Çfarë mendimi ka Lejlaja dhe Luixhi për Joanën, Gjushin dhe Bonën e Durrsit!

Le të mendojmë për një çast sot sikur jemi nga Durrësi dhe jemi ulur në një kafe në pasdite. Muhabeti bie te Valbona Sako, kryebashkiakja e re. Ajo ka marrë mandatin sot nga Gjykata.

Ia dha Rama mor burrë. Dërgoi letrën për mandatin dhe kta me vrap e miratun. 
Ja një fjali që mund ta dëgjosh fare kollaj.

Ka ndërhyrë Gjushi te gjykatësja. Se do mbyllte punën që nisi Rama se s’duan që të hapet kjo loja e gjykatave. 
Ja një tjetër.

Po flet vallë dikush për drejtësinë e vendimeve të tilla? Një ditë gjykata i thotë Jo Valbonës, një ditë i thotë Po Partisë. Vetë znj. Sako u trehua korrekte: deklaroi se do apelonte.
Nuk e lanë. Nuk mundet t’i biesh kaq gjatë, duhet të jesh më i zgjuar. Grupi i gatshëm i juristëve që shërbejnë për të mos i prishur qejfin kryeministrit kanë gjetur një tjetër zgjidhje: kërkesën e bën PS-ja, pra kemi kërkues të ri, ndaj gjykata duhet ta shqyrtojë sërish. Edhe pse kemi të njëjtën çështje dhe nuk ka elementë të rinj.

Ndoshta e kemi gabim. Ndoshta ka ndonjë jurist firaun që shkon e gjen një nen, një pikë, një vendim të iks vit dhe na e përplas në fytyrë. Ne flasim si durrsakë, me të dëgjuar. Gjykata njëherë flet për një gjë, nuk ndërro kshu.

Por jetojmë në kohë të tjera.
Mund të ketë durrsakë që mendojnë se znj. Sako nuk mund të jetë kryebashkiake. Ka të tjerë që mendojnë se ajo duhet të jetë. Në të njëjtën mënyrë mendon edhe gjykata: një pjesë e gjyqtarëve na thotë që ajo është, një tjetër se ajo nuk është. Si t’ia bëjmë kësaj pune?

Ka vetëm një zgjidhje. Çdo shqiptar i mirë, ai që e do vendin e vet, nuk rri kot, por niset e pyet një ambasadë. Të pyesim Luixhin, Bertin, apo Berndin e OSBE-së, të na japë një mendje ajo e SHBA-së që i mbaron emri me Moses, të dalë gjermania, britaniku, austriaku. Të flasin e të na sqarojnë se çfarë është znj. Sako që ne t’i vëmë kapak kësaj pune. Sepse po e thanë këta, pavarësisht sesi do e thonë, edhe njerëzimi i Durrësit do të ulet e të qetësojë kurziozitetin akademik: është apo nuk është, sepse “tashi e ka thonë amerikoni”.

Ndaj edhe ne të tjerët duhet që të bashkohemi me këtë krizë legjitimiteti e të kërkojmë në një zë: Luixhi, Bernd, austriako, gjermano, hollandezë, anglezë, soj e sojlij ambasadash jepini dum kësaj pune! Flisni para gushtit të pushimeve, Ju që flisni për çdo gjë në këtë vend ku kanë hipur lart ata që lypin hijen tuaj. Ose në mos flisni vetë, lëshoni ndonjë mesazh me zarat në media. Se është e sigurtë që do e kuptojnë menjëherë të gjithë. S’ka dyshim për këtë.