Kujdesi për bebet në verë| Këshilla të vlefshme për prindërit

Stina e verës shtron pyetjet më të shpeshta e ngre dilemat për prindërit e rinj dhe jo vetëm, për kujdesin ndaj foshnjave dhe fëmijëve.

Ka gjithmonë një diskutim të gjerë se kur duhet të përdorni krem mbrojtës kundra diellit. Kremi këshillohet të përdoret duke filluar nga muaji i 6 i jetës. Duhet të aplikohet gjysmë ore para se bebi të ekspozohet në diell. Ndiqni rregullin e artë: “Sa më i vogël fëmija dhe e gjatë koha e ekspozimit, aq më i lartë duhet të jetë faktori SPF mbrojtës. Këshillohet shmangia e produkteve mbrojtëse në kombinim me ato kundër insekteve.

Rrezet e diellit janë shumë të dobishme pasi nxisin prodhimin e vitaminës D, por ekspozimi duhet të bëhet në mënyrë graduale. Prindërit duhet të shmangin oraret e pikut të vapës 10.00 deri në 16.00 të pasdites; pasi intensiteti i diellit dhe rrezatimi është i dëmshëm, Kështu evitohet dehidrimi, skuqjet apo djegiet e lëkurës dhe në vazhdim ulni rrezikun e shfaqjes së formave të kancerit të lëkurës.

Praktika të tjera, që i vijnë në ndihmë fëmijës tuaj, janë veshja me rroba të lehta (lino ose pambuk) me ngjyra të çelëta, sepse nuk thithin rrezet e diellit.

Freskojini shpesh kokën ose të gjithë trupin me ujë në një temperaturë normale. Hidratimi është rregulli i artë që duhet ndjekur me përpikmëri për të zëvendësuar lëngjet e humbura nëpërmjet djersitjes. Në rast të temperaturave të larta, për nënat që ushqejnë bebet me gji këshillohet një rritje e intensitetit të gjidhënies sa herë që fëmija e kërkon apo për rastet e ushqyerjes me qumësht formule të kontrollohet dhe ruhet në kushte të përshtatshme. Në moshat mbi një vjeç, të dobishme mund të jenë edhe pijet të cilat përmbajnë kripëra minerale.
Ajrosja e ambientit në mënyrë konstante dhe përdorimi i kondicionerit në temperatura normale 23-24 gradë ndihmon në mirëqenien tuaj dhe të bebit tuaj.