Trafik droge drejt Malit të Zi| Gjykata e Shkodrës lë në burg 3 nga 5 të arrestuarit

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 3 nga 5 të arrestuarit e operacionit “Prekalori”, të cilët u kapen me 205 kg kanabis.

Me masën arrest në burg, gjykata la shtetasit Zef Kolaj, Kristjan Melaj dhe Genc Meçaj, ndërsa për Elvis Hysaj dhe Xhuzepe Melaj u vendos masa detyrim paraqitje.

Pesë personat në bashkëpunim me njëri – tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike.

Sasia e lëndës narkotike u gjet në një furgon, në prani të shtetasve Zef Kolaj dhe Genc Mecej, të cilët do të kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë bashkëpunëtorët e këtyre të fundit, ku gjithsecili kishte rolin e vet në këtë aktivitet kriminal.

Ky operacion u zhvillua në bazë të hetimeve të kryera, mbi këtë grup kriminal, i cili kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë.

Gjatë veprimeve të mësipërme u sekuestrua automjeti tip fugon; lënda narkotike me peshë 205 kg; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës”