Maturantë, zgjidhni tregun e 2025-ës, jo arsimin e 2019-ës

Nga Edlira Gjoni, Pedagoge

Koha e zgjedhjes universitare: Do bëhem arkitekt, apo jurist? Diplomat, apo kirurg? Rreth 35 mijë studentë futen në vit të parë e po kaq diplomohen çdo vit nga universitetet shqiptare. Shiheni të vërtetën në sy.

Shqipëria nuk ka nevoje për 35 mijë mjekë e juristë e shkencëtarë politikë në vit. E në 2025 tregu nuk do jetë Shqipëria, por ashpërsia rajonale e kontinentale.

Përgatituni me kujdes, që të qëndroni mbi ujë. Zgjidhni degët që ju aftësojnë, jo ato që ju japin status imagjinar…

…..

“Mos zgjidhni sipas dëshirës, por sipas kërkesave të tregut të punës” – sapo lexova thirrjen që një person publik u bënte maturantëve që përgatiten për të zgjedhur degën e studimit.

“Më thuaj ku mund të konkurrojë djali, që të marrë një shkollë që i shërben” – më tha para pak ditësh një njeri i afërt. Shkollën e donte jashtë. Me bursë.

Çfarë më sjellin në vëmendje këto dy momente e shumë të tjera të ngjashme me to?

Kapërcimi nga shkolla e mesme në të lartën vazhdon të jetë moment kyç në jetën e 18-vjeçarëve shqiptarë, po aq sa edhe në atë të prindërve të tyre. Arsimi i lartë është status social, dëshirë e djegur e brezave me radhë, e një farë detyrimi i marrë si i mirëqenë nga çdo maturant shqiptar.

Të gjithë duan të vazhdojnë shkollën, edhe pse pak e dinë se si e ku do e përdorin atë. Moda është të kenë status. Punë të mirë. Të punojnë në shtet. Të bëhen drejtorë!

Po si është situata, raporti vende bosh me të sapodiplouar në tregun tonë? Dhe a duhet që sot, në vitin 2019, maturantët të zgjedhin degë e të përgatiten vetëm për realitetin shqiptar?

Rreth 36 mijë e 500 maturantë kanë dhënë provimet shtetërore ketë vit. 34 mijë të diplomuar kanë dalë nga universitetet, publike e private, bachelor dhe master.
34 mijë të sapo diplomuar që nuk dinë ku do i gjejë shtatori, e po kaq të tjerë që do futen nga maturantët e sapo-provim-kaluar, që nuk dinë kë degë të zgjedhin për më tej.

Ç’do të thotë këshilla “Arsimohuni sipas kërkesave të tregut të punës”? Çfarë kërkon tregu i punës? A është e ardhmja e kufizuar vetëm në Shqipëri?

Në sektorin publik ka vend për 20% të forcës së punës në vend. Nga 1.4 milionë njerëz në forcë aktive pune, “puna në shtet” ka vend vetëm për 120 mijë, përfshirë këtu mirëmbajtësit dhe rojet edhe në zonat e largëta. Ndaj, vendet e lira nuk janë për të sapo-diplomuarit. Janë ose për “ekselentët” (çfarëdo që do të thotë kjo fjalë e sido që i përcaktojnë përftuesit e çuditshëm të saj), si edhe ata pak studentë me lidhje nepotike apo partiake nga secila prej partive që është në pushtet.

Pra sektori publik ngelet i vështirë. Aq më mirë!

Tek sektori privat, kërkesat më të mëdha në tregun e punës sipas INSTAT janë për degët bujqësi, prodhim, shërbim, ndërtim e industri të tjera. Pra 85% e vendeve të punës, nëse ka, janë për këta sektorë.

Cili është problemi? 85% e maturantëve nuk i futen studimeve as për bujqësi, as për prodhim, por për marrëdhënie ndërkombëtare e për shkenca politike.

Edhe ata pak nxënës që zgjedhin profesionet më pak të dëshiruara, ose hyjnë tek performuesit më të dobët në provime, ose përfundojnë në këto degë se nuk arrijnë dot të kualifikohen tek të tjerat.

Këtu ka një gabim të madh: të rinjtë sot nuk mund ta shohin më shkollën shqiptare si vetëm për tregun tonë të punës. Konkurrueshmëria duhet të fillojë që tani, tek provimet e maturës, e të vijojë në universitet edhe sikur të regjistrohen në Bimë Arash apo Sëmundje Bagëtish të Imëta.

Pse? Sepse tregu pas 5 vjetësh nuk do jetë më ai shqiptari.

