet në tërheqjen dhe depozitimin e kursimeve.
Ndryshimi është i ndjeshëm dhe duket se prek pothuajse të gjithë klientët e bankës që marrin shërbime në sportelet e saj, por edhe institucionet që paguajnë pagat nëpërmjet këtyre sporteleve.
Rregullimi i marrëdhënieve mes klientit e bankave tregtare është një çështje ligjore që zgjidhet nëpërmjet kontratave individuale bankë-klient.
RTSH i kërkoi bankës tregtare nëpërmjet shërbimit të saj call centër një shpjegim për këtë nismë të bankës, që sigurisht është në të drejtën e kushteve të saj të punës me klientët. Ne nuk gjetëm në faqën zyrtare të bankës pikërisht njoftimin për këtë ndryshim tarifash. Banka tregtare në fjalë nuk u përgjigj kërkesës, por kërkoi vetëm gjeneralitetet e gazetarit që u interesua për dukurinë.
Gjithsesi në web-in zyrtar, në kutinë “tarifat dhe kushtet”, gazetarët nuk gjetën njoftimin me sms të bankës.
Në një njoftim të mbërritur në redaksi vihet re se për tërheqjet nga llogaria personale e individit dhe biznesit për shumat nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë lekë komisioni nga zero lekë bëhet 150 deri 500 lekë. Mbi këtë kufi shume, komisioni bëhet 1500 lekë.
E njëjta shumë paguhet edhe në rast se klienti depoziton kursimet e tij në këtë bankë tregtare, pra nga zero lekë aktualisht, në 2 shtator të këtij viti paguhet nga 100 deri në 1200 lekë.
Edhe depozitat kundrejt individëve dhe palëve të treta, komisionet ndryshojnë nga 125 lekë në 350 lekë dhe nga 250 lekë në 450 lekë.
Ky ndryshim, apo dyfishim i tarifave ka krijuar një lloj paqartësie të klientët e bankave, individe apo biznesë për sa kohë ata nuk gjejnë shpjegimin ligjor në faqen zyrtare të bankës.
Edhe në Shoqatën Shqiptare të Bankave nuk ka një shpjegim, as Banka e Shqipërisë nuk e çan kokën farw. Shpjegimet e paplota kanë krijuar paqartësi të klientët e bankave tregtare, që po shohin si alternativë ndryshimin e subjektit bankar.