Edlira Gjoni: Dilemë politike e gjinore

Nga Edlira Gjoni

Në një pyetje të thjeshtë që bëra në faqen time për karakteristikat e politikanes ideale në Shqipëri, nga 50 komente, vetëm dy dhanë përshkrime të tilla si: integriteti, principet, vlerat, besimi, frymëzimi etj.

Kurse pyetja “Cili është modeli femëror që mund t’ju sugjeroj studentëve” gjeneroi më shumë angazhim dhe përgjigje.

Veç atyre me shaka e romuze të gjetura, shumica e komentuesve sjellin me të drejtë sugjerime për të marrë si model nënat, motrat, vajzat, gratë madje edhe gjyshet tona të mira.

Pak nga të angazhuarit arritën të identifikojnë një personazh politik femëror për t’u marrë shembull dhe të përsëriturat janë Ermelinda Meksi e Musine Kolakalari.

Musinenë nuk kemi ku e gjejmë, por e mbesa për shembull po bën para, por në Suedi, jo në Shqipëri! Po njëlloj, për zonjën Meksi krejt papritur në Shqipëri nuk kishte etje për ta mbajtur me çdo kusht për të mirën e të gjithëve dhe sot ajo punon e jeton me stimën më të lartë profesionale në Vjenë.

E kur në politikën shqiptare nuk ka vend për këto, ç’mund të themi për modelet e nënave e gjysheve tona?

Pra ne e duam njeriun e mirë, të dashur, të përkujdesur, me zgjidhje përherë në majë të gishtave dhe me përgjegjësinë për ta mbajtur familjen bashkë (siç bëjnë nënat dhe gjyshet), por kur vjen puna për të drejtuar familjen e madhe me emër Shqipëri, nuk ka vend as për Musinenë e të mbesën, as për Ermelindën e ish-studentet e saj, e as për modelet e adhurueshme të nënave e motrave tona.

Ndaj dilema ime është: Studenteve të shkencave politike e vajzave të reja që duan të bëhen pjesë e politikës në Shqipëri, cilin model t’u sugjeroj të ndjekin?

T’u them siç kam vepruar, të jenë vetvetja, të drejta, të palëkundura, të punojnë fort, të mos lejojnë kthim pas, të kenë integritet, profesionalizëm, karakter?

Po këto karakteristika i kanë pra shembujt që më sollët vetë më lart, e asnjëra prej tyre nuk ka bërë dot përpara në politikën shqiptare. Janë eleminuar! Po eleminohen! Mbahen larg!

Të jesh “e mirë” ngel rrugëve, e madje edhe e sulmuar me gurë nga çdokush që i bie rruga aty! Nuk ka mundësi ndikimi!

Pra cilën rrugë të zgjedhin? Me integritet (e s’kanë për të qenë kurrë në krye), apo në politikë (e integritetit t’i mbajnë targën)?

Si mund të mbjellim disa modele të reja ku të jesh politikane do të thotë që njëkohësisht të jesh edhe e kujdesshme, e vërtetë, e përkushtuar, e pavarur në mendim dhe e pacënuar në integritetitn personal e profesional?

Si t’i bindim të rinjtë se të jesh njeri i drejtë sot, nuk është fatalitet?

Nëse vajzat vijojnë të jenë të vërteta, entuziaste, idealiste e me integritet, a do kenë shans të shkojnë deri aty sa të marrin vendime edhe për ne?

Se vajza e gra në politikë do vijojmë të kemi. Po këto idealistet e të duhurat, si t’i çojmë aty?

Mundimet në bisedë vazhdojnë….!