Karvani i Rilindjes si ai i Grebenesë

Mordecai

Karvanët e Kurbetit janë të vetmit që po ecin përpara këto vitet e fundit në Shqipëri.
As “qentë nuk po lehin” e as karvani nuk po përparon, por vetëm Kurbeti.
Kryetari pseudo-rilindas i ngjan sot më tepër se kurrë karvanarit të kurbetqarëve shqiptarë, që u printe atyre në krye të një vargu kuajsh me qera tek largoheshin nga atdheu.
Ashtu si qeraxhiu i Grebenesë, edhe qeraxhiu i Tepsisë po i përcjell shqiptarët e varfër larg shtëpisë tufa tufa pa më të voglën dhimbsuri.
Karvanari i djeshëm është krejt i ngjashëm me karvanarin e sotëm.
Qeraxhiu i djeshëm është po njëlloj si Tepsixhiu i sotëm në qëllime dhe gënjeshtra.
Dhimbje dhe humbje të mëdha njerëzore, që kujtonim se i kishim lënë pas në thellësitë e historisë, por ja na përsëriten sot në kohët moderne.
Në vargjet e kësaj kënge tragjike do të gjeni të djeshmen e Shqipërisë kthyer në të sotmen e saj. Ky është varianti i plotë i këngës, ku edhe sot e kësaj dite gjejnë veten shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre pa ndërgjegje.
Sa herë e këndojnë “Qeraxhiun e Grebenesë” këngëtarët i heqin nga një strofë për të pakësuar helmin e saj.
Por sado shkurt që del kënga nëpër variante, rënkimi dhe mallkimi popullor ndaj qeraxhiut mbetet aty, lexim i ftohtë e pa koment:

Qeraxhi i Grebenesë, / Paske qenë i pabesë.
Qeraxhi, të plastë kali, / Ti e ndave nusen nga djali.
Qeraxhi, që nget karvanë, / Mos ke parë burrat tanë?
Në qofshin burrat e botës, / Mur më mur do t’i bie kokës.
Në qofshin burrat tanë, / Siharriq do të jap gjerdanë.
Shkojnë burrat edhe na lenë, / Shkojnë e marrin dhenë.
Ah, qeraxhi…

Qeraxhi i Grebenesë, / Bëmi të fala nënesë.
Të dy qetë të m’i shesë, / T’ia bëjë nigjah së resë.
Qeraxhi, o të kam vëlla, / Sillma burrin edhe pa para.
Ma sill burrin anës malit, / Të të fal floritë e ballit.
Ma sill burrin anës fushës, / Të të fal gjerdanin e gushës.
Ah, qeraxhi…