Shqiponjat shqiptare rikthehen në Kabul. 2 kontigjente paqeruajtse nisen për në Afganistan

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku mori pjesë paraditen e sotme në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit III shtesë dhe të kontingjentit X paqeruajtës, të Forcës Tokësore për në Kabul, Afganistan, në kuadër të kontributit të vendit tonë në misionin e NATO “Resolute Support Mission”.

Në ceremoninë e organizuar në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, morën pjesë gjithashtu edhe komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Albert Mullai, komandanti i Komandës së Mbështetjes, gjeneral brigade Ndriçim Sallaku, atasheu ushtarak turk i akredituar në vendin tonë, kolonel Şakir Cumhur Somer, si dhe familjarët e efektivëve që u nisën në mision.

Në përshëndetjen e tij drejtuar trupave të kontingjenteve paqeruajtëse, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku u shpreh ndër të tjera: “Misioni juaj është shumë i rëndësishëm, ndaj ju jeni zgjedhur me kujdes, pas një procesi të gjatë dhe transparent testimesh dhe trajnimi. Ju jeni trajnuar më së miri nga komandantët tuaj prandaj unë jam i sigurt që ju do të dini të tregoni në praktikë vlerat më të larta profesionale ushtarake dhe njerëzore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ju do ta mbani lart flamurin kombëtar, pasi ju jeni ambasadorët tanë me uniformë. Unë e di që misioni është i vështirë, por kam besim që ju me stërvitjen dhe me komandantët që ju drejtojnë dhe me mbështetjen që do të keni nga aleatët dhe miqtë tanë turq në mision, ju do ia dilni mbanë.”

Gjithashtu, gjatë përshëndetje së tij, gjeneral brigade Kollçaku vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm midis FA të Republikës së Turqisë dhe FA të Republikës së Shqipërisë, si dhe adresoi një falënderim të veçantë për mbështetjen dhe ndihmesën e dhënë për FARSH.

Duke përfunduar, gjeneral brigade Kollçaku i siguroi familjarët e trupave që nisen sot në mision, se ministrja e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ai personalisht do ju qëndrojnë gjithmonë pranë vajzave dhe djemve të tyre gjatë gjithë periudhës së misionit të tyre të vështirë në Afganistan.

Nga ana e tij, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, duke e cilësuar të veçantë këtë ceremoni për shkak se kontingjentet e sotme mbartin vlera të shtuara dhe kanë më shumë përvojë të përfituar nga stërvitjet dhe misionet e mëparshme, u shpreh: “Ky është një moment që na bashkon të gjithëve, për tu transmetuar fjalë zemre, për të shprehur besimin në suksesin e misionit dhe për tu dhënë bekimin gjithsecilit prej jush. Kam besim të plotë në vlerat tuaja morale dhe profesionale kryesisht në përkushtimin tuaj. Tregohuni të dashur me eprorët dhe me njëri-tjetrin, tregohuni qytetarë dhe njerëzorë me vendasit në kryerjen e shërbimit, pasi ju shkoni për të mbrojtur ata.”