Më 22 korrik 1649, Lindi Papa Shqiptar Klementi XI

Më 22 korrik 1649, lindi Giovanni Francesco Albani, i njohur si Papa Klementi XI (nga 23 korriku 1700 deri në vdekjen e tij më 19 mars 1721), Papa i parë me prejardhje shqiptare.

Papa me origjinë shqiptare, Klementi XI ( Gjon Françesk Albani) lindi më 23 korrik 1649 në Urbino dhe vdiq më 19 mars 1721 në Romë). Ishte papa i 243 i kishës katolike. Shërbeu si papë që nga zgjedhja e tij më 23 nëntor 1700 dhe deri më 19 mars 1721. Në vitin 1660, pas kryerjes së shkollës fillore, shkoi në Romë për të ndjekur kolegjin romak. Studjoi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga papa Inoçenti XI u emërua sekretar i Brevave ( dekreteve papnore). Më 13 shkurt 1690 emërohet kardinal. Më 9 tetor 1700 zgjidhet Papë i kishës katolike.
Krenaria e origjinës shqiptare e Papës Klementi XI- Albani u shfaq në çastin kur u zgjodh Papë. Mbas emrit të tij Papnor, ai kërkoi që t’i vendosej mbiemrit të vet Albani, për t’i treguar botës mbarë se është shqiptar. Papa Albani në latinisht shkruhet: “Clementes Undecimo Albani Urbinas “ që shqip do të thotë “ Shqiptari Klementi XI nga Urbino “. Madje, sipas biografit të tij personal francezit M. Reboule, në emrin e tij të Papës, ai shikonte edhe emrin toponimik të fisit të shquar shqiptar të Kelmenit. Sipas biografit, Papa Françesku u emocionua shumë nga krenaria, kur mori vesh se si Papë, atij ju vu emri Klementi, jo për faktin se emri i tij “ Klementi “ kishte kuptimin (i miri), por për faktin se ky emër papnor përkonte me emrin e fisit të tij luftarak të Shqipërisë së Veriut, Kelmenin, nga kishte zbritur stërgjyshi i tij Mikeli. Konti i Kelmenit me luftëtarët e tij kelmenas i qe bashkuar ushtrisë së Skënderbeut në vitin 1447, kur ai rrethoi Danjën në luftë kundër Venedikut. Më vonë, dy djemtë e Mikelit, Gjergji e Filipi, gardistë të Skënderbeut, kelmenas, zbritën me ushtrinë e tij në vitin 1461, kur ai pati ndihmuar Ferdinandin e Napolit në luftë kunder Anzhuinëve. “ Për të gjallëruar marrëdhëniet me Mbretërinë e Napolit, si dhe për të siguruar më pas ndihmën për qëndresën e shqiptarëve ndaj turqve prej mbretit Ferdinand e aleatëve të tij, Papa Piu II dhe dukës së Milanos, Françesk Sforcës, të cilët formonin bllokun politik më të fuqishëm në Itali, Skënderbeu gjykoi t’i jepte ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand në luftën që kishte shpërthyer midis tij dhe kundërshtarëve të vet politik, që ishin baronët e Italisë së Jugut. Këta ishin bashkuar me princin francez Rene të Anzhuinëve, të cilët pretendonin fronin e mbretërisë së Napolit. Skënderbeu pasi i shpartalloi forcat armike e siguroi pushtetin e Mbretit, Ferdinandi në shenjë mirënjohje për këtë ndihmë i dhuroi Skënderbeut, feudet e Monte Sant Anxhelos e të San Xhovani Rotondos si dhe një pension vjetor prej 1200 dukatësh. ”(“ H.P.Shqip.’’ V.I f 443 )
Skënderbeu e pati lënë në Urbano kontin kelmenas, bashkë me 30 gardistë për të mbrojtur kështjellat dhe tokat që i dhuroi Mbreti, ku pasardhësit e kësaj dege formojnë vazhdimësinë e dinastisë së Albanëve. Gjergji pati dy djem Antobelin dhe Hanibaldon. Po kështu Antobeli pati dy djem Oracin dhe Karlin. Karli është babai i Gjon Françeskos (Franit). E ëma quhej Elena ( Lena me origjinë shqiptare). Kjo familje ka dhënë një dinasti të shquar prelatësh, një papë dhe disa kardinalë, si dhe një radhë politikanësh. Për rolin e saj në histori, emrin e kësaj familje dhe pinjollëve të saj të veçantë, janë shkruar në enciklopeditë e shumta botërore. Për vendin nga e ka prejardhjen dinastia e Albanëve në vendin tonë, janë dhënë mendime të ndryshme. Për këtë fakt At Zef Valentini është më i sakti. Ai do të shprehet: “ Nji familje shqiptare- fis të Dukagjinëvet ose dalë prej feudëve të tyne e pikrisht prej Laçit, por s’dihet prej cilit Laç- ishte bartë në Itali… dija e virtyti e çuan në ma të naltën kambë të botës, në fronin papnuer; aty me emnin Klement XI shëndriti në botë si një ndër më të mirit papë të këtyne shekujve të fundit ; andej u dërgonte urdhna ipeshkëvet shqiptarë e i drejtonte n’atë Koncilin e Arbërit që nisi të përtrimit moral të Shqipnisë veriore; andej rrokej që t’u vinte në ndihmë kelmenasvet, që kishin çue krye kundër turkut.’’ ( At Valentini ‘’Vepra III ‘’ f. 75)
