Kandidatja shqiptare në Itali, Geri Ballo: Krenare për votimin nga shqiptarët, do jem aktive për kauza që më bindin

Pamela Aliaj – Gerarta Ballo, është një nga kandidatet që garoi për zgjedhjet evropiane në jug të Italisë nën siglën e Partisë Demokratike këtë maj të 2019. Ajo ishte në listën e Kolegjit Zgjedhor të Italisë së Jugut ku u përfshinë rajonet si Kalabria, Abruzzo, Molise, Basilicata, Puglia e Campania. Në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Gerarta shpreh prapaskenat e zgjedhjeve të fundmajit, gjithashtu edhe ndjesitë e marra nga fakti se fitoi shumë vota nga bashkitë kalabreze.

“Jam shumë krenare që jam më e votuara në shumë bashki arbëreshe. Nga Çifti (Civita) në Frasnitë (Frascineto), nga Spixana (Spezzano Albanese) në Shën Mitër, Shën Vasil (San Basile), Strigari (San Cosmo Albanese), Ungër (Lungro) e të tjera. Për mua vlerat e arbëreshëve – bashkëjetesa, lidhja me Shqipërinë e njëkohësisht kontributi i madh dhënë Italisë, gjuha e kultura – janë vlerat më kryesore europiane,”shprehet Geri.

Gjithashtu, ajo është shprehur edhe për rrugën e saj të vështirë për të arritur deri këtu ku është sot dhe periudhën e trazirave të kaluar në Torino.

“Torino asokohe më dukej sikur vlonte nga mundësitë e shumta që u ofroheshin të rinjve. Paskëtaj erdhi vala e krizës ekonomike dhe gjërat ndryshuan shumë, si një shterim i gjithë sa vlonte. Mjaft shqiptarë morën rrugën e kthimit në atdhe”, thotë ndër të tjera ajo.

Por ajo ka shprehur edhe fakte të pathëna më parë të cilat edhe priteshin të ndodhnin në një garë të tillë elektorale:
“Gjatë fushatës u sulmova disa herë për faktin që jam shqiptare. Natyrisht kjo veçse forcoi bindjen se duhej ecur përpara. Për më tepër më shprehën afrimitet si komuniteti ynë dhe ai italian dhe drejtuesit e Partito Democratico,” ka thënë Ballo.

Këto edhe shumë detaje të tjera në intervistën e mëposhtme me kandidaten e parë shqiptare në Itali për në parlamentin italian.

Geri GSH 6
<►>

Përpara se të flasim për zgjedhjet, si nisi karriera juaj në Itali?
Karriera, në rast se mund ta quajmë të tillë në atë moshën, filloi kur isha 11 vjeçe dhe nisa studimet në shkollën e mesme të ciklit të ulët dhe më pas të ciklit të lartë në Cuneo, duke vijuar më pas universitetin në Torino. Krahas universitetit, ku vonohesha për dhënien e provimeve, më interesonin shumë projektet kulturore dhe sociale, u bëra pjesë e disa redaksive, bashkëthemelova disa shoqata. Nisa një emision të përditshëm në radio, “Shqip in Torino”, për komunitetin tonë në Torino, që po njihja më nga afër pikërisht ato vite. Torino asokohe më dukej sikur vlonte nga mundësitë e shumta që u ofroheshin të rinjve. Paskëtaj erdhi vala e krizës ekonomike dhe gjërat ndryshuan shumë, si një shterim i gjithë sa vlonte. Mjaft shqiptarë morën rrugën e kthimit në atdhe.

A e keni kërkuar të jeni gjithmonë në këtë pozicion që keni tani? Nëse do të mundeshit çfarë pozicioni tjetër politik ase jo do të zgjidhnit?
Politika është mundësia më e drejtpërdrejtë që kemi ne qytetarët për të ndryshuar realitetin që na rrethon, për ta përmirësuar atë. Në këtë këndvështrim ka qenë për mua vijimësisht objekt interesi, ndaj edhe kam studiuar marrëdhënie ndërkombëtare e më pas politikat e BE-së. Pranova me bindje ftesën për të kandiduar në zgjedhjet europiane, që kësaj here ishin veçanërisht të rëndësishme për shkak të sfidës mes dy vizioneve të kundërta, pro dhe kundër BE-së. Ndjeja se duhej të jepja kontributin tim modest që vizioni pro BE-së të mos fundosej. Besoj ama se mund të realizohen shumë nisma për përmirësimin e mjedisit shoqëror edhe pa bërë politikë drejtpërsëdrejti, duke dhënë një kontribut si shoqëri civile. Veten e shoh gjithnjë aktive për kauza që më bindin, por jo domosdoshmërish si politikane.

Edhe pse pritshmëritë ishin të larta, nuk mundët të arrinit rezultatin e shumëpritur në zgjedhje për deputete për në Parlamentin Europian. Pse erdhi ky rezultat sipas jush? E prisnit?
Zgjedhjet europiane përshkruhen si veçanërisht të vështira sepse kolegjet zgjedhore janë të gjera dhe kodi parashikon të shkruhet emri i kandidatit në fletën e votimit, në krah të simbolit të partisë. Faktorët kryesorë të suksesit janë koha dhe buxheti në dispozicion. Unë bëra një fushatë elektorale që zgjati vetëm një muaj dhe buxheti u sigurua nga donacione të çdokujt dëshiroi të kontribuonte me një sistem transparent online. Falënderoj nga zemra ata shqiptarë që më kanë dhuruar qoftë edhe një euro për të më dëshmuar afrimitet. Fakti që kjo fushatë u mbështet nga qytetarë të thjeshtë, italianë dhe shqiptarë e bën atë unikale; nga ana tjetër për të pretenduar fitore duhen investime domethënëse të paktën në faktorin kohë. Por jam vërtetë e kënaqur për 21mijë personat që kanë zgjedhur të më votojnë. Do vijoj të jem e pranishme për ta, edhe pa mandat deputeti.

