Pse po protestohet në Shqipëri

Nga Marlin Muca

Gjatë këtyre 18 muajve të fundit, Shqipëria është përfshirë nga një sërë protestash që zunë fill me lëvizjen për Mbrojtjen e Teatrit (Shkurt 2018) vazhduan me ngjarjet e dhunshme në Kukës ( mars 2018), protestën e banorëve të Astirit pak kohë më pas, Lëvizjen e dytë Studentore (dhjetor-janar-shkurt 2019) dhe së fundmi me kalvarin e gjatë të protestave opozitare që pasuan djegien e mandatave dhe vendimin për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Cdo protestë dhe lëvizje politike ka qëllimin dhe motivet e veta. Për nga objekti që organizimet popullore kanë, ato ndahen në lëvizje me synimet dhe problematikat që shqetësojne vetëm një segment të caktuar të shoqërisë, pra kauzat lokale, si dhe lëvizjet e përgjithshme politike që përfaqësojnë problematikat e një mase të konsiderueshme të popullsisë dhe që shpeshherë përfundojnë me kërkesa të qarta politike dhe antisistemore. Kjo lloj diade apo kategorizimi të kauzave në lokale dhe të përgjithshme do të shërbejë në qëmtimin e dallesave mes protestave që kanë shoqëruar zhvillimet politike të këtyre 18 muajve që lamë pas. Do të kuptojmë se qartësia e protagonistëve të kauzave në evidentimin e arsyeve reale që i kanë nxjerrë ata dhe njerëzit e tyre në rrugë përbëjnë të dhënën kryesore për të kuptuar nëse protesta do zgjasë dhe se sa sukses do të ketë në zgjidhjen e problemit që shqetëson 100, 1000 apo një komunitet njerëzish që zgjidhjen nuk e gjejnë më të institucionet por në rrugë, atje ku lind por edhe vdes demokracia që aq shumë e duam por herë herë nuk e kuptojmë.
Protesta e parë e cila na hapi sytë se gjendja ekonomike dhe sociale në Shqipëri nuk ishte aq rozë sa shfaqej në ekranet televizive ishte ajo e banorëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës kundër vendosjes së një tarife prej 5 eurosh në Rrugën e Kombit. Grumbullimi i banorëve të irrituar në një numër aq të madh përpara traut i vuri në vështirësi ato pak forca policore që gjendeshin në vendgjarje. Ngurrimi i tyre e lejoi turmën dhe dhunën e tyre legjitime mbi pajisjet e koncesionarit që do të gllabëronte ditë pas dite ato pak para që ju kishin mbetur kuksianëvë të lodhur nga varfëria, indiferenca dhe eksodi.
Mbrëmjen e 31 marsit në të gdhirë të 1 prillit qyteti i Kukësit u bë qëndër e dhunës e raprezaljes policore. Me qindra forca speciale zbarkuan në qytetin pretendent për Nobelin e Paqes duke arrestuar në mesin e nates, jashtë cdo parashikimi ligjor, qytetarët të pafajshëm, “faji“ i vetëm i të cilëve ishte pjesëmarrja në protestën që do t`iu hiqte atyre lakun nga fyti. Pas arrestimeve dhe disa javëve në shtetrrethim, një tjetër protestë u paralajmërua në ditët e para të shtatorit. Për fatin e keq të kuksianëve, në sheshin para Bashkisë së Kukësit gjendeshin vetëm 20 aktivistë nga Tirana.Qyteti heshti.
Natyrisht që arsyet pse Kukësi u fik në atë lloj mënyrë lidhen më shumë me presionin politik dhe dhunën policore të ditëve të para të prillit. Ama, nëse gërmojmë thellë në retorikën e paktë të asaj dite të përdorur nga protestuesit, kërkesat e kufizuara etj, do të kuptojmë se ajo që bënë kuksianët me reagimin e tyre vetëm sa e gërvishti qafën e trashë të zullumueve që Rilindja krijoi gjatë 6 viteve qeverisjese. Kuksianët dogjën zyrat e koncesionarit por nuk mundën të artikulonin praktikat korruptive që qeveria socialiste përdor në raport me kompanitë koncesionare dhe kushtet mizerabël