Thellimi i krizës dhe asimetria politike janë çështjet që duhet t’a shqetësojnë kryeministrin

Nga Eden Kollçinaku

Kërkesa e Ramës për të mbajtur [me çdo kusht] zgjedhjet në 30 Qershor është një kërkesë për të sunduar. Nëse gjysma e popullit nuk do që të hyjë në zgjedhje, kryeministri duhet të gjejë zgjidhjen më efikase për të përfshirë gjithë aktorët politikë, nëse atij i intereson vërtet siguria kombëtare.

Për pjesën e konstitucionalizmit, nëse Rama e respekton Kushtetutën — siç është zotuar kohët e fundit — duhet të shkojë me vullnetin e vet drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Parlamenti nuk është legjitim. Nuk ka opozitë. Për t’a rënduar edhe më shumë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

Rama ka një problem shumë të madh: bie në kundërshtim me veten e vet. Sjelljet që po bën kohët e fundit janë sjellje që tregojnë një lakmi të madhe për pushtet — nuk ka asnjë axhendë për të mirën, zhvillimin dhe prosperitetin e vendit. Është mëse e qartë për këdo. Ai po mundohet të largojë Presidentin, i cili është i vetmi aktor që ka shprehur vullnetin për të dalë mbi palët dhe për të zgjidhur këtë ngërç politik.

Elektorati socialist duhet t’a pranojë dështimin e Ramës: zero investime të huaja, rritje e nivelit të korrupsionit, largim masiv i shqiptarëve, asnjë punë në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë shqiptare (gjëra që nuk ia vlen të përmenden më, i dinë të gjithë tashmë.) Votuesit e majtë duhet të kuptojnë se kokëfortësia e Ramës është kundër interesit të tyre dhe atij kombëtar.

Që prej largimit të opozitës nga Parlamenti, e vetmja gjë që Rama ka bërë është thellimi i asimetrisë politike në Shqipëri. Parimisht, detyra e tij si kryeministër është të mos lejojë zhvillimin e kësaj asimetrie, por t’a pengojë atë. Kudo ka asimetri politike, por jo kaq radikale sa në Shqipëri.

Asimetria politike është një term i përdorur kryesisht në Amerikën Veriore, konkretisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Popullariteti i këtij termi është rritur ndjeshëm vitet e fundit, pasi Republikanët kanë shkuar shumë djathtas por, në të njëjtën kohë, Demokratët kanë shkuar shumë majtas. I vetmi ndryshim midis asimetrisë amerikane dhe asaj shqiptare është se, në Shqipëri kjo asimetri nuk është bërë mbi baza ideologjike, por mbi baza themelore.

Duke marrë parasysh gjithë deklaratat e bëra, opozita ka përdorur argumenta shumë të fortë për të mbrojtur tezën e saj. Nga ana tjetër, mazhoranca socialiste nuk pranon fajet e veta dhe nuk pranon të japë komente në lidhje me skandalet që po dalin dita ditës.

Kryeministri nuk i është përgjigjur me asnjë argument kërkesës së opozitës për largimin e tij. Madje, ai mundohet t’a anashkalojë debatin kryesor. Lajmi kryesor javën e kaluar, për shembull, ishin letrat ku Rama i drejtohej Bashës dhe i kërkonte pjesëmarrje në 30 Qershor. Gjithë vëmendja u përqëndrua tek letrat e Ramës duke harruar pjesërisht kërkesën kryesore të opozitës: largimi përfundimtar i Ramës nga qeverisja. Ia doli përkohësisht, jo përfundimisht. Përgjimet e publikuara në gazetën Bild ia dështuan këtë strategji. Tani, debati është kthyer përsëri tek largimi i tij.

Çështja duhet parë dhe kuptuar edhe nga një aspekt tjetër. Beteja e opozitës nuk është për pushtet, por për zgjedhje të lira, demokratike dhe legjitime. Në kontrast, lufta që po bën Rama është luftë për të mbajtur pushtetin sa më gjatë. Dhe për këtë, Rama po përdor çdo institucion që deri dje supozohej të ishtë i pavarur nga pushteti ekzekutiv. Kjo nuk duhet të shqetësojë vetëm opozitën, por edhe mazhorancën. Meqënëse askush nga mazhoranca nuk ka dalë publikisht kundër Ramës, tregon që Partia Socialiste nuk ka një faktor për të mbrojtur dhe për të marrë përsipër detyrën e mbrojtjes së Republikës dhe Demokracisë. PS po vepron si në periudhën e zymtë hoxhaiste, po mundohet të eleminojë këdo që i del kundër — veprim ky që po e diskrediton PS-në akoma edhe më shumë.

Në vend që të reflektojë dhe të kuptojë se ai është edhe kryeministri i pakicës, jo vetëm shumicës, psikologjia e Ramës e sheh popullin opozitar si armik. Dhe akoma, si kryeministër, vazhdon në rrugën e gabuar duke e thelluar akoma edhe më shumë ndasinë “ne dhe ata.”

Kjo kokëfortësi dhe lakmi për të qendruar në pushtet, i ulin pikë vetëm Ramës — ka gabuar në strategji. Madje, edhe vetë ai e di këtë. Thjesht po shfrytëzon kohën që i ka mbetur për të mos u dukur i dobët. Dorëheqja do ishte akti më sublim dhe më pro-shqiptar që kryeministri duhet të bëjë.

more recommended stories

loading...