Keni mbresa të veçanta nga fushata elektorale?
Jam shumë krenare që jam më e votuara në shumë bashki arbëreshe. Nga çifti (Civita) në Frasnitë (Frascineto), nga Spixana (Spezzano Albanese) në Shën Mitër, Shën Vasil (San Basile), Strigari (San Cosmo Albanese), Ungër (Lungro) e të tjera. Për mua vlerat e arbëreshëve – bashkëjetesa, lidhja me Shqipërinë e njëkohësisht kontributi i madh dhënë Italisë, gjuha e kultura – janë vlerat më kryesore europiane. Kam punuar me shumë përkushtim me arbëreshët, ndaj jam e lumtur që më mbështetën e do vijojmë punën së bashku. Kujtoj, gjithashtu, me emocion vizitën në Tollo, qytezë e Abruzzos, ku bashkëatdhetarët tanë punojnë kryesisht në bujqësi, mes shumë sakrificash. Erdhën në takim ende me rroba pune dhe fytyrat e vrara nga lodhja, më pas u aktivizuan me aq zell në fushatë sa edhe aty dola më e votuara. Nuk do e harroj asnjëherë mbrëmjen që kaluam bashkë, e ndjeva veten mes vëllezërish.

Kthehemi pak pas në historinë tuaj. Çfarë ju nxiti që të merreshit drejtpërdrejtë me ambasadën shqiptare në Itali? Sa e vështirë është të punosh me çështjet e tyre?
Diaspora shqiptare e kudondodhur dëshiron me pasion të kontribuojë për Shqipërinë. Ndonjëherë lidhja shpirtërore dhe pasionante që mbajnë shqiptarët jashtë Atdheut me vendin amë duket paksa e çuditshme për shqiptarët brenda kufijve. Por kjo është reale. Duke iu referuar Italisë, numri i shqiptarëve në universitetet italiane është shumë i lartë, pothuajse 10 mijë shqiptarë, ndër të cilët pjesa kryesore janë vajza. Shumë prej tyre do donin të gjenin një mënyrë për të punuar për Shqipërinë. Ndër ta isha edhe unë. Vështirësitë janë të shumta, po ashtu edhe kalimi nga një vizion i idealizuar i shtetit në përballjen me realitetin. Por të jesh diplomat i Shqipërisë është sidomos nder i madh, mundësi konkrete për të dhënë atë që mundesh për atdheun. Besoj se të rinjtë e diasporës tonë mund të japin vërtetë shumë: vajzat dhe djemtë tanë mund të luajnë rol të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve Itali-Shqipëri sepse njohin në brendësi të dy realitetet dhe mund të gjejnë shtigjet më të sigurta në dobi të të dy vendeve. Kjo që them nuk është pjesë e doktrinës tradicionale diplomatike, por jam e bindur se është frytdhënëse. Natyrisht vlen për mjaft fusha, nga konsulenca për sipërmarrësit te eksplorimi turistik i vendit tonë. Në çdo fushë të njohjes së Shqipërisë nga ana e italianëve, diaspora jonë luan një rol kyç prej vitesh, që mund të jetë edhe më domethënës në të ardhmen.

Si u ndjetë të ishit shqiptarja e parë që kandidonit në PE në Itali? A patet ndonjë problem për këtë shkak?
Mora vetëdije të plotë që isha e para kandidate në këtë garë kur një vajzë, e cila kandidonte për këshilltare bashkiake në një qytezë të Italisë, më tha që pas përvojës time e ndjente se një ditë edhe ajo mund të bënte një gjë të tillë. Pra, ndjente se tashmë kjo rrugë ishte hapur edhe për të e shumë të tjerë. Më erdhi jashtë mase mirë. Gjatë fushatës u sulmova disa herë për faktin që jam shqiptare. Natyrisht kjo veçse forcoi bindjen se duhej ecur përpara. Për më tepër më shprehën afrimitet si komuniteti ynë dhe ai italian dhe drejtuesit e Partito Democratico.

Së fundmi duke ju falënderuar për intervistën, mund të jepni një mesazh për gjithë të rinjtë shqiptarë që po përpiqen për shkollë apo jetë më të mirë në anën tjetër të detit?
Të rinjtë që vijnë çdo vit në Itali janë të shumtë, kryesisht për studime universitare, siç përmenda më sipër. Një pjesë e tyre gjejnë veten këtu, të tjerë kthehen. Të gjithë fitojnë një botëkuptim më të gjerë, që i lejon të analizojnë realitetin shqiptar duke pasur edhe një palë syze shtesë. Në këtë këndvështrim, besoj se këta të rinj janë një burim i çmuar për ne. Jo vetëm se kanë bërë një shkollë, por mbi të gjitha se ja kanë dalë vetëm. Shumica dërrmuese vjen nga familje të varfra, pas çdo arritje ka sakrifica të panumërta. Unë jam tejmase krenare për ta dhe e ndjej si kauzë më se të duhur angazhimin për forcimin e lidhjeve brenda diasporës tonë. Kjo ja vlen të bëhet me përkushtim.