prej të cilave, burimet natyrore apo infrastruktura e dhënë me qera nga shteti vuajnë gjatë gjithe qeverisjes së tyre nga koncesionari. Megjithëse jo me vetëdije, kuksianët u treguan “egoistë“ me hallin e tyre duke mos përmendur cështjen e Valbonës, Vjosës apo dhjetra rasteve të tjera korruptive që dëshmojnë shtrajtimin barbar të shtetit, koncesionarit dhe zyrtarëve të korruptuar ndaj pasurive tona kombëtare. Gjithsesi, koha në të cilën u zhvilluan ngjarjet ishte tepër e shkurtër dhe kjo ndoshta nuk lejoi artikulimin e qartë të tharmit sistemor që karakterizonte problemin e Kukësit. Pavarësisht të tjerave, Kukësi dështoi të përhapej në të gjithë Shqipërinë sepse nuk pati shansin ta bërtiste mllefin e saj dhe të të gjithë shqiptarëve ndaj oligarkisë. Kukësi dështoi sepse pamundësia e saj për t`u kthyer në një Timisoarë të vogël shqiptare kundër oligarkisë bëri që shqiptarët ta shikonin gjithe këtë situatë thjesht si një rebelim të vogel e periferik të banorëve të Alpeve.
Kauza e rradhës në shkrim, por natyrisht jo e fundit në historikun e protestave të fundit, si në cilësi apo kohëzgjatje, është ajo e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Këto dy Teatro përbëjnë Korpusin Teatror të qytetit të Tiranës dhe ndodhen në qëndrën e saj historike duke e bërë tejet të lakmueshme për mafien e betonit. Projekti për prishjen e tyre në favor të ndërtimit të kullave nxiti një sërë reagimesh nga figura të nderuara të artit shqiptar dhe aktivistëve të shoqërisë civile. Nuk ishte hera e parë që Korpusi Teatror po binte pre e oreksit të një njeriu që do ta shikojë Tiranën në vizionin e tij të ethshëm e cmendurak. 17 vite më parë ishin të njëjtët artistë bashkë me shumë të tjerë që nuk jetuan mjaftueshëm sa për ta parë agorën e tyre të cënohej për së dyti, të cilët u bënë një barrikadë e fuqishme ndaj pushtetit vendor të kohës. Qëndresa qe e fortë dhe e bujshme. Aq e fortë sa në pak javë u themelua Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit, një kimerë e ngjizur nga artistë e qytetarë të bërë bashkë. Kauza për Mbrojtjen e Teatrit vazhdon edhe sot, teksa ata artistë që i rezistuan kërbacit dhe kulacit qeveritar dhe qytetarët protestues mblidhen cdo pasdite në sheshin-gji që kafshon dy ndërtesat gjer në skaje, për të treguar se konsistenca në mbrotjen e një ideje shërben si premisë themelore në fitoren e kauzave. Që këtu ne vëme në dukje tre elemente thelbësore që vecon protestën e Teatrin nga ajo e Kukësit
1) Organizimi politik- Teatri sot mbrohet nga një organizëm qytetar që kundërshton politikisht prishjen e Korpusit nëpërmjet protestave në rrugë, aktivizmit online dhe përfaqesimit juridik në institucionet e shtetit shqiptar.
2) Koha- Protesta ka filluar në muajin shkurt të vitit 2018 dhe vazhdon thuajse përditë në sheshin e Teatrit
3) Rezultati- Korpusi Teatror është në këmbë, kjo jo vetëm prej qëndresës së artistëve por dhe artikulimit të modelit dhe prapavijës politike që prishja e Teatrit reflekton në planin urbanistik të Tiranës, politikave urbanistike, raportit të publikes dhe privates, raportit të Bashkisë me hapësirat publike dhe me qytetarin shqiptar.
Artistët dhe qytetarët që protestojnë ditë për ditë te Teatri nuk e kane kufizuar veten vetëm te “halli“ i tyre por kanë shkuar më tej duke artikuluar qartë problemet sistemore që kanë cuar te prishja e Teatrit por edhe duke ju bashkangjitur kauzave të tjera, si ajo e studentëve, Astirit apo Opozites.

