Dy fjalë për faturën që bëri namin në Sarandë


Nga Ermal Telhai

Po e bëj këtë reagim totalisht personal dhe pasi ka kaluar “uragani i mllefit portalor”.
Shoh një histeri të madhe kolektive me modelin e fleterrufeve të kohës së qoftëlargut, që linçojnë një biznes për shkak të çmimeve. Puna e çmimeve në një ekonomi të lirë nuk i takon ankuesve, por ekuilibrit që vendos kërkesë – oferta dhe për ata që mendojnë se subjekti në fjalë ekzagjeron me çmimin e produkteve apo shërbimeve, ka një rrugëzgjidhje më të vlefshme sesa mllefi publik, është refuzimi i atij biznesi.
Unë personalisht nuk e di se cili është biznesi në fjalë, as nuk më intereson ta di e aq më pak ta njoh, por ajo që ka rëndësi për mua është:
Subjekti në fjalë ka dhënë kupon tatimor për shërbimin, ku specifikon produktet dhe çmimet respektive, kështu që para se t’i hedhim baltë, duhet t’i jemi mirënjohës që një pjesë të këtyre të ardhurave e ka çuar në buxhetin e shtetit. Merruni paraprakisht me ata që japin copa letre me shkrim dore si fatura, sepse ata janë hajdutët më të rrezikshëm të xhepave tanë. Madje ky subjekt, deri në momentin e asaj faturë ka lëshuar jo pak por 112 kupona tatimorë. Kjo tregon që klientët e zgjedhin.

Pyetje që më lindin natyrshëm:

A ka pyetur ndokush se sa është investimi i kryer i këtij biznesi para se të hidhte helmin publik?!
A ka menduar ndokush se sa vite i duhet atij biznesi për të shlyer investimin e bërë dhe pastaj të arkëtojë ndonjë fitim?!
A ka pyetur ndokush se sa punonjës paguan ai subjekt dhe sa i paguan?! Janë familje që ushqehen e jo thjesht shifra.
A ka pyetur ndokush se sa vështirësi kalon një operator biznesi turistik për të na zbardhur faqen me turistët e huaj dhe shqiptarë që pushojnë në Sarandë e kudo tjetër?!
A ka menduar ndokush nga ankuesit që para se të shfryjmë mllefin, duhet të reflektojmë se si t’i japim një dorë mbështetëse biznesit vendas e jo të bëjmë gati shkelmin drejt greminës sa herë na jepet rasti?!
A do ta kuptoni ndonjëherë që sallata në një restorant nuk është vetëm domate, qepë, speca e djathë, por shumë më tepër?!
A do ta kuptoni ndonjëherë që “Fileto mishi vendi” (meqë ishtë produkti që habiti) nuk është kafsha e gjorë e kaluar në duart e kasapit, por shumë mund, sakrificë, shkollim dhe trajnim i stafit deri sa vjen në pjatën tuaj?!

Nuk është hera e parë që reagoj për një gjë të tillë, por nuk do arrij kurrë ta përtyp pse kemi kaq energji negative ndaj motorrit kryesor të ekonomisë që është biznesi, e kaq pak guxim për të kërkuar llogari mbi abuzuesit me taksat tona. Pse edhe pas 30 vitesh demokraci vazhdojmë traditën e poshtër të fletërrufeve?! Pse tentojmë ta gjejmë armikun aty ku nuk është?!
Nuk e di se sa e njohin ankuesit hapësirën turistike përtej kufijve tanë, qoftë në Mal të Zi, Greqi, Kroaci, për të mos marrë si referencë Italinë sepse vërtet është disa fish më shtrenjt, por edhe në tre të parat, çmimet janë goxha më të larta.
E di që merrni më tepër likes në Facebook duke sharë e pështyrë mbi sipërmarrësit, por thirrini mendjes dhe kuptoni që sipërmarrja e mban gjallë ekonominë tonë familjare dhe pa ta, do ishim shumë më keq nga sa jemi!

Turpërohuni para vetes dhe të tjerëve kur hidhni fletërrufetë në rrjet, mos u turpëroni kur kërkoni të dini çmimet para se të vendosni të qëndroni në restorant. E bën gjithë bota perëndimore dhe askush nuk ka turp të informohet paraprakisht, sepse e respektojnë xhepin e tyre dhe punën e sipërmarrësit që ofron shërbimin.

Ç’brumosuni nga komunizmi, kemi 29 vite që e shporrëm!

more recommended stories

loading...