Cili është problemi i Shqipërisë dhe pse duhet të fitojë PD-ja?

Nga Indrit Vokshi/

Është “gjeopolitika e brendshme” ku Partia Socialiste për rivalitet pushtetor e ka gjetur shpëtimin dhe garancinë tek mafia. Tek grupet.
Paraja e madhe në lojë e detyron atë të marrë më shumë pushtet se sa i jep kushtetuta.

Është e detyruar se ndryshe nuk mbijeton pakti. Prandaj nuk mjaftojnë pushteti parlamentar e qeveritar, duhet edhe pushteti i gjykatave dhe i prokurorive. Pse? Që aktet përmes të cilave mafies i jepen para, si psh kullat, konçesionet, tenderat, të mos hetohen. Të mbrohet pakti.

Madje i duhet edhe pushteti i medias që ky pakt të mos sulmohet e demaskohet publikisht.

I duhet opinioni publik me vete, prandaj çdo natë, emisione dhe analistë shfaqen dhe deklarojnë se kjo është qeveri e dashur për njerëzit dhe botën. Ndërsa një pjesë tjetër, pranojnë se kjo qeveri ka gabuar por, arsyetojnë se skemi me kë ta zëvëndësojnë sepse opozita është më e keqe dhe të gjitha palët janë njëlloj. Prandaj meqë nuk kemi me kë ta zëvëndësojmë, duhet ta mbajmë ketë qeveri.

E gjitha kjo thuhet dhe propagandohet sepse në lojë është para e madhe. Janë kulla, konçesione, tendera. Janë miliarda. Dhe këto miliarda nuk mund të kërcënohen nga fjalët liri, demokraci, shprehje e lirë, votë e lirë. Imagjino të votojnë njerëzit kundër dhe të ikin miliona euro nga duart! Të humben aq milion veç se iu tek njerëzve të mos votojnë qeverinë? Ndaj zgjedhje ska.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike në gjeopolitikën e brendshme gjendet përballë një lufte për mbijetesën e saj si forcë pushteti. Gjendet përballë shumë njerëzve të cilët synojnë ta delegjitimojnë duke e akuzuar se lufton për pushtet. Pra PS ka të drejtë të luftojë për të qenë lob pushteti, ndërsa PD akuzohet po për ketë. Kështu është përpunuar opinioni, pa marrë parasysh se gjithkund në glob partitë e kanë instikt normal pushtetin.

Interesi i mafies dhe i konçesionarëve është që pushteti të mos ndërrojë, PD-ja të mos fitojë. Kjo pasi interesat e tyre janë lidhur me PS-në.
Dhe PD është gjendur përballë një batareje të dendur dezinformimi për të, duke e akuzuar deri edhe si parti ruse. Është gjendur përballë kritikës se është shumë e butë me PS-në dhe, kur ska qenë më e butë por është ashpërsuar me PS-në, po të njejtët e kanë akuzuar për radikale e destruktive. Pra opinioni pilotohet me qëllim delegjitimimin e PD-së.

Nga ana tjerër PD-ja ka problemet e saj organike, strukturore dhe ideologjike. Procesi i tranzicioni nga njëri kryetar tek tjetri ka shkaktuar efektet e veta anësore. Këto janë të pashmangshme dhe PD-së i ka ndodhur ajo çka ndodh me shumë parti e monarki pas një pushteti të një lideri autoritar.

Në këto dy plane; të problemeve të saj të brendshme dhe të aleancës PS-Grupe, me shumë para e media, shumë të dhunshëm dhe manipulues, PD-së i duhet të mbijetojë dhe të fitojë.

Demokracia e pambërritur shqiptare, stabilizimi, nevoja për tolerancë prej shtetit, nevoja për t’i zbrapsur grupet, janë arsyet pse duhet ta sjellim PD-në në pushtet.

Nuk mund që t’i lejojmë një partie, PS-së, të akumulojë pushtet, të bëhet sa më absolute, të konsolidojë interesat e grupeve dhe kullave dhe të mos kemi më mundësi ta largojmë, vetëm se sna pëlqen diçka tek PD-ja. Smund t’i japim kohë.

Partia Demokratike e Shqipërisë është instrumenti ynë, arma jonë, për ta luftuar dhe për ta prishur atë pakt shumë të rrezikshëm midis PS-së dhe të tjerëve, pakt i cili po e shkatërron dhe diskretiton Shqipërinë.