Fantazma e ligjit të medias

Një fantazëm qarkullon këto ditë në mediat e Tiranës -fantazma e ligjit “Endri Fuga”.

Fantazma ka tmerruar jo vetëm gazetarët opozitarë “të kazanit”, të cilët e kanë provuar mbi shpatulla kamzhikun e Ramës, por edhe Fantoçët e mediave të tepsisë kryeministrore.

Shqipëria, thonë ata, është në prag të një kushtetute. Projektligji, vazhdojnë të thonë, është anti-kushtetues dhe shkatërron parimin e lirisë së fjalës.

Ata kanë të drejtë. Projektligji i ri mbi mediat është anti-kushtetues. Është totalitar. Kryeministri timonier ka vendosur t’i japë fuqi AMA-s që të funksionojë si Gjykata Supreme e Lirisë së Shprehjes. I ka dhënë të drejtën AMA-s të gjykojë mbi bazën e fajësisë, jo mbi prezumimin e pafajësisë. Në pak fjalë, gazetari dhe media, është i inkriminuar që në krye të herës apo më saktë një i pandehur i prezumuar fajtor.

Kjo gjëmë nuk është një meteor i rënë në qiellin e hapur të Shqipërisë së lirë. Të habitesh apo irritohesh se Rama po ndërton një gjykatë të lirisë së shprehjes, kur ai vetë është kthyer në mbretin me atlete, që dënon prokurorë dhe gjyqtarë publikisht përpara se të kalojnë vetingun është thjesht qesharake. U bënë rreth 3 vjet që Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi, si dhe 7 ligjet e famshme të institucioneve të vettngut.

Shqipëria sot nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, ka një proces të diskretituar vettingu, ka një kryeprokurore të përkohshme hibride ndërkombëtaro-socialiste si dhe një parlament kukull të mbështetur nga specia superendemike, por fatmirësisht në zhdukje, e ndërkëmbëtarëve të Tiranës.

Institucionet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen dhe që me gjasë do të jenë të pavarura po aq sa do të jetë e lirë gjykata e lirisë së shprehjes të AMA-s, kanë shtuar frikën në media.

Duket se errësira ka nisur të mbulojë edhe më kokëfortët ndër ata që besonin tek projekti Rilindjes.

Në një realitet të tillë gazetarët edhe mediat sot gjenden përballë një superfuqie, në duart e një presidenti gjysma e të cilave e kanë dashur të “varur” në litar si Musolini dhe me një sy nga opozita të cilën e kanë përbuzur.

Ata sot ndjejnë jehonën e fjalëve të famshme që përshkruan thelbin e nazizmit, e që po i përshtasim për të përshkruar atë që pritet të ndodhë këtu – në fillim erdhën për prokurorët, por unë nuk fola se ishin të korruptuar, pastaj për gjyqtarët por ata ishin të Saliut, pastaj erdhën të më kërkonin mua, dhe s’kishte mbetur më askush që të më gjendej pranë.

Qershia mbi tortë është heshtja ekselente e Ambasadorit të BE-së dhe e të ngarkuarës me punë e Ambasadës Amerikane. Gazetarët janë ndjerë të vetmuar këto ditë, miqtë e tyre ndërkombëtarë që shpenzojnë edhe kafe e dreka, të cilët shpesh herë u japin dhe fonde të majme disa milionëshe kanë vendosur të kalojnë në heshtje këtë shqetësim. Disa prej tyre, me ironi të thonë se shqetësimi kryesor i Sorekës nuk është liria e shprehjes së gazetarëve shqiptarë por Reforma në Drejtësi dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese si dhe krijimi i GJLP (Gjykata e Lartë e Përkohshme).

Shqetësime të cilat i bashkëndan, aspak rastësisht do thoja, edhe zotëria ekstravagant, kryeëngjëlli Agaçi.

Ky i fundit, sa herë që ngacmohet për çështjen e projektligjit të tregon me gisht herë Endri Fugën, herë deklaratën e zotit Palmer i cili fton palët t’i drejtohen Gjykatës së re Kushtetuese të dalë nga reforma e drejtësisë por pa u filtruar në proces Vettingu.

Një gjykatë e cila do të jetë eficente sa hibridi Marku që sot udhëheq lavdishëm PPP-në e parë në drejtësinë shqiptare.

Përpara suksesit spektakolar të radhës që pret Edi Ramën pas shembjes të një ndërtese në sheshin “Italia”, lejen e ndërtimit të së cilës e kishte dhënë po vetë ai, e koston e të cilës duhet ta paguajmë të gjithë ne, ashtu siç paguam 11 milionëshin e vjehrrit të liderit të opozitës, pas dhuratës prej qindra milionë Eurosh që Rama i bëri Bechettit – dhuratë të cilën do ta paguajmë përsëri ne të gjithë, rradhën e ka asgjë më pak –por asgjë më shumë- sesa liria e medias.

Pasi monopolizoi gjithçka -nga bebelinat e fëmijëve tek konçensionet e rrugëve, Edi Rama do ketë në duar monopolin e mbylljes së grykës së medias. Me këtë ligj, Edi Rama padyshim do të jetë ai që do të qeshë mirë sepse qesh i fundit. Problemi i vetëm me atë që qesh i fundit, thotë Taleb, është se kush qesh i fundit duhet të qeshë i vetëm.