Diploma e shkencave politike do jetë një barcaletë për bashkëmoshatarët e vendeve të huaja, kurse diploma specifike që ju bën ekspertë në një fushë ku ka nevoje tregu europian, ju ndihmon më shumë.

Mbi 1500 të rinj kanë ikur vetëm këtë vit nga Shqipëria me kontrata të rregullta pune për në krociere apo staf në linja ajrore ndërkombëtare. Atëherë, nëse tregu kërkon dhe të jep mundësinë të punësohesh në një kompani ndërkombëtare në këtë fushë, përse duhet t’i futesh sot Fizikës Bërthamore apo Arkitekturës? Futu vetëm nëse je super i shkëlqyer jo për sytë e botës, por nëse je vërtet ashtu pasi bisedon fshehurazi me veten dhe pranon potencialin tënd të vërtetë.

Nëse nuk ia thua nga matematika fizike, studio turizëm, manaxhim, komunikim. Përgatitu për tregun e punës që do të pranojë ose jo në sajë të konkurrueshmërisë që shfaq në raport me punë-kërkuesit e tjerë, veçanërisht bashkëmoshatarët që vijnë nga formime e universitete më rigoroze e janë të përgatitur më mirë sesa ty.

Shqipëria nuk ka treg pune solid, as të madh, as akomodues për 35 mijë vende të reja pune në vit që vijnë nga universitetet! Harrojini fjalët e bukura të politikës. Lërini rehat xhepat e prindërve. Nuk ka punë drejtor 20 vjeç për të tërë!

Ndaj, më mirë mendoni përtej stereotipave sociale e pritshëmrive mediatike apo shoqërore për ju.

Pajisuni me aftësi. Praktikoni e përsosni anglishten, gjermanishten, kinezcen e japonezcen po e deshi puna. Pas 5 vitesh, e ardhmja nuk është në një vend, por në shumë. E që të qëndroni mbi ujë, ju duhet të dini të notoni shumë stile, që të mos lodheni e mbyteni shpejt.

Në tregun e konkurencës dhe aftësive nuk ka mami e babi.
Nuk ka parti. Nuk ka 3 mijë euro për një vend pune. Duhet të jesh i aftë vetë.

E kjo aftësi fillon sot, nga guximi për të parë të nesërmen në sy e t’i thuash vete “Jo! Nuk vendos juridikun të parin. As marrëdhëniet ndërkombëtare. As Administrimin! Do vendos Informatikën! Infermierinë. Inxhinierinë mekanike. Kiminë ushqimore. Zhvillimin rural”

Vendos diçka që ke bindjen se do jesh në gjendje ta bësh dhe më kryesorja, që do të bëjë konkurrues në tregun jashtë Shqipërisë nesër.

Pas 5 vitesh do jetë vonë! Vendos tani dhe vendos me vërtetësi, jo me prepotencë boshe, që pas 5 vitesh të mos i shtohesh numrit të mbi 35 mijë të diplomuarve çdo vit që nuk dinë ç’të bëjnë me diplomat që nuk hapin dot dyer.

Dera e të nesërmes është tregu rajonal e global! Përgatitu sot, që të mos jesh viktimë nesër!

Edhe për bujk në Gjermani shanset më të denja do i kesh nëse njeh edhe gjuhën, edhe sezonin e mbjelljes, rritjes, rrezikut, shpëtimin e maksimizimit të prodhimit të bimës.

Prandaj, pajisu me aftësi dhe fillo të krijosh dinjitet që sot. Nëse je gjeni e duhet të bëhesh patjetër doktor, bëhu. Por nëse e ke mendjen tek celulari, nëse ngrihesh në orën 11 të drekës e nëse të duket që 18 vjeç vetja i mençur, bëji nder vetes e shko në Kamëz! Madje, edhe atje duhet të çohesh që në 6.00 e të studiosh fort, nëse do që nesër të hahesh dhëmbë për dhëmbë me specialistët e vendeve të tjera që kanë mbaruar të njëjtën degë si ty.

Ki parasysh: Shqipëria nuk ka nevojë për 35 mijë doktorë, farmacistë, juristë apo politikanë e diplomatë në vit. Ka vende maksimumi për 100 të rinj në vit.

Të tjerët, o burra shpëtoni veten. Zgjidhni degë që ju përgatisin për detin me dallgë jashtë tregut tonë të vogël e inekzistent për diploma universitare!

Prandaj, suksese të gjithëve e bëhuni profesionistë të zotë e njerëz të mirë, në cilëndo fushë që zgjidhni të jeni kontribues, e jo përfitues!

Të denjë ju bën karakteri, jo universiteti!

Suksese!