Sport | Tirana nuk ndalet në merkato, firmos me 3 futbollistë të tjerë

Tirana e çon në gjashtë numrin e firmave për këtë sezon. Edhe pse janë prezantuar vetëm 3. Pretendimet në rritje të kryeqytetasve kanë bërë që gjatë ditës së djeshme, organikës së trajnerit Mema t’i shtohen dy futbollistë të rinj dhe një lojtar i sezonit të fundit ka rinovuar.

Një sulmues dhe dy mbrojtës, janë vërtet lëvizjet e nevojshme për kryeqytetasit në prag të sezonit të ri. Ismael Dunga, Kostandin Karriqi dhe Eni Imami janë 3 firmat e bardhebluve në ditën e parë të kësaj jave.

ISMAEL DUNGA

Ismael Dunga është goditja e radhës në merkaton e bardhebluve. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi që përfundoi sezonin me Luftëtarin, është afrimi i radhës që shtohet në kontingjentin e Ardian Memës.

Bardheblutë kanë vuajtur në finalizim gjatë sezonit të fundit, teksa rastet e shumta për shënim nuk shfrytëzoheshin. 26- vjeçari nga Kenia ka qenë një dëshirë e stafit teknik dhe është realizuar nga presidenti.

Dunga u largua me polemika nga bluzinjtë, por ai la pas një sezon me 32 ndeshje dhe 10 gola, prej të cilëve shtatë në kampionat dhe tre në Kupën e Shqipërisë. Një përforcim i goditur për kryeqytetasit, teksa Dunga konsiderohet një nga sulmuesit e afirmuar në Kategorinë Superiore.

KOSTANDIN KARRIQI

Një ish-mbrojtës i Kombëtares Shpresa i shtohet Tiranës në sezonin e 100-vjetorit. Kostandin Karriqi është firma e radhës për kryeqytetasit, në prag të nisjes së sezonit të ri.

Mbrojtësi 22- vjeçar ka qenë pjesë e futbollit grek në vitet e fundit, teksa në sezonin që lamë pas ka qenë pjesë e skuadrës së Volos. 14 ndeshje dhe 1105 minuta numëron qendërmbrojtësi në sezonin 2018- 2019, në të cilin ka arritur që të shënojë edhe një gol me skuadrën që triumfoi në Ligën e Dytë greke.

ENI IMAMI

Tirana rinovon edhe një vit  me Eni Imamin. Ka qenë vetë qendërmbrojtësi që e ka njoftuar diçka të tillë në rrjetet sociale. Me anë të një postimi në rrjetin social “Instagram”, Imami ka bërë me dije se ka firmosur edhe për një vit me bardheblutë për të vijuar rrugëtimin me 24 herë kampionët.

Gjatë karrierës së tij, Imami ka qenë pjesë e Dinamos, e Laçit, Teutës, Kukësit dhe së fundmi e Tiranës. Imami ka fituar dy herë Kategorinë Superiore, një herë Kupën e Shqipërisë dhe 1 herë Superkupën e Shqipërisë.