Edi Rama e do Konfliktin Final.


Indrit Vokshi/

Nuk e di pse por e dashka!

Duke u nisur nga prespektiva ime, mendova se kryeministri do t’i bindej vendimit të presidentit dhe do ta përdorte atë si rrugëdalje që edhe të mos dukej i dobët para të tijëve por edhe të merrte kohë për zgjidhje.

Mirëpo jo. Njeriu i cili në vitin 2006 kërkoi shtyrje të zgjedhjeve për disa çertifikata të cilat i prodhonte vetë duke pasur bashkitë dhe, shtyrja e zgjedhjeve iu duk normale, sot nuk e përfill vendimin e presidentit, vendim i cili mbështetet në qëllime më të forta e më të arsyeshme siç është shmangia e konfliktit.

Duhet t’i kujtojmë këtij personi dhe atyre që e mbështesin se republika është pakti e konsensusi i palëve politike të një vendi për të pasur hapsira të përbashkëta politike, rregulla loje dhe institucione të të gjithëve.

Kur institucionet e të gjithëve i mësyn dhe i bën vetëm të tuat, kur hapsirat e përbashkëta i mbyll, kur rregullat e lojës dhe konkurencën politike i shkatërron duke angazhuar grupe kriminale në zgjedhje për ta trukuar rezultatin, atëherë ti ke prishur paktin e një shoqërie për republikë. Je armik i bashkëjetesës, konkurencës dhe i vazhdimsisë paqësore.

Je ai që tenton ta prishësh ketë pakt bashkëjetese dhe ta nënshtrosh një shoqëri nën dhunën financiare, fizike, administrative (me shtet) dhe mediatike.

Në ketë situatë, sigurisht që palët e tjera politike, kanë të drejtë të luftojnë për hapsirat, institucionet dhe garancitë për ta. Kjo sepse nuk mund të heshtin kur dikush tenton ta nënshtrojë shoqërinë dhe bashkë me shoqërinë t’i eleminojë edhe ata si palë.

Prandaj palët politike nuk kanë rrugë tjetër përveç Konfliktit Final për mbijetesë të tyre e të shoqërisë. Nuk kanë rrugë tjetër përveç eleminimit politik të rrezikut që i kanoset bashkëjetesës, paktit dhe konsensusit kombëtar.

Partia Socialiste i di më mirë se kushdo paudhësitë, oreksin dhe tentativën e kryetarit të saj për ta prishur republikën në favor të diktaturës. E megjithatë nuk reagon, duke na vërtetuar si i pëlqen diktatura, se Rama ua ka ngjallur fuqishëm instiktin primordial për diktaturë siç e patën instaluar në 1945-1990.

Rama e do Konfliktin Final dhe mesa duket do ta ketë. Mirëpo në realitetin e sotëm gjeopolitik rajonal e më gjerë, nga një përplasje kryeministër-shoqëri, fiton shoqëria, jo kryeministri.

more recommended stories

loading...