Ju uroj gjithë të këqijat! Ja pse u bëra feministe

Nga Sidorela Cenaj

T’ju them të drejtën, nuk di nga t’ja filloj me shkrimin e këtij artikulli. T’ja nis me
pasionet e mia? T’ja nis me aspiratat e mia për të ardhmen ? Apo më mirë me emrin ??  E dini çfarë?! Kërkoj ndjesë… ndoshta nuk e nisa ashtu siç duhet, prandaj më lejoni ta
flloj dhe një herë.

Përshëndetje i nderuar lexues!

Unë jam një qenie njerëzore. Dhe si e tillë, edhe unë kam një identitet, një fytyrë, një
karakter dhe më e rëndësishmja edhe unë kam një gjini.
Dhe me sa duket ky termi i fundit; ”gjinia” që të them të drejtën akoma nuk e kam
kuptuar funksionin e tij jetësor përveçse të përcaktuarit e ravijëzimit biologjik që
gjithsecili prej nesh ndjek, ky term përcaktonka shumë në lidhje me mua.
Përcaktonka se çfarë duhet të vesh, si duhet të sillem, si duhet të flas, si duhet të
qëndroj, me kë duhet të shoqërohem dhe madje, madje përcaktonka edhe nëse duhet të
më keqtrajtojnë apo jo.
Nëse e shpreh në këtë formë e di që asnjërit nuk i pëlqen dhe nuk jam këtu për të thënë
gjëra që t’ju tërheqin.Nuk dua që të gëzoni, as që të hidheni përpjetë e t’ja merrni valles.
Përkundrazi dua që të them të drejtën edhe nëse gjykohem, edhe nëse shahem apo ulem
poshtë.
Ajo që dua nga ju është që për një moment të harroni gjithçka, më harroni mua, harroni
këtë që po lexoni, harroni ambjenin ku ndodheni dhe dilni jashtë në rrugë. Shikoni nga
të katër anët e horizontit dhe më thoni se çfarë shihni. E di që tani nuk keni mundësi
për të më thënë se çfarë vini re randaj do t’ua them unë.
Do të shohim se ka më tepër shofere femra se sa meshkuj. Do të shohim se ka më tepër
të pastreha se sa të pastrehë. Do të shohim se ka më shumë shitëse se sa shitës. Dhe
madje gjatë trotuareve do të shohim se ka më tepër nëna me të bijtë dorë për dorë se sa
baballarë. Dhe nëse ju shihni thjesht një nënë që ecën dorë për dorë me të birin a të
bijën.Unë shoh dicka më tepër.
Unë shoh një grua të fortë!
Një grua që duhet të zgjohet në 6 të mëngjesit për t’i gatuar fëmijës e bashkëshortit
ndërkohë që ky i fundit kthehet në anën tjetër të shtratit dhe vazhdon gjumin e ëmbël ,
pa e prishur terezinë, dhe kjo ndodh me pretendimin se është lodhur më tepër ndonëse
të dy bëjnë të njëjtën punë. A mund të më thoni ku është logjika e kësaj?
Pasi të gatuajë mëngjesin ajo duhet të bëhet gati, së pari të veshë fëmijën e ta nisë për
shkollë; më pas t’i hekurosë këmishën bashkëshortit se po se bëri ky i fundit mund t’i
japë edhe ndonjë shuplakë.
E pas kësaj rutineje monotene tashmë, ajo nis e bëhet gati dhe shkon në punë. Ajo punon
8 orë, 8 orë shumë të lodhshme për të cilat paguhet shumë më pak se sa kolegu i saj.
Pikërisht pra, kolegu!
Nuk shquhem për ndonjë feminizëm të zjarrtë e megjithatë më duhet të theksoj se ky
term është keqkonceptuar shpeshherë, e në mos përherë.
“Feminizëm”, literalisht do të thotë të kërkosh barazi gjinore mes femrave dhe
meshkujve, që ata të trajtohen në mënyrë të barabartë në të gjitha aspektet e jetës. Por
ky koncept shpesh është keqtrajtuar si urrejtje ndaj meshkujve.
Unë nuk urrej meshkujt. Përkundrazi!! Madje as nuk po përpiqem që tju bëj ju që t’i
urreni ata. Fundja ata nuk po bëjnë asgjë të keqe. Thjesht po ushtrojnë mentalitetin me
të cilin janë rritur. Pasi femra e tillë është parë gjithmonë, si një qenie inferiore.
Mendoj se është shumë herë më mirë që të përpiqemi të ballafaqohemi midis dy gjinive,
me këdoqoftë. Me babain, vëllain, shokun, të dashurin, bashkëshortin apo edhe thjesht
një mashkull në rrugë, t’i bëjmë të kuptojnë se dhe ne jemi po aq të vlefshme. Se edhe ne
jemi qënie njerëzore, se edhe ne kemi një identitet, një fytyrë,një karakter.
Mendoj se është shumë më mirë që te paguhemi njëlloj me një mashkull për të njëjtën
punë. Mendoj se ne femrat duhet të vendosim vetë se ç’duhet të veshim. Të vendosim
vetë se ç’duhet të themi apo me kë do të shoqërohemi.
Mendoj së ështe me mirë që femra të dalë në rrugë dhe të mos ngacmohet nga një i
panjohur. Mendoj se është më mirë që si femra,si mashkulli të kujdesen për foshnjën në
të njëjtën mënyrë. Mendoj se është shumë herë më mirë që femrat të trajtohen në
mënyrë të barabartë me meshkujt.
E dini se pse e mora vendimin për të qënë feministe?
Kur kam qënë thjesht një fëmijë, rreth 7 vjeç, të gjithë më thërrisnin “o çuni” vetëm për
faktin se unë nuk vishesha me fustane si vajzat e tjera, nuk luaja me kukulla po luaja
futboll me fëmijët e lagjes e me makina.
Gjatë kohës që rritesha kam dëgjuar historira e historira pa fund se si një grua është
keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj vetëm sepse kishte djegur gjellën teksa kujdesej për
foshënjëzën.
Dhe vendimin përfundimtar e mora para pak kohësh, kur mbusha 17 vjeç. Ndeza
televizorin një mëngjes të diele dhe pashë një lajm të tmerrshëm.
“Bashkëshorti shqiptar godet me sëpatë gruan shtatëzanë sepse dyshonte për tradhëti.
Pas hetimeve të mëtejshme rezulton se bashkëshortja NUK e tradhëtonte…”
“Babai shqiptar godet të bijën dhe më pas e gropos të gjallë pasi mendoi se ishte lidhur
me një afgan.”
E dini shprehjen e famshme “E vetmja gjë që na dallon nga kafshët është sensi i
komunikimit dhe mungesa e dhunës në shoqëri.” Atëherë kam një pyetje… Pse po
sillemi si jonjerëzorë në një botë moderne ku çdo gjë ka përparuar përveç mentalitetit
tonë? A duhet të jetojmë në një botë të atillë?!
Dhe për ta përmbyllur sepse besoj se u zgjata pakëz, më duhet të thëm arsyen përse e
titullova jo pa shkak “Ju uroj gjithë të këqijat”.
E titullova kështu pasi edhe meshkujve ju uroj që t’i trajtojnë në të njëjtën mënyrë e
ndoshta vetëm atëherë mentaliteti jonë “i ngurtë” do të ndryshojë.