Pse dekreti i presidentit Meta nuk mund të gjykohet veçse nga Gjykata Kushtetuese

Pak ditë më parë shkrova një artikull ku, në një farë mënyre, analizoja mënyrën se si po vihej në jetë reforma në drejtësi, duke shprehur shqetësimin tim personal dhe profesional në lidhje me mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Dhe për fatin tonë të keq, rëndësia e mungesës së Gjykatës Kushtetuese po duket qartazi dhe po arrihet të perceptohet nga çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, sidomos tani që Presidenti i Republikës vendosi të çdekretojë dekretin e tij të mëparshëm, i cili kishte përcaktuar datën 30 Qershor si datë për zgjedhjet vendore.

Si rrjedhojë ka lindur një debat shumë i fortë mbi të drejtën që ka ose jo Presidenti të çdekretojë, e ka apo nuk e ka në kompetencë një gjë të tillë, ku mund të ankimohet ky dekret i dytë i Presidentit në Gjykatën Kushtetuese apo atë administrative, dhe mbi të gjitha a mund të diskutohet për nullitet? Do të doja të jepja një mendim të bazuar juridik mbi këtë pikë, me përgjegjshmëri qytetare dhe asnjanëse. Qëllimi i vetëm i këtij artikulli është të kontribuojë sado pak për të qartësuar nga ana juridike këtë situatë, e cila mund të ketë pasoja shumë të rënda në perceptimin dhe respektimin e rendit kushtetues.

Vijmë tani tek rasti konkret ku Presidenti çdekreton datën e zgjedhjeve. Termin çdekretim Kushtetuta nuk e përmend shprehimisht, dhe kjo bën që të lindin pikëpyetjet mbi këtë akt të presidentit, nëse është apo jo i drejtë, dhe kush duhet të vendosë mbi këtë fakt.

Kemi KQZ që është shpreh se jemi përpara një akti administrativ nul (për ata që nuk janë juristë do të thotë: një akti i pavlefshëm që nuk mund të sjellë pasoja;) dhe për këtë nuk jemi të detyruar ta zbatojmë. Në vijim të shprehjes së KQZ ishin pa fund rradhët e juristëve që u mbështetën tek nuliteti, duke e konsideruar dekretin e Presidentit akt administrativ individual.

Pyetjet që lindin natyrshëm janë: a mund të jetë dekreti i fundit i Presidentit akt administrativ individual? Dhe a mund ta gjykojë atë gjykata administrative dhe jo ajo Kushtetuese?

JO, për disa arsye:

  1. Për faktin se Presidenti është një institucion/organizëm kushtetues dhe si i tillë, çdo veprim i tij i cili do të gjykohet për pajtueshmëri apo jo me kushtetutën, mund dhe duhet të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe asnjë gjykatë tjetër.

Por disa juristë, që janë shprehur për të kundërtën, do të pyesnin se ku bazohet ky pohim?!

  1. Mjafton të lexojmë mbi rreshtat e Kodit i Procedurave Administrative dhe aty do të gjejmë përkufizimin e aktit administrativ individual: “Akti administrativ individual është çdo shprehje e vullnetit nga organi publik, në ushtrimin e funksionit të tij publik, kundrejt një apo më shumë subjektesh të përcaktuara individualisht të së drejtës, I cili krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete;” Pra, akti administrativ individual (me të cilin lidhet koncepti i nulitetit apo subjekt shqyrtimi nga gjykata administrative) është shprehje e vullnetit të organit publik.

A është Presidenti i Republikës organ publik?

Prapë nuk kemi nevojë të bëjmë teori juridike,  mbasi vetë Kodi i Procedurave Administrative, shumë qartë ka përkufizuar organin publik: “Organ publik është çdo organ i pushtetit qendror, i cili kryen funksione administrative, çdo organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative; çdo organ i pushtetit vendor që kryen funksione administrative; çdo organ i Forcave të Armatosura, për aq kohë sa kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve administrative publike.” Për të sqaruar lexuesin jo jurist, po sqaroj se konform legjislacionit në fuqi, Presidenti nuk hyn në asnjë prej kategorive të mësipërme dhe, për këtë, dekreti i tij nuk mund të jetë akt administrativ individual, dhe për pasojë nuk mund të jetë objekt shqyrtimi i gjykatës administrative por vetëm i Gjykatës Kushtetuese!

Të gjithë ne duhet të kuptojmë që mungesa e Gjykatës Kushtetuese na solli në ditën që jemi sot, në një kolaps institucional, pasi mungesa e një organi ligjor mbi palët (Gjykatë Kushtetuese) që të gjykojë mbi aktet që institucionet nxjerrin apo do të nxjerrin (qofshin këto të Presidentit, Parlamentit, apo të Qeverisë) sjell një mungesë të theksuar besimi dhe përplasje institucionale që cënojnë thelbin e një shoqërie demokratike; PARIMIN E NDARJES SË PUSHTETEVE.

Dhe të mendosh që Gjykata Kushtetuese me shumë pak përpjekje të palëve mund të ishte rizëvendësuar pa cenuar aspak implementimin e Reformës në Drejtësi. Pavarësisht se me shumë vonesë, le të urojmë që palët të mundësojnë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në frymën e Kushtetutës, të bashkëpunimit dhe interesit kombëtar.

Av. Enkeleida Pulaj

Ph.D në të Drejtë Private Europiane

Universiteti i Roma Tre, Itali