Itali, Slavini e Di Maio bashkëpunim për të evituar krizën qeverisëse

Rreth mesnatës së djeshme, kryeministri italian Conte ka zhvilluar një takim për rreth 2 orë me dy zëvendëskryeminsitrat Matteo Salvini e Luigi Di Maio, në fund të të cilit kanë shtrënguar duart me premtimin se do të ndjekin një linjë të përbashkët në politikën e komunikimit me Bashkimin Evropian për të evituar procedurën e gjobëvënies që gjatë javëve të ardhshme Komisioni Evropian pritet të aplikojë ndaj Italisë për shkelje të rregullave fiskale të vendeve anëtare.

Takimi i mesnatës ka vendosur adoptimin e një strategjie veprimi në rrugën e bashkëpunimit me Evropën nën konsultimin e teknikëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e të Ministrit Giuseppe Tria.

Dy zëvendës kryeministrat Matteo Slavini e Luigi Di Maio janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë për të evituar krizën qeverisëse e në propozimin e kryeministrit Conte janë dakordësuar për hartimin e një pakti të ri qeverisës deri në fund të kësaj legjislature. Takimi i pak orëve më parë vendosi që sot Këshilli i Ministrave të marrë në diskutim draftligjin bis mbi sigurinë i propozuar nga Ministri i Brendshëm Matteo Salvini si dhe të përshpejtojë procedurën legjislative të propozuar nga 5 Yjet mbi vendosjen e kufirit të pagës minimale.

Di Maio e Salvini mbeten të hapur të dialogojnë mbi taksën e sheshtë të propozuar nga lideri i Lidhjes e mbi procedurën e dënimit me burg për shmagësit e mëdhenj të taksave, propozim ky i Lëvizjes 5 Yje. Pas takimit që përfundoi rreth orës 01:00 të natës së shkuar, Matteo Salvini u shpreh për gazetarët: “Gjithçka mirë. Qeveria vazhdon punën, do të evitojmë gjobëvënien e Bashkimit Evropian duke garantuar zhvillim ekonomik, punë e shkurtim taksash.” Koment ky në përputhje dhe me deklaratën e lideri të 5 Yjeve, Luigi Di Maio, i cili tha se “takimi qe mjaft pozitiv e prioriteti i përbashkët është shkurtimi i taksave.”