NATO paralajmëron Rusinë| Takimi i nivelit të lartë të NATO-s për të adresuar çështjet e sigurisë

NATO i bëri thirrje të martën Rusisë që të asgjësojë sistemin e raketave me mbushje bërthamore dhe bazë tokësore, përmes të cilave mund të godasë Evropën. Në të kundërt, Aleanca ka paralajmëruar Kremlinin se do të përballet me një përgjigje të fortë të saj.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s diskutojnë sot dhe nesër për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren nëse Moska refuzon ta bëjë një gjë të tillë.

“I bëjmë thirrje Rusisë që të ndjekë rrugën e përgjegjshmërisë, edhe pse deri tani nuk kemi parë asnjë sinjal pozitiv”, deklaroi në një konferencë për shtyp sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai theksoi se Evropa duhet të jetë në gjendje të përgjigjet, por nuk dha detaje mbi mënyrën se si do të reagojë. Por diplomatë evropianë, deklaruan se, masat e Evropës parashikojnë lejimin e fluturimit të avionëve luftarakë amerikanë që mbajnë mbushje bërthamore, një ripozicionim të raketave bërthamore amerikane me bazë detare dhe intensifikimin e stërvitjeve ushtarake.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë të NATO-s kërkojnë që Rusia të asgjësojë sistemin e saj me raketa “Kruis” me mbushje bërthamore, gjë që deri më sot Moska ka refuzuar ta bëjë. Përplasja ka bërë që të thellohet përçarja në marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit, që u verifikua pas aneksimit të gadishullit të Krimesë dhe ndërhyrjes së Rusisë në Siri.