Protesta e rradhës është ajo e Astirit. Banorët e pjesës së majtë së Astirit, nga ku kalon dhe projekti i Unazës së Re u përballën një ditë prej ditësh me fadromat e një kompanie private që ishte kontraktuar për të kryer punimet në atë zonë. Të trembur dhe revoltuar për të ardhmen e tyre në zgrip, ata u mobilizuan për të krijuar kështu një masë prej 500 600 vetash që për shumë muaj do të kthehej në kokëcarje serioze për Kryeministrin dhe Kryetarin e Bashkisë.
Organizimi politik- Banorët e Astirit pranuan shumë shpejt mbështetjen e Partisë Demokratike në protestën e tyre. Kjo mbështeje nuk ishte vetëm politike, por edhe juridike. Do të ishin resurset e Partisë më të madhe opozitare në vend që do të zbulonte skandalin e koncesionit me garën fake prej 40 milion eurosh për lotin e dytë të projektit. Do të ishte opozita e cila do ti pajiste me uniformat ngjyrë portokalli dhe që do t`i ndihte me asistencë ligjore sa herë që njëri nga banorët përfundonte në ndjekje penale për shkak të përplasjes me Policinë.

Kohëzgjatja: Protesta e Astirit për pak mbush vitin dhe duket se do të ndalet vetëm me zgjidhjen e situatës politike në vend. Banorët e Astirit kanë luajtur një rol kyc në organizimet e fundit të opozitës për shkak edhe të simbolikës së tyre të vecantë me ngjyrën portokalli dhe marshimeve të përbashkëta me eksponentë partiakë.

Rezultati- Fakt është që shtëpitë e atyre që protestuan dhe nuk u bënë pjesë e fushatës së shëmtuar qeveritare qe kishte si subjekt banorët që “vetë“ prishnin shtëpitë e tyre, janë akoma në këmbë. Konteksti sistemor i kauzës së tyre nuk ka ardhur nga vetë banorët e Astirit, por nga garanti dhe mentori i tyre politik: Partia Demokratike. Cështja e Astirit e ka nxitur Opozitën të bëjë një luftë ashpër politike e mediatike kundër koncesioneve në vend dhe, gjithmonë sipas fjalëve të saj, rishikimi i procedurave të dhënies me koncesion, do të jetë prioritet kryesoror i një qeverie të djathtë, sapo kjo e fundit të marrë pushtetin. PPP-të kanë qënë një nga risitë që mazhoranca ka sjellë në politikat shtetërore dhe goditja e tyre padyshim që cënon një pjesë të sistemit që qeveria ka ndërtuar këto 6 vite.

Studentët

Fillesat, zhvillimi dhe mpakja e lëvizjes studentore janë të trajtuara shpeshtazi në shkrimet e tjera ndaj dhe është mirë të përqëndrohemi vetem në tre elementet kryesore që e ndan lëvizjen tonë nga organizimet e tjera.

Organizimi politik- Gjatë dy muajve proteste ajo cfarë thuhej e rithuhej ishte se studentët nuk kishin përfaqësi e për këtë as ndonjë trupë organizimi. Por të gjithë e dimë se kjo nuk qe e vërtetë. Teksa protesta nuk kishte kokë e për këtë ajo nuk mund të kapej nga pushteti, ajo cfarë mund të thuhet tanimë është se ajo kishtë një organizim kapilar autonom për cdo fakultet, megjithëse nuk vonoi të kristalizohej një rakordim mes Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Inxhinierisë së Ndërtimit, Mjekësise etj etj. Ishin këto bërthama fakultetesh që siguronin organizimin e përditshëm të studentëve por mbeteshin me aq, sepse askush nuk guxonte të mvishte mbi veten petkun e përfaqesuesit politik e të negocionte me Kryeministrin.
Kohëzgjatja: Protesta studentore filloi në datën 4 dhjetor 2018 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës dhe u mbyll në 11 shkurt 2019 në Fakultetin e Drejtësisë.
Rezultati: Studentët nuk arritën dot që të ndryshonin sistemin, po as të zgjidhnin hallin e atyre pikave që dolën në sipërfaqe ditët e para të protestës. Ky dështim në planin pragmatik të protestës erdhi si rrjedhojë e një hutimi intelektual që studentët treguan në atë cfare kërkonin. Ata dolën me kërkesa ekonomike ( gjë normale për cdo lëvizje studentore) por më pas, një pjese e tyre filloi të artikulonte gjithnjë e më shumë poilitikisht se ky sistem që jetonin ishte i padrejtë e për ketë duhej të rrëzohej. Megjithatë, parrulla e tyre ishte“ jo politikë“ dhe kjo e pengoi Lëvizjen të kthehej nga dicka e thjeshtë studentore në një lëvizje të gjerë popullore me synime fikse politike.
Ky dyzim midis 9 kërkesave dhe qëllimit për të përmbysur sistemin që të gjithë do donin ta bënin por askush nuk merrte përsipër ta bënte e zvargu protestën derisa e shuajti atë përfundimisht.

