Nacionalizmi streha e fundit e te majtës dhe te djathtës!

Tanimë është një fakt i provuar si në lëvizjet populiste të majta dhe në ato të djathta; nacionalizmi është kthyer në kalin e betejës të tyre Një qasje e tillë politike-sociale duket se ka gjetur një terren të mirë jo vetëm në Europë por edhe në SHBA, kandidati Sanders ishte nga të paktët që sulmoi NAFTA-n (njësoj si Trump) gjatë fushatës elektorale të primareve ku përballë kishte Clinton. Ndërkohë që të majtët e Evropës po lidhen gjitnjë e më shumë me nacionalizmin si në rastin e Jeremy Corbyn i cili është qartësisht një pro Brexit dhe kundër BE-së.

Ajo çfarë ndryshon mes populistëve të majtë dhe të djathtë në përdorimin e nacionalizmit është rruga dhe mënyra se si ato adaptojnë këtë të fundit në retorikën e tyre. Të majtët e Italisë, fjala vjen, e përdorin nacionalizmin për të furnizuar me argumente premisën e tyre ideologjike “i shtypuri dhe shtypësi” duke artikuluar se një nga “pasanikët e Azisë” nuk mundet dot të kuptojë dhe shijojë Da Vincin apo Michelangelon. Apo në kritikën anti-globaliste.

Ndryshe reagojnë populistët e djathtë që nacionalizmin e përdorin për të rikthyer në vëmendje zhdukjen e demokracisë përfaqësuese në këmbim të “barazisë sociale”. Praktikisht ajo çfarë Salvini (apo dhe Trump) pretendon është një luftë e demokracisë së drejtë për drejtë të mazhorancës ndaj asaj liberale.

Demokracia liberale, është një qasje filozofike e zbatuar që prej vitit 1945 (pas luftës së dytë botërore) dhe që fitoren e saj e arriti në 1968 me revolucionin kulturor. Në librin e tij “Vrasje në Amsterdam”, Ian Buruma, e trajton këtë fitore duke përshkruar se si të rinjtë liberalë dhe marksistë (më së shumti) mundën në betejë kollaret e vjetra të politikës holandeze. Molotovi që ato i lëshuan institucioneve, shprehet Buruma, ishte në fakt molotovi që ato i lëshuan traditës së qeverisjes holandezxe. Një traditë që prodhoi një liberalizëm të tillë që alienoi tërësisht Evropën nga kultura e saj dhe rrënjët ë kulturës së saj.

Ajo çfarë liberalizmi europian është sot ka si Vatikan jo më selinë e Shën Pjetrit por selinë e BE-së në Bruksel. Tanimë, është e kuptueshme përse Salvini, Le Penn, Kazincky, Orban por edhe Zhizhek, Badiou, Corbyn dhe sa e sa liderë të tjerë kanë një luftë të paepur kundër predikimeve sekulare me fasadë fetare të BE-së. Në librin më të famshëm të tij, Riding the Tiger of Modernity, Julius Evola paraflet për një situtë të tillë kaotike që do ta përplasë botën moderne me ngrehinën e një kulle të re Babeli.

Një temë të tillë trajtojnë edhe Roger Scruton (sidomos në librin e fundit mbi konservatorizmin), Alasdair MacIntyre por edhe Salvoj Zizek i cili i është rikthyer traditës fetare për t’iu përgjigjur tëhuajzimit dhe atomizmit të njeriut. Scruton shkruan se beteja e konservatorëve në perëndim në shekullin e fundit ka qenë e drejtuar nga disa lëvizje të detyruara; konservatorët iu desh të pajtoheshin me Frankon kundër komunistëve dhe anarkistëve, Churchill iu desh të puqej me Stalin kundër Hitlerit dhe më pas Thatcher (apo Reagan) iu desh të puqej me Liberalët kundër komunistëve. Në fund të ditës beteja mes këtyre dy pikëpamjeve shumë të kundërta mbi botën është duke ndodhur në forma të pakontrolluara.

