Zoti President, ju që mbështetët Lalin nuk mund të na dilni AntiSorosian pikërisht tani

Nga Vëlla Shkumbini
Unë mendoj se antisorosizmi juaj nuk është i sinqertë Z. President, ose më mirë, unë mendoj se ju nuk po dilni antiSoros për të mbrojtur popullin tuaj.
Ju sot më shumë dukeni si një Sorosofob dhe duket sikur me të, me Sorosin, doni të krijoni një distancë sigurie, duke vënë në mes popullin tuaj.
Mendoj kështu sepse të jesh antiSoros do të thotë të jesh edhe anti gjithë atyre që duken si krijesa njerëzore, politike dhe ideologjike të tij.
Do të thotë të jesh antiRama, antiLali dhe antiBasha.
Do të thotë të jesh antiMjaft, antiKOP, antiRilindje.
A jeni i tillë ju Z. President?
Ndofta sot edhe po, por deri dje jo, sepse deri dje unë mendoj se mbështetët Ramën për të rrëzuar Nanon, e pastaj Berishën. Deri dje, une mendoj se ju njëherë i shkelnit syrit Mjaftit për të dalë kundër Nanos, e njëherë KOPistëve për të ardhur në pushtet ju, sërish.
Madje para pak kohësh thuhet se mbështetët Lalin e ndofta e keni mbështetur dhe këto zgjedhje, ashtu siç thuhet se vazhdoni të mbështesni ende Bashën.
Pra ju thoni se jeni antiSoros dhe në një farë mënyre duket sikur këtë po e shisni si një shërbim ndaj Kombit.
Unë nuk e di që Shqiptarët të jenë antiSoros sepse Shqiptarët nuk janë anti kurkujt. Të jesh anti dikush apo diçka do të thotë të dedikosh ekzistencën tënde për shkatërrimin e atij dikushi apo asaj diçkaje. Edhe mund të jetë, që midis shqiptarëve ka antiSoros, ashtu siç ka dhe antikomunistë dhe antifashistë, po nuk besoj se ata janë masë e madhe.
I nderuar Z. President, unë mendoj se populli shqiptar, se çdo shqiptar, në thelb ka për detyrë kombëtare të jetë proIlir, proArbër dhe proShqiptar, ashtu siç ka qenë sot e tre mijë vjet. Pra shqiptarët janë kryesisht proshqiptarë.
Kjo do të thotë se kurrë dhe në asnjë mënyrë asnjë bir dhe bijë shqiptari nuk duhet t’i dorëzohet një faktori të huaj, për asnjë arsye, asnjë shqiptar nuk mund të bëhet kurban sepse kjo do të ishte në thelb një veprim antishqiptar.
Edhe nëse një shqiptar gabon, ai duhet të gjykohet këtu, brenda popullit dhe tokës sonë.
Pra çdo shqiptar duhet të ndjehet i sigurtë mes motrave dhe vëllezërve të vet, sepse unë mendoj se ne nuk lëmë njeri në baltë, ne kemi treguar se dimë edhe të sakrifikojmë për këtë, siç bënë Avniu, Mici apo Vojo, heronj të cilëve ju mendoni se i ngjasoni.
Ju Z. President bëtë një deklaratë që mbante era antiSorosizëm dhe më lejoni sërish t’ju pyes.
A jeni i tillë ju Z. President?
E bëj dy herë këtë pyetje sepse unë mendoj se ju nuk jeni antiSorosian, por edhe nëse jeni bërë këto kohët e fundit, kjo nuk ka ndodhur për zgjedhje tuajën, por më shumë për zgjedhje të rrjetit Soros. Ndofta, ndofta, po të ishte për ju, ju do ishit ende proSoros.
Unë nuk e di ku është prishur lodra që ju bëri të bëni ato deklarata.
Unë mendoj se ne si popull sot kemi nevojë për një President proShqiptar dhe jo për një President antiSoros.
Më vjen keq t’ju them, por për sa kam shkruajtur në këtë shënim, unë mendoj se ju ende nuk keni treguar se jeni një President i tillë.
Edhe ky veprim i fundit, në thelb, mund të lërë hapësirë për interpretime, por duket më shumë sikur ju vendosni popullin tuaj përpara rreziqeve të jashtme, si mburojë, e jo përpara të mirave dhe progresit, siç do i kishte hije një Presidenti me P të madhe.
Unë mendoj se ju duhet të filloni të jepni më shumë nga vetja, nga të mirat tuaja, t’ja vini në dispozicion popullit, sepse populli është i varfër dhe ka nevojë ta ëmbëlsoni me vepra të mira dhe jo ta idhnoni me armiq të jashtëm.
Forca Z. President!