QESKA E KARAMELEVE

“Numërova vitet e mia dhe zbulova që kam më pak kohë për të jetuar tash e mbrapa në krahasim me sa kam jetuar deri më tani.
Ndihem si ai fëmija të cilit i dhurojnë një qeskë me karamele: të parat i ha gjithë ngut e gëzim, por, kur e vë re se i kanë mbetur pak, fillon t’i shijojë ashtu siç duhet.
Nuk kam kohë për mbledhje pa fund, në të cilat diskutohen statute, ligje, procedura dhe rregullore të brendshme, duke e ditur që në fund të fundit nuk do të përfundohet gjë.
Nuk kam kohë për të duruar persona absurdë, që të mos jenë rritur në asnjë kuptim tjetër përpos se nga mosha në regjistrin e gjendjes civile.
Nuk kam kohë për të humbur me budallallëqe.
Nuk dua të marr pjesë në veprimtari ku parakalojnë “EGO” të fryra.
Tani nuk i duroj dot më manipulatorët, arrivistët, interesaxhinjtë.
Më bezdisin ziliqarët, që rreken të çkreditojnë më të aftët, për të përfituar nga talenti i tyre dhe rezultatet e tyre.
I urrej, nëse jam dëshmitar, efektet që shkakton lufta për një post të rëndësishëm.
Nuk i duroj dot personat që nuk diskutojnë për përmbajtjet, por për titujt.
Kam pak kohë për të biseduar për të mira materiale ose pozicione sociale.
Dua thelbësoren, sepse shpirti im tani ka ngut.
Dhe me kaq pak karamele në qeskë…
Tani, kaq i vetëm, dua të jetoj mes qenieve njerëzore shumë të ndjeshme.
Njerëz që të dinë të dashurojnë e të mos tallen me të patëkeqtë e me gabimet e tyre.
Njerëz shumë të sigurtë në vetvete, që të mos mburren për luksin e vet dhe për pasuritë e veta.
Njerëz që të mos e mbajnë veten “të zgjedhur” parakohe.
Njerëz që të mos u ikin përgjegjësive të veta.
Njerëz sa më të sinqertë që të mbrojnë dinjitetin njerëzor.
Njerëz me të cilët dëshiron vetëm të jetosh me ndershmëri e drejtësi.
Sepse vetëm thelbësorja është ajo që e bën jetën t’ia vlejë të jetohet.
Dua të rrethohem nga njerëz që të dinë të mbërrijnë në zemrën e njerëzve.
Njerëz të cilëve goditjet e rënda të jetës t’u kenë mësuar të rriten me përkëdhelje të ëmbla në shpirt.
Po… kam ngut… për të jetuar me intensitetin që asgjë më shumë se pjekuria mund të na e japë.
Nuk kam ndër mend të humb as edhe një karamele të vetme nga ato që tani më kanë mbetur në qeskë.
Jam i sigurt që këto karamele do të jenë më të shijshme se ato që kam ngrënë deri më tani.
Synimi im, fundja më në fund, është të iki i kënaqur dhe në paqe me të dashurit e mi dhe me ndërgjegjen time.
Të uroj që edhe synimi yt të jetë i njëjti, sepse, në njëfarë mënyre, edhe ti për të ikur ke…”

Mario de Andrade (1893-1945)

Perktheu – Prof. Aurel Plasari…