Rinia revolucio(NARE)

Nga Erti Poka

Rinia. Ëndrra e fundit që pa Shqipëria teksa gjumi i gjatë i tranzicionit politik e zuri. E më shumë se thjesht një gjumë është një dreq gjumi letargjik, ku “ariu” është bërë kockë e lëkurë e nuk ka më pikë dhjami që ta mbajë gjallë.
Sot problemi kryesor në shtetin e mirqënies rinore, për të cilën edhe Gjermania na ka zili është që nuk priti që ta vrisnin të tjerët, por u vetëvra pa pasur pikën e turpit. Rinia. Pikërisht kjo rini që mbush autobusat e forumeve, kjo rini që pasuron pronarët e kafeve, kjo rini që ka ulur kokën përpara sistemit të kalbur arsimor, kjo rini që nuk di të kërkojë e nuk di të marrë. Kjo është rinia për të cilën po flas. Nuk mund të them asgjë për rininë e idealeve, për rininë e arritjeve, për rininë e etikës e logjikës, e cila çdo ditë ruan ato pak konture intelektualiteti të së ardhmes. Këtu flas për rininë që di të shajë e të ofendojë, por nuk di të godasë, për rininë që di të bërtasë, por nuk di të bisedojë, për rininë që vetëm flet e të dëgjojë nuk di.
Fajin nuk na e ka politika jo, as politikanët, as hajdutët, as vrasësit, askush. Fajin për të gjithë këtë e ka ndërgjegjia e vdekur e rinisë, fajin e ka ai tipi që kalon semaforin me të kuqe e më pas dëshiron të paguhet si në Zvicër, fajin e ka ai tipi që mban qesen e barit në xhep e më pas dëshiron që policia të jetë si në Gjermani, fajin e ka ai tipi që i lëpihet zyshave për një notë e kërkon që arsimi të jetë si në SHBA. Këta e kanë fajin. Fajin e ka ai tipi që poston gjithë kohës postera të partisë që të zërë një vend pune e më pas kërkon që të mos ketë korrupsion kur shkon tek mjeku. Fajin e ka ai tipi që largohet nga Shqipëria e më pas bërtet se Shqipëria nuk bëhët, ndërkohë që me largimin e tij Shqipërisë i rriten shanset që të bëhet.
E në këtë situatë mëkatesh, të cilat asnjë prift në botë nuk mund t’i falë, përgjegjësia kryesore i bie kamarierave shqiptarë. Pse do thoni ju? Se ata janë rinia shqiptare, madje edhe rinia intelektuale shqiptare, ndërkohë që diplomat e blera nga universitetet e mbyllura për hir të propagandës janë vendosur në zyrat e drejtorive që i drejton partia.
Sot, mënyra e vetme si mund të kryesh një ndryshim drastik në të mirën e vendit e të mbledhësh të gjithë të rinjtë sëbashku është të dalësh përapra Parlamentit ose Kryeministrisë e të shpërndash kafe falas, të vendosësh disa karrigë, të ngrish muzikën e Taynës në sfond, pse jo të japësh edhe ca bileta fallco për “2 gisht mjaltë”, vetëm për të bërë ca postime në rrjetet sociale sikur e kanë parë e kështu mund të jetojmë të gjithë të lumtur me sistemin e ri.
Sot, më shumë se kurrë shoqëria ka nevojë për ndërgjegjësim, e nëse do të vazhdojmë të shkelim gazin e makinës për të shkuar sa më shpejt nga kafja e parë në kafen e dytë, nëse do të vazhdojmë të bëjmë kryq për partitë që japin qofte falas e nëse do të vazhdojmë të hapim sytë për ndonjë thashëthem se nuk shtyhet fare, më mirë hasta la vista.