SPORT | Peru-Brazil, në finale të Kupës së Amerikës

Peruja dhe Brazili janë ndeshur 45 herë midis tyre, e verdhjeshilët kanë një bilanc tepër pozitiv, 32 fitore e 4 humbje, ndërsa 9 ndeshje janë mbyllur në barazim. Por Peruja dhe Brazili, e dinë se çfarë do të thotë një ndeshje vendimtare në Kupën e Amerikës, e mbi të gjitha një finale. Ishte viti 2016, kur u zhvillua edicioni special për 100 vjetorin e turneut, dhe u ra dakord që të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ekipet kombëtare nga CONMEBOL dhe CONCACAF u vendosën në anën e djathtë të kontinentit. Peru, Ekuador, Brazil dhe Haiti ishin në të njëjtin Grup, e të gjithë shikonin si favorit kombëtaren verdhjeshile, të paktën për të kaluar fazën e grupeve.

Ekipi, që atëherë drejtohej nga Dunga kishte 4 pikë para se të arrinte në ndeshjen e tretë të grupit. Edhe Peruja kishte të njëjtat pikë. Loja midis këtyre dy skuadrave është zhvilluar me një qetësi të menduar mirë më parë nga Brazili, me qëllimin që të sulmonin në fund. Por një gabim në mbrojtje i kushton shumë shtrenjtë brazilianëve. Në minutën e 74 ‘, Peruja shënon me anë të Ruidiaz. Brazili proteston te gjyqtari pasi pretendon se sulmuesi peruan e kishte prekur topin me dorë. Gjyqtari uruguajan, Andrén Cunha e ka diskutuar për 5 minuta të gjata këtë episod dhe më pas vrapon në mesfushë, duke e quajtur të vlefshëm golin e Perusë. Megjithë përpjekjet, 5 herë kampionët e botës nuk arritën të barazojnë rezultatin dhe u detyruan të eliminohen që në fazën e grupeve, nga ajo Kupë Amerike.

Por të dielën, Brazili dhe Peruja do të ndeshen sërish, por këtë radhë në një finale të Kupës së Amerikës. E verdhjeshilët, të drejtuar nga trajneri Tite, janë favoritë. Por rivalët e tyre janë surprizë e turneut, pasi kanë eliminuar ekipe shumë të forta dhe duan ta përfundojnë me marrjen e turneut këtë aventurë në Kupën e Amerikës.