Për Ne Që Do Rrimë


Nga Admir Malaj

Unë mendoj se shqiptarët po ikin jashtë për dy arsye kryesore:
a. Mundësi pasurimi DHE,
b. Siguri sociale.
Këtë mendim e bazoj në faktin se shqiptarët zgjedhin për emigrim kryesisht qytete të mëdha të Evropës veriore, Amerikës veriore, apo Australisë, qytete që në thelb kanë hapësira për pasurim DHE ofrojnë siguri sociale.
Gjithashtu mendoj se shqiptarët i duan këto dy kritere në paketë, pra të dyja bashkë, jo vetëm njërën, ose vetëm tjetrën.
Këtë mendim e bazoj në faktin se nuk shoh shumë shqiptarë të emigrojnë në Afrikë, Azi apo Amerikë, ku ka me të vërtetë mundësi pasurimi, por nuk ka siguri sociale. Ashtu siç nuk shoh shumë shqiptarë që kur ikin në Gjermani apo Francë të zgjedhin për të jetuar zonat rurale, sepse këto katunde perëndimore nuk mund të ofrojnë as iluzionin e pasurimit, ndonëse ofrojnë siguri sociale me bollëk.
Pra shqiptarët që emigrojnë, sidomos ata që edhe e lënë ndonjë letër lamtumire, duan edhe mushtin edhe mjaltin, i duan të gjitha.
Unë nuk mund të gjykoj nëse këto pretendime janë të drejta, pasi këtë e gjykojnë vendet pritëse.
Ajo që mund të bëj është të propozoj disa tema thellimi:
1. A do t’i shërbente shqiptarëve një qytet me 5 milion banorë? Një megapol shqiptar që deri diku të krahasohej me Stambollin, Athinën, Romën, Barcelonën, Napolin, apo dhe Kajron, një qytet që të ofronte shanse pasurimi për këdo.
2. A është më e rëndësishme që të numërosh kë ikën apo kë vjen? Kush ikën, ikën, ne kemi nevojë të kuptojmë kush mund të vijë në Shqipëri, të jetojë dhe prodhojë mirëqenie në qytetet tona. Këto mund të mos jenë detyrimisht shqiptarë, por mund dhe duhet të përqafojnë kulturën tonë, ashtu si ne duhet të përqafojmë diversitetin.
3. A është siguria sociale një e mirë e ofruar nga shteti, apo një e drejtë që personi e fiton në bazë të punës dhe kontributit të tij? Kjo ndofta është dhe tema më abstrakte, e sidomos për ne, bij të revolucionit kulturor, që mendojmë ende se ka zgjidhje përfundimtare. Epra, në mendimin tim siguria sociale nuk është një destinacion, por është vetë rrugëtimi. Ne nuk duhet të presim nga shteti, por duhet të mësojmë të ecim vetë, me këmbët tona.