At Valentini nuk gabon, kur thotë : “ Familja Albani i përket fisit të Dukagjinit ose e dalun prej feudalëve të tyne”. Në shekullin e 15 kontea e Kelmenit ishte pjesë e zotërive Dukagjinas. Madje deri vonë malësorët e Malësisë së Madhe të ulur në Breg të Matit e sidomos kelmenasit e kësaj Malësie janë quajtur “ Lekët “, për nderë të Lek Dukagjinit me të cilin ata patën luftuar kundër osmanëve. Emrin Laç që përdor studjuesi, ai e vë në dyshim, se cilit Laç i përket kjo familje. Përjashtohet emri Laç i Kurbinit, sepse n’atë kohë ishte domen i Kastriotëve dhe jo i feudalëve Dukagjinas. Po të merret llagapi i Albanëve, Laç, në të vërtetë në dokumentat latine shkruhet “ Laze “, shqip Lace. Emër toponimi që edhe sot, që nga koha e Mesjetës, ndodhet në Rozhajë, djepi i Kelmenit, ( Lace e Rozhajës). Por më i saktë është llagapi Laze ( Lac) i Albanëve, Mikel Lace- emër njeriu e jo toponim, i përdorur shumë deri më sot tek kelmanasit. Ka kuptimin e djalit, lindi me lac, që do të thotë lindi djalë . Sot gjenden mjaft emra e mbiemra tek kelmenasit Mbishkodër e Nënshkodër , që quhen “ Lac “. Madje Valentini, informon se: Papa Klementi XI: “…andej u dërgonte urdhëna ipeshkëve shqiptarë e i drejtonte n’atë Koncilin e Arbërit që nisi të përtrimit moral të Shqipnisë veriore, andej rrokej që t’u vinte në ndihmë kelmenasvet, që kishin çue krye kundër turkut.’’ At Gusepe Valentini, po këtu në veprën e tij të tretë, në pjesën “ Venecia dhe Shqipëria “ (f.25), na vë në dukje interesimin e madh të Papës Klementi XI, që të shpëtonte kelmenasit kryengritës nga raprezaljet e osmanëve, duke i propozuar Venedikut edhe shpërnguljen e tyre në një provincë veneciane, për të cilën publicisti italian na dëften se: “ Papa i Romës (Klementi XI) i lutej Zonjës (Venedikut ) t’i vinte në ndihmë fiseve të Kelmenit, duke marrë prej saj edhe premtimin për një mërgim të sigurtë, nëse nevoitet, të popullsisë në Kataro.’’ Të gjitha këto fakte tregojnë lidhjet e forta shpirtërore me gjakun e t’parëve nga rrjedh Papa Klementi XI dhe dobësinë e madhe që Papa në Romë kishte për Shqipërinë dhe fisin e tij luftarak të Kelmenit nga e kishte prejardhjen vetë. Shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementi XI për të bashkuar krishterimin, dha rezultat të mirë në Shqipëri, ku kisha katolike romake dhe ajo ortodokse bashkëjetuan për një periudhë. Klementi XI, u interesua shumë për rilindjen politike e fetare të atdheut të vet. I përket asaj periudhe, mbajtja e Koncilit të Arbërit, “ Këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar “ ( 1703) i cili shënoi ndryshime rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjen dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.
Me 14 janar 1703 u mbajt “ Kuvendi i Arbërit “ në Mërqi të Lezhës, në Kishën e Shën Gjonit, me nxitjen dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë të Papa Klementi XI-Albani. Ky kuvend ishte më i rëndësishmi që zhvillohej në Shqipëri pas Kuvendit të Besëlidhjes së Skënderbeut në Lezhë. Kuvendi i Arbërit është absolutisht, mund të thuhet nga më të rëndësishmit në historinë kombëtare shqiptare. Problemet që ky kuvend trajtoi janë në tri rrafshe. Në rrafshin kanonik kishtar, doktrinor, në rrafshin organizativ-ekonomik dhe pragmatist si dhe në rrafshin arsimor dhe politik të kombit shqiptar dhe në këtë kuadër kishte tre objektiva kryesore : – Bashkimin e shqiptarëve dhe ndaljen e islamizmit, që kishte marrë dhenë. – Zbatimin e kanunoreve morale e kishtare nga ana e klerit katolik.
– Mbrojtjen dhe përdorimin, mësimin e gjuhës shqipe pranë kishave, si dhe kleri katolik të flasë e të predikojë shqip. Aty iu tha troç e shqip priftërinjve: “ A e dini gjuhën e shqiptarëve?” Tetë vjet më vonë, më 19 shkurt 1711, me “ Bulla Comnunis nobis”, Papa Klemeni XI urdhëroi të gjendej sa më parë një vend ku të mësohej gjuha shqipe. Gjithashtu caktoi një vend të përvitshëm në kolegjin e Propogandës Fide për djemtë e krahinave të Epirit. Merita më e madhe e tij ishte ngritja e kolegjit të Shën Mitër Koronës, ku u hap katedra e gjuhës shqiptare. Një degë e parë kjo universitare e gjuhës shqipe në Evropë dhe në botë .

Mark Uci