Zëri i Amerikës raportim të thatë për 3 vjetorin e Reformës në Drejtësi

Në Shqipëri sot kujtohet tre vjetori i miratimit të ndryshimeve kushtetutese që I hapën rrugë Reformës së thellë në sistemin e Drejtësisë, i konsideruar si ndër më të korruptuarIt në vend.

Parlamenti bëri sot publik botimin e dy vëllimeve të posaçme në të cilat janë përmbledhur aktet zyrtare të procesit të reformës. Në një takim ku merrnin pjesë drejtuesit e parlamentit, anëtarët e komisionit ad hoc të reformës si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që ndihmuan në procesin e realizimit të saj, kryetari Gramoz Ruçi theksoi se “Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme”.

Nga ana e tij, deputeti Fatmir Xhafa, i cili drejtoi të gjithë procesin e Reformës, deklaroi se me anë të saj “po ngrihet mbi një bazament të ri, jo thjesht një institucion, por një pushtet tërësisht i ri, paralelisht me funksionimin e pushtetit të vjetër e të korruptuar”.

Në një postim në Facebook, presidenti Ilir Meta, i cili ka drejtuar kritika të ashpra ndaj mënyrës së zbatimit sipas tij të Reformës në Drejtësi, u shpreh se ndihej “krenar që 3 vjet më parë, në detyrën e Kryetarit të parlamentit, kishte këmbëngulur për miratimin me konsensus të plotë të Reformës në Drejtësi, për të mos lejuar – siç thekson ai – kapjen e sistemit përmes ndryshimeve kushtetuese”

Ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes Twitter-it, nënvizoi se “3 vjet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, mjafton të shohësh e të dëgjosh armiqtë e saj, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë Europiane”, shkruajti zoti Rama.

Në mbrëmje pritet të zhvillohet një tjetër aktivitet ku është parashikuar dhe pjesmarrja e Genoveva Luiz Calavera-s, Drejtoresha për Ballkanin në Bruksel, e cila drejton dhe Operacionin ndërkombëtar të monitorimit, organin që ndjek nga afër zbatimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.