FAKTI: Hetimet për lidhjet finciare të partisë së Salvinit, me Moskën!

Prokurorët italianë kanë hapur një hetim në lidhje me pretendimet e ngritura për marrëveshje të fshehta financimi mes Rusisë dhe Lidhjes së Veriut, të drejtuar nga Zv.Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, pasi mediat raportuan mbajtjen e një takimi të fshehtë mes zyrtarëve rusë dhe Xhanluka Savoinit, një ndihmës i ngushtë i Salvinit. Të pranishmit në takimin në fjalë raportohet të kenë diskutuar për një marrëveshje nafte, e cila do të mundësonte transferimin e rreth 65 milionë dollarëve drejt Lidhjes së Veriut.
Ishte faqja e internetit e L’Espressos ajo që fillimisht raportoi, në shkurt të këtij viti, se Savoini ishte takuar me biznesmenë rusë, në tetor të 2018-ës, për një marrëveshje të mundshme që do të kanalizonte para drejt Lidhjes. Por këtë të mërkurë, portali Buzfeed publikoi një traskript të një regjistrimi audio të realizuar gjatë atij takimi, ku Savoini mund të dëgjohet duke diskutuar për marrëveshjen e naftës. Sipas artikullit të Buzfeed, gjashtë persona, tre rusë dhe tre italianë, u mblodhën në hotelin Metropol të Moskës për të diskutuar marrëveshjen në fjalë. Aty gjithashtu, përmendet fakti se një marrëveshje e tillë ështe e paligjshme, sipas ligjit italian. Asnjë nga këto media nuk mund të konfirmojë nëse marrëveshja ishte realizuar apo jo, pas takimit. Ndërkohë, Matteo Salvini, i cili e ka shkarkuar ndihmësin e tij, i mohoi këto pretendime, duke u thënë gazetarëve se partia e tij nuk ka marrë asnjëherë ndonjë rublë, euro, dollarë apo qoftë edhe ndonjë litër vodkë të financuar nga Rusia. Savoini u tha mediave këtë të enjte se kishte takuar një grup biznesmenësh, emrat e ta cilëve nuk i bëri publikë, por mohoi të ketë kryer ndonjë vepër penale. Sipas ligjit italian, partitë politike nuk lejohen të pranojnë donacione nga organizata të huaja.