Të gjithë e dimë kush e ka militantin më të madh, prandaj …

Nga Vëlla Shkumbini
Unë besoj se politika është një gjë dhe militantizmi një gjë tjetër.
Është si të krahasosh debatet në shkollën e trajnerëve në Coverciano me sherret mes fanatikëve të Tironës dhe atyre të Partizanit.
Në Shqipëri nuk ka aq shumë politikë, kryesisht ka militantizëm dhe pikërisht ky militantizëm ka formëzuar sjelljen e kryesisë politike të vendit tonë deri më sot.
Kemi disa vjet, që pas rënies së koalicionit PS – LSI që opozita ka marrë rrugët dhe herë këtu e herë atje ndez ndonjë konflikt të vogël. I duhet dhënë meritë Lulzim Bashës që deri tani ka përmbajtur militantin e partisë së tij nga veprimet ekstreme.
Gjithsesi po vërehet njëfarë angazhimi për ta çuar në limit militantin e djathtë dhe atë integrims, deri ndonjëherë sa duket se do shpërthejë dhuna.
Këtu në fakt dua të ndalem, sepse duket sikur ka një tendencë për të paraqitur një rrezik të militantit të djathtë, atë integrimsin e lëmë fare. Ka një tendencë si ta them, sikur paralajmërohet Qeveria, sikur i thuhet: “Kujdes mos e shkel këtë vizë, apo atë vizë, se pastaj militanti i djathtë do të bëjë gjëmën!”.
Tani, nga njëra anë duhet pranuar se militanti i djathtë ka njëfarë talenti për dhunë, por ajo është e pakrahasueshme me talentin, organizimin dhe fuqinë shprehëse të militantit të majtë.
Nëse ka një militant me rrezikshmëri të lartë “plus” në Shqipëri, ai është militanti i majtë. Kjo është jashtë diskutimit.
Prandaj rreziku më i madh që shoh unë tek militanti i djathtë, është që me atë zhurmën e vet folklorike do na zgjojë militantin e majtë që tani ja ka këputur gjumit për shtatë palë qefe, i kënaqur nga sukseset e kapitenit të vet.
Po nëse militanti i djathtë fillon dhe i pret rrugën, apo bën ndonjë gjest që nuk pëlqehet nga kapiteni, atëherë kapiteni do gërthasë, do kthejë në lojë militantin e tij besnik të majtë, e pastaj aty fillojnë problemet, se herën e fundit që militanti i majtë u zgjua ishte 97’.
Do thoni ju, po këto janë protesta të popullit. Po lëreni popullin e qetë, se populli në këtë orar është në gjumë.
Nëse e djathta do të kthehet në pushtet, e vetmja mënyrë është të bëjë atë që bëri në 2005, kur bëri një marrëveshje për ndërrim pushteti. Me dhunë apo forcë, sikur edhe ligjore, nuk ka asnjë shans, asnjë. E majta e ka militantin më të madh!