5 fakte të çuditshme për kujtesën | pse harrojmë gjërat

 

Kujtesa mund të bëhet shumë e gjallëruar. Ajo koleksionon detaje të vogla që nga fëmijëria dhe prapë se prapë na lë të habitur se ku i lamë çelësat.

Ka tipe të ndryshme memorizimesh dhe truri ka një mënyrë unike për të harruar secilën prej tyre. Psikologët kanë klasifikuar mënyra të ndryshme përmes të cilave ne harrojmë dhe biologët kanë studiuar mekanizmat e harresës në nivelin qelizor.

Ata gjetën se të harrosh është normale dhe në fakt vitale për mënyrën se si truri funksionon. Këtu gjeni një paraqitje të fakteve të çuditshme se si njerëzit i harrojnë gjërat.

1) Si zhduket kujtesa duke hyrë në derën e një dhome.

Në një dështim të zakonshëm, por të mistershëm të kujtesës që zgjat pak, njerëzit e gjejnë veten në një dhomë, por pa u kujtuar se për çfarë shkuan aty. Hulumtuesit thonë se në këto rrethana fajin e ka hyrja e derës. Veprimi i të ecurit në vetvete mund të sinjalizojë trurin se një skenë e re po fillon dhe se duhet të magazinojë tutje kujtimet e mëparshme dhe si rrjedhim shkakton gabime të çuditshme në kujtesë.

“Hyrja ose dalja nga një derë shërben si një ‘ngjarje kufitare’ për mendjen e cila ndan episodet e veprimtarisë dhe i ruan ato më tutje,” thotë Gabriel Radvansky, psikolog i Universitetit Notre Dame, në një intervistë të vitit 2011 për Live Science. “Rikujtesa e vendimit ose e veprimtarisë që ka qenë bërë në dhomën tjetër është e vështirë për shkak se memoria është fragmentuar.”

2) Aktivitetet që fshijnë mendimet.

Edhe pse të rralla, disa aktivitete mund të rezultojnë në humbjen e përkohshme të kujtesës si dhe në tru të mjegulluar, e quajtur amnezia globale e rastit. Për shembull, është raportuar se seksi te disa pacientë shkakton këtë problem në kujtesë duke harruar ditën e kaluar ose më shumë si dhe duke pasur vështirësi në formimin e kujtimeve të reja.

Njerëzit që kanë amnezi globale të rastit nuk vuajnë nga efekte anësore serioze dhe problemet e kujteses zakonisht zhduken në pak orë. Por, nuk është e qartë se si ndodh kjo dhe skanimet e trurit të pacientëve që kanë këtë lloj amnezie nuk shfaqin shenja të dëmtimit në tru apo goditje.

3) Kujtimet mund të vazhdojnë të jenë edhe nëse ne nuk kemi akses në to.

A mundet që këngët e harruara të jetojnë brenda kokës sonë pa e ditur ne?

Në një raport të vitit 2013 të një rasti të çuditshëm në revistën “Frontiers” në neurologji hulumtuesit përshkruanin një grua që kishte haluçinacione muzikore të këngëve që ajo nuk i njihte, por të tjerët po. “Në dijeninë tonë ky është rasti i parë i haluçinacioneve muzikore për këngë të panjohura, por që të tjerët në vendin e pacientes i njihnin,” shkruajnë hulumtuesit.

Shkencëtarët thonë se gruaja ka gjasa ti ketë njohur këngët në njëfarë pike dhe pastaj i ka harruar. Rasti ngre pyetjen se çfarë ndodh me kujtimet e harruara, thanë ata dhe sugjeruan se ato magazinohen në disa forma në tru që i shndërron në të aksesueshme, por prapë të panjohura. Ka mundësi që gruaja të ketë pasur ruajtje fragmentare të kujtimeve muzikore me një pjesë kryesore të kujtimeve të humbura. Si rezultat ajo nuk mund të njihte ato kujtime, thanë hulumtuesit.

4) Truri mund të jetë i programuar për të harruar fëmijërinë.

Kujtimet e hershme të fëmijërisë tonë zhduken dhe ka arsye të mundshme për këtë, thonë hulumtuesit. Shumica e njërëzve nuk rikujtojnë kujtime nga vitet e para të jetës, zakonisht përpara moshës 3 ose 4 vjeç. Kjo quhet amnezi infantile. Më parë shkencëtarët mendonin se kujtimet e hershme ishin aty, por thjesht fëmijët nuk kanë aftësinë gjuhësore për t’i shprehur me fjalë.

Gjithësesi, kërkimet e reja kanë treguar që fëmijët formojnë kujtime gjatë viteve të hershme, por i harrojnë nëpërmjet mekanizmave graduale. Një shpjegim i mundshëm për këtë është se zhvillimi i trurit, ndërkohë që rritet në mënyrë eksponenciale dhe gjeneron qeliza, fshin kujtimet e ruajtura.

5) Dëmtimet e trurit mund të shkaktojnë harresë.

Është e mundshme të harrosh kujtime madje përpara se të kishin shansin që të ruheshin, si rrjedhojë e dëmtimeve të strukturës së trurit që janë të përfshira specifikisht në trajtimin e formimit të kujtimeve, mirëmbajtjen dhe rikujtesën. Dëmtime të këtyre zonave mund të rezultojë në forma të çuditshme amnezie

Në një nga rastet më të studiuara të kësaj amnezie pacienti H.M humbi aftësinë për të formuar çdo lloj kujtimi të ri pasi u hoq një pjese e trurit, hipokampusi, gjatë një operacioni kirurgjikal për të trajtuar epilepsinë e tij.

Një tjetër rast i famshëm regjistron historinë e pacientit E.P i cili kishte fat të ngjashëm pasi kishte inflamacion të trurit për shkak të një virusi.

Burimi: Skeptik