Me autoritetin që m’ka dhënë Kodi Familjes dekretoj zgjedhjet më datë 30 Qershor!



Nga Vëlla Shkumbini

Këto ditë që është rikthyer vapa, është kthyer sërish dhe dëshira për pushime.
Mbrëmë, isha duke parë Peppa Pig në televizor bashkë me fëmijët ndërsa ndërkohë, çuditërisht, nusja ishte duke bubrruar me telefon nëpër instagram.
– O sa bukur! – tha papritur – Paska dalë një ofertë ultra për në Dhërmi. Fundjavë 28 Qershor – 1 Korrik, paguaj dy net dhe ke një natë falas.
“Mos” – thashë me vete, në moment mu shfaq në kokë rruga, vapa, lekët dhe menjëherë trasha zërin me autoritetin e burrit të familjes dhe thashë:
– Në 30 Qershor ka zgjedhje dhe pikë! Ne nuk lëvizim nga Tirana.
– Ç’thua more – m’u përgjigj nusja – Zgjedhjet i anulloi Presidenti. Nuk e more vesh?
Aty nuk mbajta më, edhe sepse unë, si babi i Peppa Pig, jam pak ekspert i çdo gjëje. U ngrita në këmbë dhe me zë solemn thashë:
– Me autoritetin që më jep Kodi i Familjes, Minibashkia dhe Administratori i Pallatit dekretoj që familja jonë do të votojë për zgjedhjet lokale më datë 30 Qershor.
– A ti nuk je në terezi – m’u hodh nusja – Po nejse, nuk ka problem se në datë 30 Qershor nuk paska vend. Qenka një ofertë tjetër më e mirë më datë 13 – 15 Korrik në Jalë “Ti merr fundjavën, ne të falim të hënë, fëmijët falas”. Kjo qenka ofertë ultra. Këtu do shkojmë se s’bën!
“Obobo” – thashë me vete sërish. Si t’ja bëja? Sërish ashtu me zë solemn iu përgjigja:
– Nuse, me autoritetin që më jep Kodi i Familjes, Minibashkia dhe Administratori i Pallatit, unë dekretoj që familja jonë nuk do të votojë për zgjedhjet lokale më datë 30 Qershor. Data e re për zgjedhjet lokale është 14 Korriku. Me këtë dekret të fundit çdekretoj atë të mëparshmin.
– Jo nuk mundet ta bësh! – tha nusja – Nuk ta lejon Kushtetuta.
– Mundem dhe pikë – iu përgjigja unë – Dhe të këshilloj të mbrosh sëbashku me mua unitetin e familjes.
– E di çfarë – tha nusja – Unë nuk e njoh dekretin e dytë. Unë do shkoj të votoj më datë 30 Qershor dhe pikë! Ti po deshe shko voto më datë 14 Korrik, unë do marr fëmijët dhe do shkoj në plazh.
“Epo drreq o punë” – thashë me vete – “Këto shkojnë në plazh dhe unë paguaj”.
– Kështu do shkojmë në konfrontim civil. – i thashë solemn – Unë të bëj thirrje të ulemi për dialog.
– Dialog nuk ka me ty! – m’u përgjigj gruaja – Sepse ti ke uzurpuar çdo pushtet në këtë shtëpi dhe gjithnjë duhet të bëhet siç thua ti!
Pas këtyre fjalëve la celularin, u çua dhe iku në guzhinë. Ndërkohë fëmijët më shikonin të habitur.
– Mos u mërzisni! – i thashë – Se kështu është demokracia, po hajde shohim Peppa Pig se qenka duke përplasur këmbët në gropat e llucës sëbashku me Xhorxhin, vëllain.
“E ç’dini ju fëmijë nga Kushtetuta?” – mendova – “Kur nuk e kuptojmë ne të mëdhenjtë, si do ta kuptoni ju?!”