SHQIPTARËT KANË NJË TË ARDHME TË SHKËLQYER, KURSE SHQIPËRIA JO…

Nga Stefan Çapaliku/

Janë më shumë se 100.000 shqiptarë që studiojnë aktualisht në universitetet më të mira europiane, amerikane, etj.
Vetëm në vitin që shkoi kemi 25.000 të rinj që vendosën të rregjistroheshin si studentë jashtë Shqipërie, apo e thënë ndryshe kemi 50.000 prind, që u betuan të sakrifikonin edhe tullën e fundit të shtëpisë së tyre, në mënyrë që fëmijtë e vet të studionin jashtë dhe vetëm jashtë.
Sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s:” Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e para për numrin më të lartë për 1000 banorë, pra afërsiht 10 vetë për 1000 banorë studiojnë jashtë.
Vendi i dytë në rajon për numër më të lartë studentësh që zgjedhin të jetojnë jashtë është Mali i Zi. Në vlerë absolute, në 2017-n rreth 4763 të rinj malazezë kishin vendosur të studionin jashtë.
Në vendin e tretë është Bosnjë-Hercegovina, ku për 1000 banorë në 2017-n kishte 3 studentë që kishin zgjedhur të studionin jashtë.
Serbia dhe Maqedonia kanë një numër më të ulët studentësh për 1000 banorë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit.
Dhe gjasat janë që nga dhjetë studentë shqiptarë në botë vetëm dy të kthehen mbas studimeve në Shqipëri. Njëri kthehet t’i bëjë qejfin prindërve dhe i dyti ashtu si për rutinë. Nga këto dy që kthehen, thashethemet thonë se 1.5 ia mbathin sërish se “ashtu i doli një punë”
Se kur do ketë Shqipëria fatin e shqiptarëve, një Zot e di…
Dhe më bie ndër mend tani se jo vetëm ato që ikën me studime do kenë një fat të shkëlqyer, por edhe të tjerët ndoshta. Dhe s’mund të rri pa e kujtuar rrëfimin e një kolegut tim:
“Po e ndjeja thellë brenda vetes se po humbisja durimin. Shpërndaja posten nëpër Vjenë dhe qeshë lodhur dhe mërzitur kaq shumë, sa s’ka. Unë ish profesor universiteti në Shqipëri, postier në Austri. E me sa duket qe e shkruar që pikërisht në atë ditë të merrja vendimin fatal që të kthehesha në Shqipëri, Zbrita me të shpejtë katet e asaj godine të vjetër vieneze ku qeshë ngjitë të coja zarfin e radhës dhe thashë t’ia jap pak kohë vetes e të pija një kafe. Të pija një kafe dhe të merrja frymë thellë, si përpara një vendimi të rëndësishëm e të pashmangshëm tashmë. Dhe pikërisht në atë cast, sapo hapja derën dhe dilja në rrugë, sytë më zunë menjeherë time shoqe që ecte përkrahu me një burrë plak e të fisëm. U pamë në sy, në sytë që ajo i uli si të qe e zënë në faj dhe që bënë një shenjë të padeshifrueshme, duke tentuar të mos e vinte re plaku në krah. Po. Ishte ime shoqe, që shëtiste këtë zotëri vjenez e që paguhej për këtë. Ja, thashë me vete kjo qe një tjetër shenjë e fortë që duhet të ikim nga ky vend, të kthehemi. Dhe kur u takuam mbasdite në shtëpi dukej qartë se edhe ajo kishte marrë të njëjtin vendim. Ashtu në heshtje e duke bubrruar dicka ndër dollapë, hapet vrik dera, hyn si vetëtima djali ynë i vetëm, i qeshur sa i gjithë qielli i Shqipërisë, dhe tha: Ej njerëz, kam marrë notën maksimale. Mësuesja tha se unë jam më i miri.
Kaq u desh. Ne vendosëm sërish të rrimë. Edhe kësaj here ashtu pa fjalë…”
Dhe pra… sfida e të bërit bashkë të Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet një problem krejtësisht i pazgjidhur.
Se kur do ketë Shqipëria fatin e shqiptarëve, një Zot e di…