ANALIZA/ Rama po qeveris përmes krizave, që njerëzit të mos i kërkojnë llogari

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi në një takim me simpatizantë të Partisë Socialiste, se ai e ka ditur që presidenti Ilir Meta do të anullonte zgjedhjet.

Unë jam tre hapa para tyre gjithnjë, u mburr Kryeministri.

Mirëpo ditët kalojnë dhe duket se tre hapat janë vetëm një iluzion apo dëshirë. Pasi nëse do të kishim këtë distancë në veprime, sot shumica do të kishte bërë të qartë skemën e veprimit. Një skemë inteligjente të themi dhe izoluese. Në fakt po shohim të kundërtën. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën kamikazin duke ndërmarrë akte që nuk mbështeten në ligj. Shumica po thotë se do shkarkojë Presidentin ndërkohë që ka miratuar një rezolutë ku nuk përmendet gjëkundi shkarkimi.

Njëri thotë se zgjedhjet do të shtyhen, tjetri se ato do të mbahen më 30 qershor. Ku është shahu këtu?

Asgjëkundi.

Palët po bëjnë interpretimet e tyre të Kushtetutës duke injoruar rrezikshëm një element: autoritetin që ka njëri apo tjetri sipas Kushtetutës. Nëse Presidenti nxjerr një dekret, ai nuk mund të shpërfillet, por shqyrtohet në gjykatë. Nëse kryeministri thotë do bëj zgjedhjet kur dua unë, ai ka të gjithë të drejtën me vete, por në emër të kujt autoriteti e thotë këtë.

La ta shohim disi më ndryshe.

Qeverisë dhe shumicës nuk i intereson konfrontimi, pasi konfrontimi është në interest ë të dëshpëruarve. Ajo ka me vete mandatin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe menaxhon në mënyrë të dyshimtë, por gjithësesi jo fare ilegjitime, mbushjen e Parlamentit me listarët që gjen aty këtu. Situatë normale nuk është, por në një sistem si yni, gjykata mund ta merrte në konsideratë një gjë të tillë.

Palët i rrinë larg gjykatave, po mbrehin gjuhën politike. Por ajo çon në përplasje dhe parimet e Kushtetutës i japin Presidentit tagrin e marrjes së kontrollin në një situatë të jashtëzakonshme. Edhe sikur të gjithë të jemi me shumicën, ajo duhet ta provojë fajësinë e kreut të shtetit, pra të bëj de facto dhe de jure nul aktet e tij e mandej të kërkojë zgjidhjen. Kjo nuk po ndodh.

Dhe kjo është një nga kriza e fundit që i kanë zënë frymën qeverisë së tij. Më parë ishte djegia e mandateve të opozitës dhe revolta e studentëve, dhe para tyre skadalet e Tahiri dhe Fatmir Xhafës. Por qeverisja është me frena dorë ngritur, gati të ndalojë në stacion…