45 vite diktaturë- jetë e zhytur në terror, dhimbje, frikë. . .

Nga Keijsi Haci

Brezi ynë nga historitë e thëna e të shkruara ka mundur vetëm të imagjinojë sadopak dhimbjen që është përjetuar gjatë atyre viteve. Të jetuarit në izolim brenda mureve të prapambetjes dhe injorancës social-politike, izoluar fizikisht e mendërisht, rrethuar nga paranoja mos përgjohesh e spiunohesh për fjalë goje nga të largët e të afërt ka krijuar qasje të vështira për t’u kapërcyer në breza. Një brez ushqen tjetrin, një periudhë analizon të mëparshmen. Në largësi na është dukur si një jetë që nuk i përkiste atyre, nuk e donin por duhet ta donin, nuk i linte zgjidhje por duhej ta gjenin një të tillë, mezi pritnin ta ndryshonin dhe e arritën, por ama ashtu si mundën.Ishte zgjidhje e induktuar, jo e ofruar nga një rrjedhojë llogjike e lëvizjes popullore, e cila të shembte nga themelet atë të keqe që mbërtheu këtë vend e popull për aq shumë vite.
Në kohët e sotme lind natyrshëm pyetja:A duhet ta lemë të shkuarën pas krahëve? Shumë mendojnë se duhet lënë pas, qoftë dhe për të harruar, por kjo është mendësi e gabuar dhe frikacake, e cila nuk le shteg për analiza, krahasime, mësime për t’u përmirësuar, por kurrë për të harruar.
Partia mbi individin dhe të qenurit partiak mbi të qenurit njerëzor ka arritur të ushtrojë peshën e vet edhe mbas 29 viteve demokraci. Prej kësaj shtypjeje në dekada mund të kuptojmë më mirë mungesën e nje sistemi të centralizuar politik, si udhëhiqemi, nga kush, e cfarë mendësie na rrethon ne si shoqëri. Por në të njëjtën kohë duhet të pranojmë që paçka se jemi të udhëhequr nga një klase politike e papërshtatshme ose jo, përsëri jemi më mirë seç ishim, ndoshta na duhet pak më shumë kohë të bëhemi më mirë se sa jemi. Sot nuk mund të ecim përpara nëse nuk mësojmë se cila është e shkuara jonë e të kuptojmë që deri më sot e vetmja gjë që ka ndryshuar është regjimi i ashpër diktatorial dhe sistemi qeveritar por jo individët, jo mendësia, jo shoqëria e fatkeqësisht jo psikologjia jonë. Thellë-thellë ndihemi përsëri të mbyllur, në përmasa më të vogla por jo të padëmshme. Në botë nuk na njohin shumë, ose njohin atë që shkruhet, siç ndodh zakonisht rëndom nëpër vendet e vogla ish-komuniste. Disa artikuj ose faqe të vogla gazetash nuk mund të shfaqin gjithë mundimet e një populli për pak liri individi në diktaturë e liri shpirti në demokraci, për pak hapësirë mendimi ndryshe. Demokracia ka mundur të vijë pak më e modifikuar dhe jo aq brenda kornizave të asaj çfarë bota njeh si demokraci. Të mos qenurit të lirë në asnjë drejtim e ndërthurur me varfërinë materiale e morale na ka bërë të përjetojmë dashuri të pangopur për pak pushtet, qoftë ai dhe fals ose inekzistent, mjaft sa për të kënaqur atë imagjinatën e vogël ideale në mendjen e shoqërisë tonë dikur të izoluar.
Kalbja e një sistemi politik mund të influencohet nga shoqëria në të cilën ushqehet e rritet por ajo e arrin fundin e saj moral dhe funksional nga ata të cilët drejtohet dhe kanë fuqi të plotë mbi të. Shoqëria jonë, si pasojë e të qenurit peng i nje regjimi shumë të ashpër diktatorial dhe në vijim i një demokracie jo të duhur në vija të përgjithshme, ka mundur të ngrejë kultin e individit në përmasa kolosale. Ne vazhdojmë e ndjekim figura paranojake dhe “injorante”, pa skrupuj, pa ideologji e pa pikë idesh inovative në atë që përfaqësojnë. Ndoshta ky ka qenë pjesë e problemit, pse ishim atje ku ishim, pse jemi këtu ku jemi, pse nuk po ecim dot shumë më përpara siç duhet të kishim ecur. Kufizimi intelektual dhe barriera e informacionit na lartësuan imazhin e të parit, të paprekshmit, të gjithëditurit i cili nuk zotëron asnjë lloj kredibiliteti qoftë politik apo moral. 29 vite ndoshta nuk janë mjaftueshëm për të shëruar plagë të tilla. Por dicka dihet; këto plagë kurrsesi nuk mund të shërohen nga ata që i shkaktuan e tani po i thellojnë. Respekti dhe bindja absolute për jo të duhurin, për atë që është në krye megjithëse ajo ç’ka ofron është boshe, është një minus i madh për vendin tonë.
Ndryshimi dhe fryma e re janë esenciale, por kjo përpjekje do të përmbushet kur mendësia për të shkuar përpara të ndryshojë. Kur të mësojmë që e shkuara është ajo që na solli deri këtu, ta përbuzim por ama ta pranojmë e mos të përsërisim të njëjtat gabime; kur të arrijmë të pranojmë që liderët nuk janë intelekti i një vendi; kur të kuptojmë që politika nuk bëhet nga një grumbull i vjetër njerëzish të dalë boje, por pikërisht nga këta njerëz e kjo shoqëri, e cila vuajti për vite të tëra për progres dhe nuk është aspak gati për të hedhur hapa regresi. Atëherë ndoshta do të jetë koha, në të cilën do të ndjejmë rotacion të vërtetë politik, ideologjik dhe jo thjesht rotacion formal të fshehur pas perdes së demokracisë sonë të moderuar, e cila turpshëm bën sikur na e lejon të drejtën e votës, por në të njëjtën kohë edhe na e rrëmben atë dhunshëm.

more recommended stories

loading...