FAKTI | Vendimi i fshehtë i 4 anëtarëve të PS në KQZ, si u shkel ligji për Gjinushin

—————————————————

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Fleta e votimit për këshilltarët bashkiakë, që kishte të renditur në numrin 28 të saj kryetarin e Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushin, është ‘zhdukur’.

Në shkelje të hapur të ligjit dhe në fshehtësi të plotë, katër anëtarët e majtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë vendosur ta çregjistrojnë Gjinushin si kryetar të PSD-së dhe t’i hapin rrugë dekretimit të tij si kryetar i Akademisë së Shkencave.

Por pavarësisht kësaj, katër anëtarët e PS-së në KQZ, Denar Biba, Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri vendosën të pranojnë në shkelje të ligjit kërkesën e Gjinushit për t’u çregjistruar si kryetar i PSD-së. KQZ-ja pranoi që pak orë pasi Gjykata kishte marrë një vendim për të ndryshuar emrin e drejtuesit të një subjekti politik, ta fusë atë çështje menjëherë në rendin e ditës dhe të dalë me një vendimmarrje.

Duke pranuar një vendim gjykate, i cili s’ka marrë ende formë të prerë, KQZ-ja i ka hequr mundësinë çdo ankimuesi që të apelojë vendimin në Gjykatë. Në pikën 5 të vendimit të Gjykatës thuhet “Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 ditëve, afat i cili për palën kërkuese fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.

1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimin e Gjykatës së Tiranës përpara maturimit të tij, duke mohuar të drejtën e kundërshtimit të ankimuesve të mundshëm.

2. Skënder Gjinushi ka bërë fushatë dhe është zgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave, duke qenë ligjërisht si kryetar i PSD-së.

3. Skënder Gjinushi si kryetar i PSD-së ka qenë anëtar i paligjshëm në Asamblenë e Akademisë së Shkencave.