Haradinajt janë nga Berisha e Pukës të dalë prej shekujsh në Deçan

Nga Indrit Vokshi

Ato treva, Gllogjan, Strellc, Izniq, e krejt ai pellg, historikisht njihen si të banuara me njerëz kryeneçe, trima dhe rrebelë. Kanë luftuar me pashallarë e valij, me mytesarifë e naçallnikë. Janë thellësisht treva tradicionale e deri edhe të egra.

Me 24 mars 1998 forcat serbe iu kanë rrethuar shpinë në Gllogjan. Ramushi me babën Hilmiun, vëllezërit Shkëlzen (i vrarë), Dautin, Enverin (i vrarë pas lufte) (Luani vëllai tjetër u vra në kufi më parë), Frashërin dhe me motrën e tyre, kanë luftuar për disa orë. Kanë larguar nanën e gratë me fmi dhe kanë vazhduar luftën.

Në ketë përpjekje Ramush Haradinaj është plagosur në dy vende. Sipas babës së tyne, atë ditë i ka shpëtuar Shkelzeni i cili ka shkatërruar një tank me anti-tank dhe ata kanë ndërpre sulmin pak kohë.

Sapo ka ra pak nata, familja janë tërhequr për në Jabllanicë.

Pas lufte edhe Haradinajt janë përfshi në konflikte. Kush don me i mat me milimetra këto punë, smundet, se spo flasim për engjëj e qytetarë të mirë sipas normave europiane. Po flasim për shpia pushke të Dukagjinit. E shpiat e pushkës i kanë edhe këto kusuret e tjera – duhet me ua pa përmasën e plotë sociale e antropologjike. Kur të ndodhë që të luftojë qytetari snob me laptop e syze, do thomë që ishte luftëtar i qytetëruar me norma norvegjeze.

Mesa di, Ramushin e këshilluan që të mos bashkohej me PDK si komandantët e tjerë sepse do konfliktohej herët e vonë. A e këshilloi Mahmut Bakalli a kush, ska rëndësi. Fundja Mahmuti duke pas pi kafe me Titon, ka qenë ndër të vetmit që ka pas luksin me dhanë këshilla mbi politikën në një ambient me dominancë deliratësh.

Për gjeopolitikë të brendshme, në dhjetor 2004, Ibrahim Rugova e mori Ramushin kryeministër. Një mazhorancë me LDK-në e Rugovës me krahun e butë e gati profesorial dhe me AAK-në e Ramushit të luftës, dukej mazhorancë e fortë dhe ndoshta jetëgjatë.

Mesa duket agjenturat funksionuan. Pas 100 ditësh kryeministër, Ramush Haradinaj në 2005 thirret në Hagë. Jep dorëheqjen dhe shkon në Hagë.

Qeverisja e tij në Kosovë së fundmi, ska qenë e pritur për të qenë qeverisje ekselente manaxheriale. Të paktën unë se kam pritur të jetë e tillë sepse e di që Haradinaj nuk mund t’i ikë aq larg backgroundit të tij traditor e social. Ramushi do i ketë me vete gjithmonë “djemt e Dukagjinit” të cilët do i japin kosto në qeverisje. Mirëpo ka qenë qeverisje e akteve të forta.

Me sjelljen e tij Haradinaj nxorri zbuluar shumkënd që u tuske para çdo kryetari ojf-je e sekretari ambasade. Nxorri gjithashtu zbuluar një klasë politike të Kosovës, jopjellore, më e rrezikshme dhe më e dëmshme se konstrukti zakonor dhe dëmi që ky konstrukt zakonor shkakton. E keqja e sofistikuar e të tjerëve, dëmton më shumë se “mangupizmi” zakonor e fshatar.

Personalisht nëse i kam këto si opsione, zgjedh konstruktin zakonor para të keqes së sofistikuar dhe thellësisht të dorëzuar në rrjetet agjenturore anti-shqiptare.

Urojmë që Haradinaj të kthehet korrekt, për vete e familjen e vet së pari. Ai do të mbetet në histori e legjendë për ne shqiptarët. Se nëse bijt e ojf-ve nuk e dinë, le ta mësojnë, që historia nuk pranon sofizmat dhe microsoftin social. Historia është më miqësore për të pranuar njerëz si Haradinaj, megjithë çfarë përfaqëson ky njeri, të mira e të këqija.

more recommended stories

loading...