Zbulohet një teknologji e re për gjetjen e shenjave të gishtërinjëve

Një pajisje e re laboratorike po ndihmon shkencëtarët mjeko-ligjorë në kërkim të zbulimit të shenjave të gishtërinjëve mbi objektet e përdorura gjatë një krimi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Block, metodat aktuale të kopjimit të shenjave të gishtërinjëve mund të mos jenë aq të mira, ndërsa marrja e ADN-së mund të dëmtojë provat.

Një shkencëtar mjeko-ligjor po ekzaminon një thikë të përdorur në një krim. Aktualisht, shkencëtarët e trajtojnë objektin me avuj ngjitës dhe dritë, që i bën të dukshme gjurmët e gishtërinjëve.

Problemi është se kopjet e përftuara mund të mos jenë të qarta dhe përdorja e pambukut për të marrë ADN-në, e shkatërron atë.

Por tani, një ekip mjeko-ligjor në Angli shpreson se teknologjia e re do të zbulojë prova shtesë, kryesisht në rastet e vjetra të pazgjidhura.

“Nëse metodat aktuale nuk janë të përshtatshme për qëllimet tona dhe nuk japin rezultate, atëherë duhet parë për mundësi të tjera”, thotë Vickie Burgin e ekipit mjeko-ligjor të policisë në East Midlands.

Mënyrat e reja të përdorimit të makinës spektroskopike të masës mund të rezultojë në prova të sakta.

Makineria e ndërtuar në bashkëpunim me Universitetin “Nottingham” përdor jonet për të goditur një objekt dhe për të krijuar një hartë të substancave që zbulon. Specialistët thonë se makineria është e sigurtë, nuk dëmton provat ekzistuese dhe nxjerr rezultate të qëndrueshme.

“Instrumenti zbulon përbërje të ndryshme kimike mbi sipërfaqen e objektit nën hetim dhe të tregon vendndodhjen e këtyre specieve kimike”, thotë Nichola Starr, hulumtuese në Universitetin Nottingham.

Makineria zbulon fragmente substancash nga gjurmët e gishtërinjëve, përfshi djersën e individit.

Me këto të dhëna, makineria formon një model kompjuterik që interpreton gjetjet. Kjo mund të jetë e dobishme në rastin e gëzhojës së plumbit ku është shumë e vështirë zbulimi i gjurmëve të gishtërinjëve.

“Makineria përdor rreze me jone për të studiuar sipërfaqen dhe na tregon se ku janë përqendrimet e ndryshme të materialeve të ndryshme”, thotë James Sharp, profesor i fizikës në Universitetin Nottingham.

Shkencëtarët thonë se teknika nuk i dëmton gjurmët e gishtërinjëve dhe se shenjat mund të kopjohen pa i dëmtuar ato. Por, hetuesit druhen se kjo qasje teknologjike mund të përballet me sfida në gjykata/ VOA