Opozita

Lëvizja Studentore e Dhjetorit e grisi fasadën propagandistike të Qeverisë dhe i dha Opozitës një mundësi të artë për të ndërhyrë e për ta rimarrë veten nga zgjedhjet e 2017ës. Djegia e mandatave jo vetëm që shkundi sistemin nga themelet por u duk se kishte për synim shembjen e tij. Zgjatja në kohë e protestave e zhveshi këtë akt nga dramaticiteti i momentit dhe i ktheu ato në një luftë të mirëfilltë politike që e bënte situatën të dukej krejt normale. Mirëpo moshyrja në zgjedhje dhe përpjekja e hapur për të moslejuar zhvillimin e tyre rikthyen dhe njëherë emocionin, frikën dhe kuriozitetin se cfarë do të ndodhë në 30 qershor dhe në ditët që do pasojnë këtë datë biblike. Duket sikur e ardhmja politike Shqipërisë fshhihet pas një xhami të pistë makinë që nuk na lë ne, por as ata që janë ulur në ndenjësen e shoferit të shohin se cfarë kanë përpara. Kjo paqartësi i bën protestat e fundit vendimtare për sistemin politik shqiptar të dekadës qe vjen.

Organizimi politik: Protesta të organizuara nga Opozita Shqiptare
Kohëzgjatja: Protesta e parë Kombëtare e thirrur nga Opozita ka qënë ajo e datës 16 shkurt. Aktualisht, Partia Demokratike dhe Kryetari i saj kanë premtuar se nga e hëna protestat do të jenë të përditshme, deri në ditën e fundit të këtij muaj që është data e zgjedhjeve: 30 qershori.
Rezultati: Teksa ajo që do të ndodhë nuk është më në dorën e profanëve, ne mund të gjykojmë se pretendimet e Opozitës lidhur me ndryshimin rrënjësor të sistemit pasi ajo të vijë në pushtet, e bën këtë të fundit kryefjalë të aksionit opozitar. Premtimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, Kushtetutës, shfuqizimit të Ligjit per Arsimin e Lartë prej nga buroi dhe pakënaqësia studentore i jep opozitës hijen e një kalorësi antisistem pavarësisht se ky kalorës vjen pas një të shkuare 28 vjecare në skutat më të errëta të sistemit që të gjithë duan ta hedhin pas.

Nëse Opozita arrin ta marrë pushtetin dhe nuk vë në jetë ato që ka premtuar, kjo paralajmëron ripërtëritjen e sistemit dhe imunitetin që ai fiton prej lëvizjeje të reja qytetare si rrjedhoje e frymëmarrjes që shoqeria do të ketë pas rotacionit të pritshëm politik. Një marrje e lehtë e pushtetit do të ristartojë një cikël të ri tranzicioni, një vazhdë të re protestash dhe vazhdimin e mendësisë së vjetër ku të gjtihë mendojnë për problemet e tyre dhe asnjë nuk mëton të shkojë përtej halleve personale.
Një e ardhme e tillë, deri tani hipotetike, i përngjan legjendës së vjetër orientale të elefantit që rrethohet nga një grup të verbërish. Njëri prej tyre përqafon këmbën dhe i duket se elefanti ka formën e një kocke që zgjerohet në fund. Tjetri veshin. Një tjetër bishtin e i fundit feckën. Të gjithë mendonin se e dinin cfarë forme kishte elefanti. Të gjithë mendojnë se e dinë cfarë hallësh kanë. Të gjithë i dinë fajtorët, por askush nuk sheh panoramën e plotë të dramës së madhe që luhet mbi fatet e tyre.

more recommended stories

loading...