Kur flet politika, hesht drejtësia!

MERXHAN DACI

Përgjime me protagonistë zyrtarë të lartë që implikohen në veprime të kundraligjshme janë publikuar disa herë në Shqipëri dhe ai i radhës u bë i njohur nga tabloidi gjerman Bild. Raste të ngjashme, më herët kanë provokuar akte ekstreme dhe ndryshime politike në klimë tensioni. Por nga pikëpamja juridike përgjimet janë refuzuar të merren si prova.

Faktoje “udhëtoi” pas në kohë duke iu rikthyer disa rasteve kur përgjime të politikanëve apo njerëzve të afërt me ta kanë sjellë impakt, por jo në bërjen e drejësisë.

Janar 2010– Publikohet videoja Meta-Prifti, precedenti më i rëndë për nga pasojat në jetën publike dhe institucionale të vendit. Dritan Prifti, atëkohë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Ilir Meta, zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm zhvillojnë një bisedë të tensionuar që zgjat rreth 7 minuta ku flitet për disa afera. Videopërgjimi shkaktoi një valë konflikti politik që u pasua me 4 viktima para Kryeministrisë në protestën e 21 janarit 2011 dhe një luftë të hapur institucionale mes Kryeministrisë, Presidentit e Prokurores së Përgjithshme.

Në kampin e drejtësisë, si për ironi procesi eci qetësisht dhe videopërgjimi, që arriti të shkaktojë viktima mes qytetarëve, u refuzua të merrej si provë nga Gjykata e Lartë e cila e konsideroi të montuar. Çështja u pushua dhe Ilir Meta u shpall i pafajshëm për t’u bërë pak vite më vonë kryetar parlamenti. Sot Ilir Meta është President i Republikës.

2017– Saimir Tahiri dhe Habilajt. Në media u publikuan disa audiopërgjime të grupit “Habilaj” që implikonin ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahirin me lidhje farefisnore me të proceduarit në Itali për trafik ndërkombëtar droge.

Ky përgjim bashkë më intervistën e një oficeri policie të larguar nga detyra, që akuzonte minstrin për favorizim të trafikantëve, shtyu Prokurorinë të kërkojë autorizim nga Kuvendi për arrestimin e tij, gjë që nuk ndodhi.

Nuk vonoi dhe kryeministri Rama i cili shkarkoi nga detyra Saimir Tahirin, ndër ministrat më të sulmuar nga opozita si i lidhur me krimin. I zhveshur me vullnetin e tij nga mandati i deputetit, Tahiri është ende pritje për t’u gjykuar.

2018– Çështja “Babale”. Një bisedë telefonike mes Albert Veliut dhe siç pretendohej, vëllait të ministrit të brendshëm Xhafaj, Agronit u publikua nga selia e Partisë Demokratike, duke rindezur luftën mes opozitës dhe qeverisë. Ende pa përfunduar hetimi për vërtetësinë e materialit, Agron Xhafaj udhëtoi drejt Romës ku duhej të vuante masën e mbetur të dënimit për trafik droge, ndërsa për ministrin Fatmir Xhafa nisi përballja e vështirë me këtë histori që përfundoi me dorëheqjen e tij nga detyra. “Babalja” u arrestua në Kosovë, ndërsa nisi ndjekje penale për një gazetar dhe ish deputetin e PD Salianji.

Janar 2019– Dako dhe Avdylajt. Dhjetra përgjime dhe dokumente të publikuara në media treguan episode të përfshirjes së të skeduarve për krim të organizuar në shitblerjen e votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër. Përgjimet janë komunikime mes kryetarit të bashkisë Vangjush Dako dhe vëllezërve Avdylaj, të njohur si “të fortët e Shijakut”. I gjithë materiali njihet si pjesë e dosjes 339, për të cilën kryeprokurorja në detyrë Arta Marku aludoi se janë nxjerrë nga disa prokurorë.

Vangjush Dako, i cili pret t’i përfundojë mandati si kryebashkiak, është marrë në pyetje nga prokuroria e Krimeve të Rënda që vijon ende hetimet për këtë çështje.

17 Qershor 2019– Bild dhe Rama. Tabloidi gjerman Bild publikoi përgjimet e paralajmëruara për shitblerje votash në vitin 2017. Janë biseda telefonike ku niveli i përfaqësimit politik është befasues e ku protagonistë janë kryeministri Rama, ish ministri Damian Gjiknuri dhe një grup zyrtarësh të PS me poste drejtuese në administratë.

Përgjimet po sjellin precedentin: Kur flet politika, drejtësia hesht!

Përgjimet po kthehen në armë vetëgjyqësie në duart e politikës dhe ngjarjet e 21 janarit 2011 janë dëshmia se çfarë është në gjendje të shkaktojë përdorimi politik i tyre, kur drejtësia ende s’ka folur.

Standardet janë shkelur, modeli i shitblerjes së votës me kontributin e të fortëve dhe kërkesën e të pushtetshmëve bie ndesh me propagandën për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe kriminalizimin e shitblerjes së votës.

Në mes të kësaj përplasjeje është qytetari, i cili ka humbur besimin te drejtësia dhe politika| faktoje.al

more recommended stories

loading...