Besimi në politikë është në nivelet më të ulëta, besimi tek institucionet po vjen gjithnjë duke u zbehur ndërkohë që bota është në një zhvillim të vazhdueshëm që duket se po gllabëron kombet për hir të globalizimit.

A është ekonomia o budalla?

Bill Clinton do të hynte në histori pasi në fushatën e tij Electorale përballë Bushit senior do të lëshonte fjalinë “Është ekonomia budalla!”. Duke sinjalizuar për të gjithë botën se arsyeja përse ai do të fitonte zgjedhjet presidenciale lidhej ngushtë me ekonominë. Tre dekada e gjysmë më pas shumë intelektualë pretendojë se situata ekonomike e qytetarëve në SHBA dhe BE janë shkaqet që ato besojnë në partitë populiste.

Por, treguesit flasin për të kundërtën. Britania sot ka papunësinë më të ulët në historinë e saj moderne, qeverisja e Cameroon ka qenë një ndër më të suksesshmet dhe prapë anglezët zgjodhën BREXIT. Partia e Lega Nord është krijuar dhe themeluar në zonën më të pasur të Italisë, në veri, dhe ajo mbështetet pikërisht në veri të Italisë (zona më e pasur e Italisë), Gjermanët e AfD kanë bazën e tyre në lindje të Gjermanisë por pushteti i tyre po zgjerohet edhe në zonën e Bavarisë.

Partitë konservatore, ato liberale të djathta (pra qendra e djathtë) dhe ato liberale të majta nuk e kanë humbur rrugën e tyre si pasojë e ekonomisë. Duket qartë se pasiguritë kulturore dhe politike përkthehen jo rrallë në pasiguri ekonomike. Prandaj qendra e debatit sot është tradita dhe kultura e vendeve si dhe një debat kulturor mes liberalizmit dhe palës tjetër.

Kjo betejë është natyrisht në fazat e para dhe nuk mund të gjejmë pika takimi të qarta mes debatit që ndodh në SHBA dhe asaj që ndodh në Evropë. Vetë natyra e ligjërimit publik në SHBA (që ka një konservatorizëm më evangjelist) ndryshon katërcipërisht nga ai që po ndodh në Evropë ku konservatorizmi është më shumë nacionalist (përjashto Poloninë, Çekinë dhe Hungarinë). Temat tradicionale të së djathtës si lufta kundër martesave të të njëjtit seks duket se kanë marrë një plan dytësor kjo për faktin se revolucioni kulturor ka mundur të pushtojë ligjërimin publik në universitete dhe platformat e tjera të debatit.

Duket se beteja e sotme është ajo e minoriteteve që janë mazhorancë në numra (siç shkruan Taleb), me shumë gjasë një betejë e tëhuajzimit kulturor që modernizmi dhe liberalizmi kanë prodhuar. Ky tëhuajzim është i njëjtë në thelb si në ish vendet sovjetike apo komuniste (ku njeriu ka humbur pjesë të traditës në emër të njeriut të ri) ashtu edhe në vendet demokratike ku individualizmi ka konvertuar njeriun komunitar në një atom të lirë dhe me kufij gjithnjë e më të përcaktuar nga Brukseli dhe jo nga tradita.

Ndohta kjo është arsyeja se përse vetë nacionalizmat populistë të Evropës dhe SHBA kanë ndryshime thelbësore mes tyre. Aq sa sot ndonëse kanë 29% të parlamentit të BE-së nuk mundet të kenë një koalicion të tyren. Problemet e tyre janë në të vërtetë të përbashkëta por veçantia e zgjidhjes së këtyre problemeve ndryshon nga vendi në vend dhe nga rajoni në rajon. Por nacionalizmi është realisht streha mbi të cilën e majta dhe e djathta po riprojekton veten e saj në një epokë të re 5G.