Rikonstruksioni i teatrit modern Globe, një model për Shqipërinë


Nga Ana Pekmezi

Teatri Globe në Londër është një rikonstruksion pothuajse ekzakt i teatrit të ndërtuar në vitin 1599 nga trupa aktoriale e Shekspirit. Mbi rrënojën e teatrit të vjetër, të djegur në zjarrin e vitit 1613, ndërtohet teatri i dytë, i cili do të mbyllet përfundimisht në vitin 1642.

Rikonstruksioni i teatrit modern Globe, i cili sot ndodhet shumë pranë vendit të teatrit të parë filloi në fund të viteve ’80, pas një pune shumë të gjatë kërkimore. Pavarësisht teknikave e mundësive të kohës, ishte e një rëndësie thelbësore që teatri i ri të ish një riprodhim sa më autentik i teatrit ku kish luajtur Shekspiri, në formë e në frymë.

Teatri i ri Globe, i përuruar në vitin 1997 është ndërtuar me skelet druri lisi, të lidhur me kunja druri e gozhdë. Teknikat dhe mjetet që u dhanë formë elementeve konstruktive ishin të njëjtat që përdornin mjeshtrat zdrukthtarë në kohën e Shekspirit. Mbulimi u bë me çati tradicionale kashte, e cila megjithëse u lye me lëndë speciale zjarrduruese, mbetet e para dhe e vetmja çati kashte që është lejuar të ndërtohet në Londër që prej zjarrit të madh të vitit 1666. Shtresa e jashtme e mureve është prej suvaje me rërë, gëlqere dhe lesh dhie si lidhës.

Kushedi sa të indinjuar duhet të jenë aktorët që detyrohen të luajnë në një teatër të tillë, aspak bashkëkohor e të ndërtuar prej kësi materialesh jorezistente e aspak “fisnike”..