Kandidati për kryeministër: Kam përdorur kokainë, mos e përdorni kundër fushatës time këtë gjë

Kandidati për kryetar të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe dhe rrjedhimisht edhe për kryeministër të ardhshëm të këtij shteti, Michael Gove, ka thënë se është penduar për përdorim të kokainës para më shumë se 20 vjetëve.

Ai i tha për gazetën “Daily Mail” se ka përdorur kokainë në disa tubime shoqërore në kohën kur punonte si gazetar. Ministri i mjedisit tha se beson që gabimi i tij nuk duhet të përdoret kundër synimit të tij për t’u bërë kryeministër i Britanisë së Madhe.

Gove, i cili ka shërbyer si ministër i drejtësisë më 2015 dhe 2016, është njëri nga 11 anëtarët e Partisë Konservatore që kanë deklaruar se do të garojnë për kryetar të partisë që aktualisht është në pushtet. Fituesi i garës pritet të shpallet në fund të muajit korrik.

Gjithashtu, edhe ministri për zhvillim ndërkombëtar, Rory Steëart, i cili gjithashtu është kandidat për kryetar të Partisë Konservatore, ka kërkuar falje më parë për përdorim të opiumit gjatë një martese në Iran para pesëmbëdhjetë vjetëve.

Gove tha: “Kam marrë drogë në disa raste të tubimeve shoqërore para më shumë se njëzet vjetëve. Në atë kohë isha gazetar i ri. Ishte gabim. Mendoj për atë kohë dhe do të doja të mos e kisha bërë këtë gjë”.

Ai shtoi: “Mendoj se të gjithë politikanët kanë jetuar ndryshe para se të bëhen pjesë e politikës. Sigurisht, kur punoja si gazetar, nuk e kam paramenduar se do të bëhem pjesë e politikës ose shërbimit publik”, shkruan “BBC”.