Prof. Agim Kukeli: ja pse ju flas shqip studentëve Amerikan në Universitetin e Kolorados

Elda Dedja

Pedagogu i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Agim Kukeli, rrëfen mbi eksperiencën e tij të pasur akademike, sfidat e mësimdhënies në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe kënaqësinë që i fal mësimdhënia

Në ecejake të vazhdueshme përmes auditorit, ai studionte me vëmendje çdo detaj, dërrasën e zezë, si do t’i përdorte në mënyrë kreative shkumësat për të shpjeguar idetë e tij, ku do të uleshin studentët dhe si do të komunikonte me ta… Vetëm një javë përpara ditës së tij të parë të mësimdhënies, emocionet ishin të mëdha. Për profesor Agim Kukelin, Universiteti i Kolorados dhe studentët ndërkombëtarë të tij, do të ishin prova e parë në karrierën e gjatë dhe të suksesshme akademike që ai ka sot.

“Është shumë interesante dhe shumë mbresëlënëse, akoma kam kujtime nga dita ime e parë në auditor… Ka qenë vjeshta e vitit 2001 në Universitetin e Kolorados, ndërkohë që sapo kisha përfunduar studimet teorike të Doktoraturës. Ishte hera ime e parë në auditor me të drejta të plota si lektor, ku isha unë udhëheqësi i lëndës. Kam dhënë makroekonomi dhe bankat. Një javë përpara se të shkoja në leksion, kisha merak dhe për auditorin, pashë se ku ndodhej dërrasa e zezë, kam lëvizur nëpër rreshtat e auditorit për t’u familjarizuar me të, por emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme”, tregon ai.
Përgjegjësia e mësimdhënies ishte mjaft e madhe në një auditor të përbërë nga më tepër se 70 studentë, të cilët ishin në prag të diplomimit, ku lëndët ishin të një terminologjie teknike dhe vështirësi e konsiderueshme. Mbi të gjitha, të tilla lëndë në sistemin amerikan të arsimit të lartë, u ofronin mundësinë studentëve të ndërronin pedagogun në rast se mësimdhënia nuk i pëlqente në javët e para, kështu që përgjegjësia përpara auditorit rritej edhe më.

“Përshtypja e parë është shumë e rëndësishme. Gjuha me të cilën ti komunikon, si ti e përcjell mesazhin, çfarë pritshmërish ka lënda, të gjitha këto histori apo fabula e përgjithshme e ditës së parë, është ajo që do të të ndjekë gjatë gjithë kohës. Unë munda t’ia dal në ditën e parë, me gjithë emocionet të cilat për hir të së vërtetës më shoqërojnë edhe sot e kësaj dite sa herë filloj një lëndë për herë të parë”, rrëfen Kukeli duke pranuar se në çdo fillim të ri të lëndës, ka ende thuajse të njëjtat emocione. Thotë se tashmë është kthyer në një rutinë të shkojë tek auditori e të njihet me të paraprakisht.

“Hapësira e auditorit, rreshtat ku do të ulen studentët, ku ndizen e ku fiken dritat, si ndizet kompjuteri, e në përgjithësi të gjitha detajet e vogla, janë shumë të rëndësishme. Një lektor duhet të ndihet komfort me auditorin dhe të mos lejojë që vogëlsira të tilla ta pengojnë në punën e tij.”

Të qenët një pedagog në një vend të huaj, me një auditor që përbëhej nga studentë me formim nga më të ndryshmit, nuk përbënte problem për të. Ai tregon se përkundrazi, dëshira dhe kureshtja e auditorit të tij për të mësuar nga një lektor i huaj bën që të ishte ndër të preferuarit e tyre. Pothuajse çdo semestër zhvillohej lënda Paraja dhe Bankat dhe këtë lëndë e jepnim 6 profesorë, me eksperienca nga më të larmishmet, ku ndër ta edhe një lektor që kish punuar në agjencinë “Office of Comptroller of Currency” që licencon bankat, e megjithatë auditori i profesor Kukelit ishte gjithnjë plot pavarësisht se mundësitë e zgjedhjes ishin të shumta.

“Kur i pyesja studentët se përse kjo zgjedhje, natyrisht përgjigjet ishin nga më të ndryshmet, dikush thoshte se kam dëgjuar se ju jeni më rigoroz, se i përmbaheni silabusit, por ajo që më ka bërë përshtypje është se një pjesë e mirë e studentëve amerikanë ndiqnin leksionin me lektorë të huaj edhe për të pasur një eksperiencë ndryshe. Thoshin se unë nuk do ta kem shansin ta ndjek këtë lëndë me një pedagog që vjen nga Shqipëria, nuk e kam ditur nëse ekziston Shqipëria. Elementi i orës së parë ishte prezantimi i vetes, nga vija unë, sepse një pedagog duhet të tregojë se kush është, që në një farë mënyre ai të vijë më pranë studentit, që t’i tregojë këtij të fundit se është një njeri real, jo një ‘robot’.”

Ai rrëfen mbi rëndësinë që i ka dhënë gjithnjë komunikimit me auditorin: “Ka pasur raste që e kam filluar leksionin edhe në shqip, për t’iu dhënë idenë që unë vij nga një kulturë dhe një formim i caktuar, kam një gjuhë të nënës ndryshe nga kjo dhe me punë, me sakrificë, me vullnet dhe vendosmëri kam arritur të përfundoj studimet e doktoraturës dhe të jem lektori juaj dhe se gjithkush mund të bëhet. Kjo për t’i forcuar te ata vetëbesimin, për t’i nxitur studentët të jenë optimistë për atë që i pret përpara, sepse me punë e vendosmëri gjithçka mund të arrihet.”

Është vlerësuar si pedagogu më i mirë i vitit në vitin 2003, në universitetin ku ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kukeli tregon se në auditor i ka dhënë gjithnjë rëndësi, krahas përgatitjes së tij personale, mënyrës se si studentët do të prisnin shpjegimin e tij.

“Gjithmonë më ka krijuar emocion fakti se si studenti do ta presë leksionin tim, ndërkohë që kam qenë gjithnjë konfident në përmbajtje, në atë çfarë dua të them dhe çfarë duhet thënë në leksion, shqetësimi është nëse do të kesh reagim nga studentët, nëse do të arrijnë të marrin ata nga kjo lëndë më të mirën e mundshme, të cilën mund ta shfrytëzojnë për lëndë të tjera ose karrierën e tyre akademike më vonë…”, thotë Prof. Dr. Kukeli.

Nga eksperienca e pasur në mësimdhënie, në vende të ndryshme të botës, ai thekson faktin se kudo studenti është i njëjtë.

“Në një farë kuptimi unë them se studentët janë njëlloj, pavarësisht se nga vijnë, në kuptim e përgjegjshmërisë, të të mësuarit, në kuptimin e IQ-së, në kuptimin e formimit; zakonisht kanë vetëm ndryshime kulturore.”

Në Shqipëri është rikthyer për të dhënë mësim në vitin 2006, në Universitetin e Durrësit, por edhe atje ka dhënë mësim në anglisht, si rezultat i kërkesës dhe dëshirës së studentëve të tij asokohe. Përgjatë gjithë karrierës së tij akademike ka dhënë mësim në 12 universitete, në pjesën më të madhe në SHBA, por edhe në Shqipëri, trevat shqiptare, si dhe në Republikën Çeke, me një portofol lëndësh të pasur në ciklin Bachelor, Master e Doktoraturë dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe detyra të rëndësishme administrative, si drejtues.
Liberale.al